LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria civile

Shoqëria civile

Shoqëria civile është një mundësi e gjerë për ta trajtuar, si në teori ashtu dhe në praktikë. Në çdo vend normal që kanë të ndërtuar institucionet me vlerat demokratike, vlen të theksohet roli dhe rëndësia e shoqërisë civile, shtrirja dhe mekanizmat e saj integrues brenda shtetit.

Shoqëria civile ndihmon në integrimin e shoqërisë në institucione dhe përmes mekanizmave të ndryshme alarmon diskriminimin si shkelje të të drejtave të njeriut dhe të qytetarit, thellon nevojën e bashkëpunimit dhe rolin e gruas në shoqëri, monitoron zgjedhjet përmes vëzhguesve të vet civilë, dhe sidomos angazhohet në përhapjen apo konsolidimin e demokracisë përmes politikave të posaçme që i praktikon shoqëria civile në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.


Nevoja për ngritjen e shoqërisë civile përbën sot thelbin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë në vend, pasi edhe veprimtaria e saj shtrihet në politikat e përmirësimit të kushteve të qytetarit. Shoqëria civile paraqet në njëfarë forme një pjesë të pushtetit, që gjeneron në vete nismat qytetare për mbrojtjen e të drejtave të qytetarit, artikulon revoltën e shoqërisë përmes vlerave demokratike, integron shoqërinë në vendimmarrjen e politikave të qeverisë për veprimtari të ndryshme shoqërore e politike. Konkretisht, shtrirja e veprimtarisë së shoqërisë civile në thelb gjeneron për të mirën e interesit publik, dhe ndryshe me mekanizmat e veta luan një rol të pashmangshëm në shoqëri, duke i ndihmuar projekteve dhe politikave shtetërore të vihen në bashkëpunim të aktiviteteve në sfera të ndryshme shoqërore.

Bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe pushtetit është e një rëndësie të veçantë, pasi kështu shoqëria në mënyrë të drejtpërdrejtë merr pjesë në aktivitetet politike të pushtetit, dhe krijon urë komunikimi me njëra-tjetrën duke i sistemuar aktivitetet e ndryshme në shërbim të interesit publik. Në çdo vend të botës së zhvilluar shoqëria civile zë vendin e saj të merituar në shoqëri, dhe shpeshherë politikat e interesit publik zhvillohen ose koordinohen nga mekanizmat e bashkërenditjes së përbashkët. Kjo bashkërenditje e përbashkët e punës dhe veprimtarisë mes shoqërisë civile dhe pushtetit paraqet kushtin bazë të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Pra, do të thotë se ky bashkëpunim plotëson kriteret e shtetit demokratik, ku nismat qytetare në njëfarë forme marrin pjesë në menaxhimin me sukses të punëve me interes publik.

Demokratizimi i shoqërisë dhe institucioneve është mundësia më e mirë e të jetuarit brenda një shtetit sipas parimeve dhe shtetit të së drejtës, pasi çdo politikë qeveritare kalon nëpër filtrat e shoqërisë, kështu duke e ndjekur për së afërmi zbatimin në praktikë të projekteve qeveritare. Shoqëria civile me mjetet që ia përcakton sistemi dhe demokracia, paraqesin dhe vëzhgojnë në thelb punën dhe projektet e qeverisë, duke i sistemuar, kritikuar dhe hapur udhë të reja për bashkëpunim të ndërsjellë, duke aluduar në përmirësimin e punëve qeveritare dhe në ngritjen e vetëdijes kolektive, të cilët shërbejnë kryekëput për të mirën e interesit publik.