LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria, e ftuar nderi në Bienalen e Torinos

Shqipëria, e ftuar nderi në Bienalen e Torinos

Përkrah të mëdhenjve Schifano e Mastroianni në seksionin historik, në këtë aktivitet të rëndësishëm të artit figurativ janë të pranishëm edhe 18 artistë shqiptarë, përfaqësues të një vitaliteti të madh e të një fryme moderne.

Veprat e tyre u vlerësuan nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Torinos, ku është organizuar bienalja. Ai tha se veprat e artistëve shqiptarë emocionuan dhe përfaqësojnë një urë lidhëse mes realiteteve artistike të të dy vendeve.

Pavioni shqiptar, me kurator piktorin e njohur Alfred Mirashi, i njohur në art Milot, është ngritur edhe me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe të Muzeut Historik Kombëtar. Drejtori i këtij muzeu, Melsi Labi, ishte i pranishëm në inaugurim dhe shprehu vlerësimin e tij për këtë bashkëpunim artistik, që nuk do të kufizohet vetëm në Torino.

Bienalja, që ka si fill të përbashkët të punëve përdorimin e letrës, një prej materialeve më të rafinuara në art, do të spostohet në pranverë në Tiranë dhe më pas në Romë. Pikërisht kjo karakteristikë shëtitëse i jep asaj mundësinë e njohjes së artit bashkëkohor nga një numër i madh artdashësish. /TCH/