LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria, rekord për thithjen e investimeve të huaja

Shqipëria, rekord për thithjen e investimeve të huaja

“Në Europën Juglindore, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë pasur një zhvillim pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte vetëm në vitin 2008 përkundrejt vitit 2007. Krahasuar me ekonomitë në tranzicion në mbarë botën, Shqipëria mban rekord, pas Armenisë, në rritjen e IHD-së në vitin 2008, duke shënuar 45 për qind rritje në investimet e huaja direkte”,- theksohet në raportin që bëhet publik nga Zyra e Koordinatores së Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Shqipëria mban rekord për thithjen e investimeve të huaja ndër të gjitha ekonomitë në tranzicion. Është ky përfundimi i Raportit Botëror të Investimeve 2009, i prezantuar nga Kombet e Bashkuara në Shqipëri.

Raporti, i përgatitur çdo vit nga Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), këtë vit fokusohet te tendencat e investimeve të huaja, para dhe gjatë krizës ekonomike, gjithashtu edhe mbi rolin e rëndësishëm që këto investime mund të kenë në rritjen e prodhimit bujqësor.

Raporti konstaton se rrjedha e investimeve të huaja direkte është prekur rëndë në mbarë botën nga kriza ekonomike. Rrjedha e investimeve vazhdon të bjerë përgjatë gjithë rajoneve, nga niveli më i lartë, 2 trilion dollarë në vitin 2007, në 1.7 trilion në vitin 2008, në 1.2 trilion në vitin 2009.


Pritet një rigjenerim i ngadaltë në vitin 2010 me një arritje maksimale në vitin 2011. Kriza ka ndryshuar tablonë e investimeve: në vitin 2008, ekonomitë në zhvillim dhe në tranzicion rritën aksionet e tyre në rrjedhat botërore të IHD-së (investimeve) me 43 për qind, ndërkohë që investimet në vendet e zhvilluara dhe nga këto vende pësuan rënie.

Rritja domethënëse e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera në rajon, bazohet kryesisht në “privatizimin e kompanive të mëdha që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit” thotë raporti, në kapitullin e tij që fokusohet në rajonin e Europës Juglindore. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është e ardhmja e këtyre privatizimeve në rritjen e vendeve të punës dhe performancës së vendit.

“Reformat e fundit të qeverisë, si privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, synuan tërheqjen e investimeve të huaja dhe kanë ndihmuar Shqipërinë të arrijë një nivel të lartë të shifrave të IHD-së në vitin 2008. Sfida përpara ka të bëjë me mbajtjen e një niveli të qëndrueshëm rritjeje të IHD-së me anë të politikave të drejta dhe krijimit të një mjedisi të përshtatshëm. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për rritjen e qëndrueshme të IHD-së në vend”,-shprehet Gulden Turkoz-Cosslett, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it.