LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, kriza e skemës së pensioneve

Shqipëri, kriza e skemës së pensioneve

Ngrirja e të ardhurave nga kontributet dhe rritja e pagesave që qeveria bën për pensionet po e thellon deficitin e skemës së sigurimeve me ritme të larta. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, të ardhurat e mbledhura nga sigurimet shoqërore, janë më të ulëta se një vit më parë për 1.6 për qind.

Kjo situatë e detyroi qeverinë që në rishikimin e buxhetit shkurtimin më të madh ta bëjë pikërisht tek zëri i të ardhurave nga sigurimet shoqërore, të cilat u ulën dy herë më shumë nga mesatarja e zërave të tjerë.

Ministria e Financave pret që për këtë vit të mbledhë nga sigurimet shoqërore rreth 46.4 miliardë lekë kur në të njëjtën kohë shpenzimet për pensionet, me rritjen e fundit pritet të shkojnë 82.2 miliardë lekë, gati dy herë më shumë.

Me këto shifra skema e pensioneve me të gjitha gjasat do të ketë këtë vit deficitin më të lartë historik, ku diferenca pagesave që bën shteti për pensionet dhe të ardhurave që ai mbledh nga sigurimet pritet të jetë gati sa 3 për qind e Produktit të Brendshëm Kombëtar.


Kjo do të thotë se gati i gjithë deficiti i buxhetit këtë vit do vijë vetëm si pasojë e skemës së sigurimeve. E thënë ndryshe, 95 për qind e borxhit që qeveria do marrë këtë vit do shkojë për të mbuluar deficitin e pensioneve.

Vitin e kaluar qeveria uli me 5 për qind kontributet për bizneset, në argumentin se kjo masë do të nxiste vetë deklarimet dhe do të rriste punësimin. Por asnjëra nga këto nuk u vërtetua.

Në misionin e fundit në Tiranë misioni i FMN-së i kërkoi qeverisë të rishikojë këtë vendim, e cila sipas fondit nuk solli as ulje të informalitetit, as rritje të punësimit, por thelloi edhe më tej deficitin e pensioneve. /tch/