LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria ka Odë të përbashkët me Serbinë por jo me Kosovën

Shqipëria ka Odë të përbashkët me Serbinë por jo me Kosovën

Shqipëria nuk ka odë të përbashkët bashkëpunimi me Kosovën mirëpo ka me Serbinë. Prodhuesit në Kosovë po përballen me probleme të dërgojnë produktet e tyre në Shqipëri.

Janë disa raste ku shteti shqiptar ka aplikuar politika diskriminuese ndaj prodhuesve kosovarë. Raste këto që janë paraqitur nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.


Gjithashtu janë bërë disa kërkesa nga Kosova, përfshirë këtu edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, mirëpo këto kërkesa janë lënë pezull nga shteti shqiptar.

Ministri, Bajram Hasani bëri të ditur gjatë një emisioni televiziv se tashmë i ka dërguar disa letra drejt ministrit shqiptar, Arben Ahmetaj mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ai paralajmëron se nëse një praktikë e tillë vazhdon, Kosova do të marrë masa kundër tyre.

“Mund të marrim masa qysh nesër, kemi bazë mirëpo ka qenë qëllimi i mirë që të hapet tregu me Shqipërinë. Unë i kam dërguar disa letra ministrit Ahmetaj dhe nëse ata nuk reflektojnë, në kuptimin që nuk na përfillin ne duhet të vazhdojmë, do t’i përgjigjemi me kundërmasa”, ka thënë ai.

Shteti shqiptar po aplikon politika diskriminuese ndaj prodhuesve kosovarë. Përveç çështjes së patateve, drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha përmendi domatet dhe barnat.

Ai, gjatë emisionit shpjegoi se si Shqipëria ka licencuar prodhimin e Trepharm “Amodipin” 5mg por jo edhe atë 10mg.

“Se produkti prej 5mg shitet në një sasi diku prej 10-15 mijë paketa në vit ndërsa 10 mg shitet mbi 200 mijë paketa në vit”, u shpreh Panxha. Çështjen e “Amodipin” që nuk po licencohet për shitje në tregun shqiptar e kanë adresuar Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Panxha tha se shpesh flitet për bashkim kombëtar mirëpo kjo praktikë është, siç tha ai, ofendim kombëtar.

Përfaqësuesi i sektorit privat, Berat Rukiqi ka thënë që kryeministri shqiptar Edi Rama kishte premtuar në një takim në Pejë që nëse brenda 1 jave nuk rregullohet atëherë do të shkarkohet personi udhëheqës i agjencisë së barnave. Sipas Rukiqit kjo nuk ka ndodhur.

Ai, tha që grupet e interesit në Shqipëri, deputetë shumë të fuqishëm kanë penguar tregun e përbashkët.

Ndërkohë, Astrit Panxha, gjatë emisionit përmendi që ka tendencë që në tregun shqiptar me politika diskriminuese t’u vihen barriera të ndryshme.

Ai përmendi Birrën Peja. E ndonëse është “brand” i cili ka depërtuar në tregun shqiptar, “Birra Peja” po barazohet me birrat e huaja si Tuborg e Heineken.

“Tash ‘Birra Peja’ paguan akcizë dy herë më të lartë dhe barazohet me ‘Heineken’ e ‘Tuborg’”, tha Panxha.

Në anën tjetër, Lulzim Rafuna, këshilltar në Ministrinë e Financave por edhe këshilltar për tatime dhe doganë në qeverinë Rama foli në një emision televiziv për mundësitë dhe planet për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai përmendi iniciativën për krijimin e një Ode të përbashkët mes dy shteteve, atij kosovar dhe shqiptar.
Rafuna tha se kryeministri Edi Rama ka obliguar të gjithë ministrat që brenda prioriteteve të tyre të kryesojë çështja e Kosovës.

Rafuna tha se mungon komunikimi i rregullt, e që sipas tij do të duhej të ishte biznesi me biznes.

“Kërkesa ime e përditshme është që të krijohet dhoma Kosovë – Shqipëri”.