LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria e gatshme për pritjen e turistëve nga Kosova

Shqipëria e gatshme për pritjen e turistëve nga Kosova

Shqipëria sivjet është më e gatshme për të pritë turistë nga Kosova, ka thënë ministri i Kulturës dhe Turizmit i Shqipërisë, Ardian Turku. Në Panairin e Tirizmit që po mbahet në Prishtinë, Turku njëherit ka ofruar siguri për të gjithë.

Hyrja e Shqipërisë në NATO-s dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së stabilizim-asociimit, tregojnë se Shqipëria ka arritur standarde të larta demokratike dhe institucionale dhe garantojnë se bregdeti shqiptar ofron siguri për të gjithë vizitorët, tha ministri Turku. Ai përmendi investimet e shumta, posaçërisht në infrastrukturën rrugore.

”Rruga e quajtur ‘rruga e kombit shqiptar’ që do të lidhë Portin e Durrësit me Kosovën po shkon drejt punimeve përfundimtare, nga ana tjetër një aks tjetër është ajo që e lidh Vlorën dhe Sarandën”, tha ministri Turku.

Ministri Turku tregoi se janë bërë përmirësime edhe në ujësjellës dhe kanalizime. Po ashtu është bërë përmirësimi i furnizimit me energji elektrike. Ministri potencoi se qeveria shqiptare po i kushton rëndësi të madhe turizmit.


“Është një sektor që po avancon me ritme jashtëzakonisht të mëdha dhe po zë një vend të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.”

Turku bëri të ditur se së shpejti turistët do të kenë mundësi të shohin udhërrëfyesin dhe spotin, ku tregohen bukuritë e bregdetit shqiptar, të cilët sipas ministrit do të promovohen edhe në Kosovë. /rtk/