LAJMI I FUNDIT:

Shala kërkon angazhim të shtuar nga ATK dhe Doganat

Shala kërkon angazhim të shtuar nga ATK dhe Doganat

Në vazhdim të kontakteve për vlerësimin e shkallës së mobilizimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe të Doganave të Kosovës, ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, të martën ka vizituar zyrat rajonale të këtyre institucioneve në Pejë dhe në Mitrovicë, si edhe vendkalimin kufitar në Kullë.

Gjatë takimit me zyrtarët e këtyre institucioneve, Shala ua ka kërkuar për një angazhim të shtuar, për të siguruar sa ma shumë mjete për buxhetin shtetit.

“Nevojat sivjet do të jenë shumë më të mëdha, prandaj kërkohet edhe një mobilizim më i madh, me qëllim të shfrytëzimit të të gjitha potencialeve dhe burimeve për financimin e buxhetit. Sivjet kemi më shumë investime për ngritjen e standardit të punëtorëve, ndërkaq paratë nuk do të grumbullohen duke krijuar ngarkesa të reja fiskale, por duke shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme për sigurimin e tyre”, tha Shala gjatë takimit me menaxherë dhe inspektorë në Zyrën e ATK-së në Pejë.

Shala i bëri një vështrim të shkurtër edhe bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe ruajtjes së programit të arritur me këtë institucion, i cili për një periudhë të caktuar Kosovës i mundëson të shfrytëzoj 300 milionë euro.


“Ka kritika dhe këndvështrime skeptike rreth mundësisë që në të qëndrojmë edhe më tej në programin me FMN-në. Përmes tyre nënçmohet potenciali financiar, përkatësisht mundësia se Kosova është e qëndrueshme ekonomikisht. Ne, shumë shpejt sërish do të kemi bisedime me FMN-në, rreth buxhetit dhe qëndrueshmërisë së tij”, tha Shala në takimin që kishte në Mitrovicë. /Telegrafi/