LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, Bankat nuk na japin borxh afatgjatë

Shqipëri, Bankat nuk na japin borxh afatgjatë

Ministria e Financave është e detyruar të heqë dorë pjesërisht nga strategjia e vet për borxhin publik, si pasojë e mungesës së interesimit të bankave për të blerë obligacione 2, 3 dhe 5 vjeçare. Financat pranojnë se gjatë këtij viti ka pasur vështirësi në shitjen e borxhit publik dhe se obligacionet afatgjata janë blerë në sasi më të vogël nga bankat.

Tiranë, 20 nëntor –

"Lidhur me menaxhimin e borxhit të financuar me instrumente financiare, një nga vështirësitë kryesore të këtij viti ka qenë mungesa e likuiditetit dhe reagimi i tregut kryesisht në instrumente afatshkurtra", kështu deklaruan Financat në relacionin e buxhetit. Për pasojë, këtë vit ka pasur më pak emetime në obligacione dy dhe trevjeçare. E njëjta situatë pritet të përsëritet edhe në vitin e ardhshëm.

"Për sa u përket treguesve të riskut, në fund të vitit 2009, numri i ditëve mesatare në maturim mendohet të jetë 398 ditë krahasuar me 401 ditë në fund të vitit 2008. Siç shikohet, gjatë vitit 2009, për shkak të situatës së vështirë financiare të tregut, nuk ka përmirësime të këtij treguesi, gjë e cila ishte parashikuar dhe shprehur edhe në strategjinë e menaxhimit të borxhit 2009-2011", thonë Financat.


Qeveria filloi të emetojë më shumë borxhe afatgjata disa vite më parë, kur u pa se dominimi i tregun nga borxhet afatshkurtra mbante norma të larta rreziku likuiditeti. Në disa raste, bankat bënë presion duke mos blerë bono thesari, gjë që solli edhe rritjen artificiale të çmimeve.
Sipas shifrave të dhëna nga qeveria, gjatë këtij viti nuk ka pasur ndonjë ndryshim të konsiderueshëm në strukturën e blerësve të bonove të thesarit. Rreth 35 për qind e borxhit është blerë nga vetëm një bankë. Prania e kompanive private është e papërfillshme, ndërkohë që blerjet e bonove nga individët kanë pësuar një rritje të konsiderueshme. Shqiptarët e zakonshëm zotërojnë aktualisht 10.3 për qind të borxhit publik, nga 8.3 për qind që kishin një vit më parë.

Tregu i borxhit publik është shumë tërheqës për investime, për shkak të interesave të larta të ofruara në krahasim me depozitat në lekë. Këtë vit interesat e borxhit kanë arritur në nivelin më të lartë prej shumë vitesh.