LAJMI I FUNDIT:

Shpejtohet shitja e PTK-së

Shpejtohet shitja e PTK-së

Qeveria e Kosovës planifikon që brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti ta shesë Postën dhe Telekomin e Kosovës. Kjo parashihet edhe në marrëveshjen me FMN-në. Përpjekjet janë që kjo çështje të futet sa më shpejt edhe në Kuvend. Në saje të shitjes së shpejtë, janë bllokuar edhe të gjitha projektet kapitale të PTK-së.

Shitja e Postë-Telekomit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt. Ky është obligimi dhe interesi i Qeverisë së ardhshme. Privatizimi duhet të ndodhë brenda gjashtë muajve të këtij viti, në mënyrë që Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit t’i këtë mjetet nga shitja në buxhetin e saj.

Me konstituimin e Parlamentit, duhet të merret menjëherë vendimi për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Kështu ka marrë vesh Express, përmes burimeve të saj brenda Qeverisë. Këto burime kanë treguar se edhe ndërkombëtarët po bëjnë presion që kjo të ndodhë sa më shpejt.

“Duhet të përfundojë shitjen brenda gjashtë muajve, në mënyrë që mjetet nga privatizimi, t’i ketë në buxhetin e saj”, tregon burimi.


Shitja e PTK-së shihet si zgjidhje për mbulimin e deficitit buxhetor. Ndërkombëtarët kanë dhënë urdhër që privatizimi të ndodhë sa më shpejt, e cila gjë parashihet edhe në marrëveshjen e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Janë bërë katër muaj që ky projekt ka mbetur pezull, si shkak i prishjes së koalicionit qeverisës në vend. Po ashtu, Qeveria ka muaj që i ka bllokuar të gjitha investimet kapitale në këtë kompani. /Telegrafi/