LAJMI I FUNDIT:

SHBA, rritja ekonomike në 5%

SHBA, rritja ekonomike në 5%

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë përfundimisht nga kriza, dhe janë gati të rimarrin rolin e lokomotivës globale.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara gjatë tre mujorit të tretë të vitit është rritur me 5 për qind. Një e dhënë e tillë është më e lartë se ajo e tre mujorit të mëparshëm në 3.9 për qind dhe shumë më lart parashikimit të analistëve. Rritja me 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tre mujorit të tretë të vitit, është edhe rritja më e madhe që prej 2003.

Shtëpia e Bardhë nënvizon faktin se ekonomia amerikane ka ecur me hapin më të shpejtë në 10 vitet e fundit dhe se 2014 ka qenë viti i kthesës. Gjithsesi mbeten ende shumë gjëra për të bërë në mënyrë që të gjithë amerikanët ta ndiejnë rritjen. Bursat duket se janë ato që gëzuan më shumë nga ky lajm. Wall street kaloi kështu kuotën e 18 mijë pikëve, për të parën herë në histori.


Dow Jones nga ana tjetër u rrit me 0.36 për qind, dhe që prej marsit 2009, në minimumin e saj historik, ajo është rritur me 178 për qind.

Standart & Poor`s gjithashtu u regjistrua në rritje me 0.18 për qind. Ekonomia amerikane për 2015 ofron kështu një panoramë më shumë se optimiste. Edhe sikur termat e rritjes të ishin më të ulëta se ato të tre mujorit të tretë të këtij viti, papunësia e ulët dhe rënia e çmimit të naftës do ta mbanin ekonominë e vendit në pozita favorizuese.

Por rritja e prodhimit të brendshëm bruto amerikan nuk është festuar vetëm në bursat amerikane, por edhe në ato europiane. Parisi dhe Milano janë rritur me më shumë se 1 për qind. E vetmja bursë e mbyllur në negativ ka qenë ajo e Athinës, në minus 1.69 për qind.

Efekte janë parë edhe në kursin e këmbimit valutor, me euron që zbret nën 1.22 dollarë dhe me naftën e New York në ngjitje me 3.30 për qind. /Telegrafi/