LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri: Bie marrja e kredive

Shqipëri: Bie marrja e kredive

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit qershor ka rënë marrja e kredisë për ekonominë. Sipas statistikave, në fund të qershorit kredia totale për ekonominë ishte 457.6 miliardë lekë, ose 200 milionë lekë më pak se një muaj më parë.

Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, kredia është rritur për gjysmën e parë të vitit në total me vetëm 3.8 për qind.

Guvernatori i Bankës Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se investimet private vlerësohen në rënie në pjesën e parë të vitit. “Kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat kanë dekurajuar kërkesën për kredi”, tha Fullani.

Sipas të dhënave, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kredia për individët është rritur me vetëm 0.6 për qind, një tregues ky që, sipas vetë bankës dëshmon për rënie të konsumit në ekonomi.


Studimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit kredia ka qenë një nga nxitësit kryesorë të ekonomisë duke kontribuar mesatarisht me 1.5 për qind në normën vjetore të rritjes ekonomike. /agjencitë/telegrafi/