LAJMI I FUNDIT:

Shfletimi i e-mailëve duhen të konsiderohet si orë pune

Shfletimi i e-mailëve duhen të konsiderohet si orë pune

Studiues anglezë kanë dalë në përfundimin se, dërgimi i e-mailëve për qëllime pune gjatë kohës që udhëton për në punë po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm, aq sa kjo kohë duhet konsideruar si pjesë e orarit të punës.

Qasja e gjerë në internet përmes lidhjeve Wi-Fi dhe përhapja e telefonave celularë e ka zgjatur ditën e punës, thuhet në studimin e Universitetit West of England, në Bristol.


Studimi ka shqyrtuar 5 mijë pasagjerë trenash në Londër, në një kohë kur lidhja wireless me internetin është bërë gjithnjë e më e përhapur.

“Jam një nënë shumë e ngarkuar dhe më duhet aq shumë kohë e lirë”, tha një udhëtare për studiuesit duke shkruar se “është shumë e rëndësishme, në ndërgjegjen time, që të mund t’ia dal mbanë të kryej punën në tren”, përcjell Telegrafi.

Studimi arriti në përfundimin se 54 për qind e udhëtarëve përdorin internetin wireless të trenave për të dërguar e-maile për qëllime pune. Të tjerë përdorin qasjen në internet përmes telefonave të tyre celularë po për këtë qëllim.

Disa prej udhëtarëve që niseshin për në punë u pikasën teksa dërgonin e-maile përpara nisjes së orarit zyrtar të punës, ndërkohë që të tjerë në kthim nga puna, shpesh dërgojnë e-maile për të përfunduar punën që mund ta kenë lënë pa përfunduar gjatë orarit zyrtar të punës.

“Është një periudhë kohe ‘e vdekur’, e cila më lejon të përfundoj punët e mia dhe nuk më detyron të punoj edhe mbrëmjeve nga shtëpia”, tha një udhëtar tjetër që udhëtonte nga Londra drejt Birminghamit.

Studimi shqyrtoi edhe ndikimin e lidhjeve falas wireless në disa prej këtyre linjave hekurudhore. Rezultati është se, me përmirësimin e qasjes në internet, kjo sillte për pasojë zgjatjen e orarit të punës, duke shfrytëzuar laptopët apo telefonat.

Për pasagjerët prindër, kjo kohë shihet edhe si “periudha e tranzicionit” kur ndryshohen rolet nga të qenit pjesë e familjes në përfshirjen në mjedisin e punës.

Por, gjetjet e studimit ngrejnë edhe pikëpyetje mbi balancën mes të punuarit dhe të jetuarit, nëse është apo jo e shëndetshme të zgjasësh ditën e punës, me njerëzit që gjithnjë e më shpesh u përgjigjen e-mailëve përtej orarit në zyrë. /Telegrafi/