LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri: Rritet indeksi i çmimeve në ndërtim

Shqipëri: Rritet indeksi i çmimeve në ndërtim

Sipas institutit të Statistikave INSTAT, në tremujorin e tretë 2010, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.9 për qind, duke shënuar rritje 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar rritje me 0.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte -0.4 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Indeksi i nëngrupit "Shpenzime materiale" është rritur me 0.3 për qind.

Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit dhe materialeve elektrike janë rritur përkatësisht me 0.3 dhe 1.4 për qind.

Gjithashtu rritje ka pësuar dhe indeksi i nëngrupit "Shpenzime transporti" me 0.2 për qind, si dhe grupi “Shpenzime Plotësuese" pësoi rritje prej 0.2 përqindësh. Në këtë tremujor, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për grupet e tjera nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm. /Telegrafi/