LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria s’pranoi ndërtimin e hekurudhës me Kosovën, Mali i Zi hoqi dorë nga rruga

Shqipëria s’pranoi ndërtimin e hekurudhës me Kosovën, Mali i Zi hoqi dorë nga rruga

Disa prej planeve që Kosova kishte bërë gati t’i kërkonte ndihmë BE-së nuk ka gjasa të realizohen. Kjo për faktin se qeveritë e disa vendeve të rajonit nuk kanë pranuar të hyjnë në investime.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se Shqipëria nuk ka pranuar ndërtim të hekurudhës me Kosovën, ndërsa Mali i Zi ka hequr dorë nga rregullimi i rrugës që lidh dy vendet.

Ai ka bërë të ditur se 1 miliardëshi i cekur nga komisari Johannes Khan do të vlejë vetëm për të mbështetur ato projekte ku dy qeveritë marrin vendime për financimin e tyre.


Ndërkaq për realizimin e projekteve brenda territorit të Kosovës nuk ka probleme, pasi që për një pjesë të madhe të tyre janë duke u kryer studimet e fizibilitetit nga BERZH-i.

Nga ana tjetër, Ibrahim Rexhepi nga Instituti STRAS, ka thënë se është e qartë se BE-ja nuk mund t’i financojë projektet milionëshe, por ajo mund të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit mes ministrive.

Këto ide priten të diskutohen edhe në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Vjenë, ku qeveritë pritet të marrin vendimet përfundimtare, pastaj dokumenti me propozime do të dërgohet në Bruksel, ku do të vendoset për nivelin e mbështetjes për realizimin e tyre. /koha/