LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Kadare: Reputacion dhe besueshmëri në arenën ndërkombëtare

Shqipëria në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Kadare: Reputacion dhe besueshmëri në arenën ndërkombëtare

Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) e konsideroi  anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s një sukses të rëndësishëm diplomatik.

Në intervistën për ATSH-në, Kadare sjell në vëmendje rëndësinë e anëtarësimit në organin vendimmarrës më të rëndësishëm të UNESCO-s, ndërsa ndalet edhe te prioritetet e Shqipërisë gjatë këtij mandati.


Anëtarësimi në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027, për ambasadoren Kadare tregon vlerësimin ndërkombëtar për kontributin e Shqipërisë në UNESCO dhe për politikën tonë të jashtme në përgjithësi.

Kadare tregon po ashtu sfidat e përzgjedhjes në Bordin Ekzekutiv, ndërsa nënvizon se votimi i Shqipërisë dëshmon qartazi reputacionin pozitiv, influencën dhe besueshmërinë që Shqipëria gëzon në arenën ndërkombëtare, si një partner serioz dhe konstruktiv.

“Fitorja ka qenë një sfidë e vështirë pasi në zgjedhjet për Bordin Ekzekutiv këtë vit konkurronin 6 shtete për 4 vende të lira. Kandidatët nga grupi ynë elektoral ishin edhe Çekia, Sllovakia, Serbia, Uzbekistani dhe Rusia. Votimi ishte i fshehtë, dhe në të morën pjesë të gjitha vendet anëtare të UNESCO-s. Shqipëria fitoi 134 vota, që është një rezultat shumë i lartë, i cili dëshmon qartazi reputacionin pozitiv, influencën dhe besueshmërinë që Shqipëria gëzon në arenën ndërkombëtare, si një partner serioz dhe konstruktiv. Nga grupi ynë elektoral fituan edhe Çekia, Sllovakia dhe Serbia, ndërsa humbën Rusia dhe Uzbekistani”, u shpreh ajo.

Duke folur për lobimin e bërë për arritjen e këtij objektivi, ambasadorja theksoi se “prej mëse një viti Shqipëria ka bërë një fushatë intensive për këto zgjedhje”.

“Konkretisht, kemi takuar përfaqësuesit e pothuajse të gjitha vendeve anëtare të UNESCO-s, për t’i bindur që Shqipëria do të jetë një anëtare aktive në Bord, me qasje konstruktive, që do të kultivojë frymën e dialogut duke gjetur terrene bashkëpunimi me të gjithë anëtarët e Bordit. Thelbi i fushatës sonë ishte fakti që Shqipëria e mbështet multilateralizmin dhe rolin thelbësor të UNESCO-s, me bindjen e thellë se çfarë na bashkon është më e rëndësishme dhe më e fuqishme se çfarë na ndan. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me kolegët e Ministrisë së Jashtme, e cila aktivizoi për fushatën të gjitha strukturat e diplomacisë shqiptare”, tha ajo.

Sipas Kadaresë, “një lobim i përmasave të tilla mund të kurorëzohej me sukses vetëm në sajë të një bashkëpunimi dhe koordinimi të ngushtë”.

“Personalisht, ndihem e lumtur që pata privilegjin të jem në sallë, ulur prapa pllakës së Shqipërisë, për të përfaqësuar vendin tim para botës dhe asistuar live në shpalljen e rezultateve dhe kurorëzimin me sukses të një pune njëvjeçare të shumë kolegëve. Mund të them me plot gojën se në jetën e një diplomati, këto janë momente unike, plot emocion dhe krenari, që do të mbeten të pashlyera në kujtesë”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, Kadare theksoi se është hera e parë në historinë e UNESCO-s, që nga krijimi i Organizatës me 1945, që Rusia nuk arrin të zgjidhet në Bordin Ekzekutiv.

“Me këtë humbje, shtetet anëtare të UNESCO-s i dërguan një sinjal të fortë Moskës zyrtare se një qeveri përgjegjëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk e ka vendin në një organ ndërkombëtar të rëndësishëm si Bordi Ekzekutiv. Kjo humbje tregon qartë se influenca e Rusisë dhe roli i saj ndërkombëtar është dobësuar ndjeshëm”, tha ajo.

Duke folur për prioritetet e Shqipërisë si anëtare e këtij Bordi, Kadare nënvizoi faktin se Bordi Ekzekutiv është organi vendimmarrës më i rëndësishëm i UNESCO-s.

Ndaj anëtarësimi në Bordin Ekzekutiv, sipas ambasadores Kadare, i jep Shqipërisë zë dhe peshë politike në hartimin e politikave dhe prioriteteve të Organizatës, dhe si pasojë është edhe një oportunitet për të forcuar më tej bashkëpunimin me UNESCO-n, në mbështetje të interesave tona kombëtare.

“Roli i Bordit është të formulojë politikat dhe strategjitë e UNESCO-s, të miratojë buxhetin dhe alokimin e tij, të monitoroje zbatimin efikas të programeve, si dhe të mbikëqyrë qeverisjen e mirë të Organizatës për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie”, tha ajo.

Ambasadorja Kadare solli në vëmendje se UNESCO ka një mandat shumë më të gjerë se mbrojtja e trashëgimisë kulturore, ndonëse ky është dimensioni i vetëm me të cilën e identifikon shpesh publiku shqiptar.

“Kushtetuta e UNESCO-s, e miratuar në 1945 fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, fillon me këtë fjali të bukur dhe kuptimplotë : “meqenëse luftërat fillojnë në mendjet e njerëzve, është në mendjet e njerëzve që duhen ndërtuar mburojat e paqes.” Pra objektivi i UNESCO-s është të ndërtojë paqen duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e Kulturës, Arsimit, Shkencave, Informacionit dhe Komunikimit. Me fjalë të tjera, Organizata është konceptuar si pjesa intelektuale e sistemit të Kombeve të Bashkuara, me fokus në ‘soft power’”, tha ajo për ATSH-në.

Në këtë kuadër, Kadare theksoi se “Shqipëria do ta vërë theksin në disa prioritete kritike, që përputhen me mandatin dhe vlerat e UNESCO-s, ndër të cilat mbrojtja dhe promovimi i vlerave demokratike dhe i të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihen liria e shprehjes, liria e medieve dhe barazia gjinore”.

“Shqipëria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore (Konventa e 1972), si dhe shpirtërore (Konventa e 2003), në kuadër të Konventave kulturore të UNESCO-s”, tha Kadare.

Përforcimi i rolit të UNESCO-s për një arsim gjithëpërfshirës dhe me cilësi të lartë, sipas Ambasadores, do të jetë një tjetër prioritet me fokus të veçantë te aksesi i vajzave në arsim, tek edukimi STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) dhe tejkalimi i hendekut dixhital (digital gap).

Po ashtu, Kadare theksoi se në fokus do të jetë edhe promovimi i shkencës së qëndrueshmërisë për të mbështetur politika të qëndrueshme dhe transformime pozitive shoqërore, duke pasur parasysh faktin se sistemet sociale, mjedisore dhe kulturore janë të ndërlidhura ngushtë.

“Prioritet janë aksionet e UNESCO-s për mbrojtjen e mjedisit (nëpërmjet mbrojtjes së pasurive natyrore regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore, rezervave biosferike dhe gjeoparqeve) dhe aksionet globale për mbrojtjen e oqeaneve. Në këtë kuadër, do të promovojmë programet e UNESCO-s që kontribuojnë në edukimin dhe komunikimin rreth ndryshimeve klimatike, dhe implikimet etike që ato kanë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, theksoi ajo.

Në fokusin e Shqipërisë, sipas Kadaresë do të jetë edhe shfrytëzimi i përfitimeve të inteligjencës artificiale në të gjitha fushat e kompetencave të UNESCO-s, duke adresuar njëkohësisht sfidat e shumta etike qe shtron IA.

Ambasadorja theksoi se pjesë e axhendës do të jetë edhe përforcimi i rolit të UNESCO-s në fushën e shkencave me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në shkenca, promovimin e dialogut ndërmjet shkencëtarëve dhe politikëbërësve, dhe ndërtimin e kapaciteteve.

“Vlen të theksohet se UNESCO po luan një rol të rëndësishëm në fushën e shkencave dhe teknologjive të reja. Prandaj Shqipëria do ta përforcojë bashkëpunimin me UNESCO-n në këtë fushë, duke pasur parasysh rolin parësor që luajnë shkencat sot dhe lidhjet e ngushta midis shkencës, shoqërisë, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Është shumë e rëndësishme qe edhe publiku i gjerë të informohet për zbulimet e fundit në shkenca dhe të angazhohet në debatet publike, pasi sot shkenca është e ndërlidhur me jetën tonë të përditshme. Por roli i shkencës në formimin e të ardhmes sonë të përbashkët varet shumë edhe nga besimi që politikanët dhe publiku i gjerë kanë te shkenca, besim i cili nxit hartimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të bazuara në prova për t’ju bërë ballë sfidave të shumanshme dhe të paprecedenta të botës ku jetojmë”, tha ajo.

Për të ilustruar mandatin sa të gjerë aq edhe unik të Organizatës, Kadare përmendi edhe faktin se “në nëntor 2021 UNESCO hartoi dokumentin e parë global mbi etikën e Inteligjencës Artificiale (IA) – ‘Rekomandimi për Etikën e Inteligjencës Artificiale’, i cili u miratua me konsensus nga të 193 Shtetet Anëtare”.

Thelbi i Rekomandimit, sipas saj, “është mbrojtja e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes njerëzore të sistemeve të IA”.

“Pra, mandati i UNESCO-s është shumë më i gjerë se mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dhe mandati ynë katërvjeçar në Bord do të na japë mundësi të angazhohemi në të gjitha fushat e kompetencës së UNESCO-s, por edhe të përfitojmë prej tyre, në sajë të projekteve të ndryshme”, u shpreh ambasadorja Kadare.

Në trend Lajme

Më shumë
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Lajme
Hyn në fuqi marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova heqin kontrollet në kufij për nëntë muaj

Hyn në fuqi marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova heqin kontrollet në kufij për nëntë muaj

Lajme
Hapet segmenti tre kilometra që lidhet me Urën e Kukësit, ura hapet plotësisht brenda qershorit

Hapet segmenti tre kilometra që lidhet me Urën e Kukësit, ura hapet plotësisht brenda qershorit

Lajme
Kurti takon tri nënkryetaret serbe, konsultohet për lirinë e asocimit të komunave në veri

Kurti takon tri nënkryetaret serbe, konsultohet për lirinë e asocimit të komunave në veri

Lajme
Gjykata Speciale, përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

Gjykata Speciale, përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

Drejtësi
Kalo në kategori