LAJMI I FUNDIT:

Shevchenko shënon në fitoren e thellë të Ukrainës

Shevchenko shënon në fitoren e thellë të Ukrainës

Sulmuesi i rikthyer te Dinamo Kievi, Andriy Shevchenko, ka shënuar një gol në fitoren e thellë prej 5-0 të Ukrainës ndaj Andorrës, në kuadër të ndeshjes së grupit 6 kualifikuese për Botërorin 2010.

Ndeshja u karakterizua me tre gjuajtje nga penaltia, të tria për Ukrainën në pjesën e dytë të ndeshjes.

Ukrainasit avancuan dy herë që në pjesë të parë të ndeshjes. Pas 19 minutash Andriy Yarmolenko shënoi për t’i dhënë avantazhin vendasve, ndërsa rezultatin e dyfishoi Artem Milevsky në çastet e fundit të pjesës së parë.

Shevchenko gjeti golin në minutën e 73-të, duke shënuar nga penaltia. Edhe dy golat tjerë për vendasit erdhën nga penaltia dhe që të dyja në çastet e fundit të ndeshjes (Milevsky dhe Yevgen Seleznyov).


Nga ndeshjet tjera, Skocia ka mposhtur si vendas Maqedoninë me rezultat 2-0 në kuadër të grupit 9, derisa në grupin 5 Bosnja dhe Hercegovina po ashtu ka fituar me po të njëjtin rezultat në udhëtim te Armenia.

Në grupin e 4-të, Finlanda është rikthyer nga disavantazhi 1-0 për të shënuar dy gola në 15 minutat e fundit të ndeshjes dhe për të fituar me rezultat 2-1. Në po të njëjtin grup Rusia ka fituar me rezultat 3-0 në fushë vendore ndaj Lihtenshtajnit.