LAJMI I FUNDIT:

Servantesi, ushtari dhe shkrimtari elitar

Servantesi, ushtari dhe shkrimtari elitar

Nga: Shpendi Topollaj

Kur lindi Migel de Servantes Savedra (Miguel Cervantes), ndofta më 29 shtator të vitit 1547, Spanja thuajse e kishte përfunduar hakmarrjen për të gjitha pushtimet që ia kishte rezervuar fati historik. Pasi Aragona u bashkua me Kastilien në vitin 1479, u krijua mbretëria e Spanjës dhe kur në vitin 1492 u mor edhe Granada – qyteti i fundit që mbanin arabët, -ajo jo vetëm u çlirua përfundimisht, por edhe nisi fushatat për t`u zgjeruar dhe, në këtë kontekst, së bashku me Portugalinë, çuditën botën me zbulimet e tyre të jashtëzakonshme.


Me Karlin e Pestë, Spanja u bë shtet dominues në Evropë. Veç duhet thënë se pas shpalljes së pavarësisë nga Holanda, u shkatërrua flota e saj që i qe drejtuar Anglisë më 1588, kurse në luftë me Francën, Spanja doli e humbur. I përmenda këto, për të theksuar dy momente: së pari, se nuk ka pse të çuditemi kur shohim se shkrimtari i madh u përfshi në ushtri e luftëra, ku edhe u plagos aq rëndë sa nuk e lëvizte dot njërin krah; dhe, e dyta, që vepra e tij qe aq e madhe sa jo vetëm nuk u mbulua nga lavdia e lundërtarëve të mëdhenj, por dhe pati jehonë si në Evropë, ashtu edhe në gjithë botën në shekujt që pasuan.

I lindur në qytetin e vogël Alkala de Enares, ai u pagëzua më 9 tetor të vitit 1547 në kishën Santa Maria.

Nga prindërit Rodrigo de Cervantes dhe Cortinas Leonor, lindën shtatë fëmijë, ku Migueli ishte i katërti. I ati ishte kirurg dhe shkonte me punë ngado nëpër Spanjë; shpesh në këto udhëtim e merrte edhe familjen me vete. Djali fillimisht ndoqi shkollat në Valladolid dhe Sevilia, kurse më pas në atë të Juan Lorez de Hoyos. Si u rrit, në moshën njëzetedyvjeçare vajti në Itali, pranë një fisniku, dhe pas një viti u fut në ushtri. Atë plagosjen që i kushtoi krahun e majtë dhe që ai tallej duke thënë se e humba dorën e majtë për lavdinë e së djathtës, e pësoi në luftë me ushtrinë turke në Lepant ku dhe u gradua “Ushtar Elitar”.

Nuk zuri mend nga belatë e luftës, ndaj me t`u shëruar u rreshtua sërish, së bashku me të vëllain Rodrigo, në nënrepartin e njëfarë Manuel Ponce de Leon. Ishte një mënyrë për të fituar ca para me pjesëmarrje në ushtri dhe në disa luftime. Por, më 26 shtator 1575, duke u kthyer për në Spanjë nga Napoli me anijen “Sol”, ata, pas një përleshje të përgjakshme, u kapën rob në brigjet e Marsejës nga shqiptari Arnaut Mami, i cili kryesonte një çetë pirate – pasi kish dezertuar nga flota turke ku kishte qenë admiral. Ndodhi që Servantesi të kishte me vete dy letra për mbretin e vet, ndaj kjo u kuptua se ai është një njëri i rëndësishëm. Robërit i shpunë në Algjer, ku Rodrigon e mori Ramadan Pasha, ndërsa Miguelin e bleu Mehmet Pasha për 500 eskudo ari. Dihet se piratët nuk kishin gjë me vëllezërit, por ishin të interesuar për fitimin që do të kishin, kur për lirimin e tyre të paguheshin. Dhe, ashtu vajti ajo punë; u pagua nga familja një shumë e madhe dhe ata u lanë të lirë; në fillim Rodrigo e pastaj Migueli, për të cilin mblodhën një shumë të mirë dy priftërinj të ardhur nga Spanja, të dërguar nga familja, që i përkisnin trinitetit të shenjtë. Vetë shkrimtari ishte përpjekur tri herë të arratisej, por nuk ia kishte dalë.

Si u kthye në vendin e vet, ai nuk iu nda ushtrisë, duke e parë atë si mundësinë e vetme për shlyerjen e borxheve. Ndaj, shkon në Portugali dhe merr pjesë në luftë. Nuk i lë mënjanë shkrimet, por edhe dashurinë, pasi me një zonjë në Lisbonë pati një vajzë me emrin Isabel. Por, kur vendosi të martohej, mori për grua Katalina Dona de Palacios Salazara, që ishte shumë më e re se ai dhe me të cilën pati dy fëmijë. I eci edhe për të gjetur punë dhe u sistemua si nëpunës për grumbullimin e grurit dhe vajit të ullirit për ushtrinë. Por, si pasojë e ca ngatërresave me materialet e një katedraleje në Sevilia, e pa nja dy herë edhe burgun – ku nuk dihet nëse është e vërtetë, në u mor me shkrimin e Don Kishotit. Vështirë të merret e vërtetë kjo, pasi nuk ishin aq të buta e humane burgjet e Spanjës në ato vite. Më 1595 fiton një konkurs letrar, ku i japin nja tre lugë argjendi, por vetëm kaq, pasi poezitë e tjera nuk patë ndonjë vëmendje.

Më tej shkroi disa libra si drama (tragjedi) “Numansia” (1585), romanin “Galatea” dhe histori gazmore të quajtura “Intermediot”. Në fakt, gjithmonë për të siguruar të ardhura për familjen, ai shkroi rreth tridhjetë drama, por jo se bënë ndonjë përshtypje. Kurse novelat i botoi në përmbledhjen “Novela moralizuese”. Të krahasuara me Don Kishotin, ato, kujtdo i duken si parathënie e një gjeniu që do të afirmohej te romani kushtuar hidalgos, që me mendësitë dhe sjelljen e tij ishte përfaqësuesi tipik i gjithë sistemit të dekompozuar feudal.

Ky roman në dy volume, pasi e punoi dhe e ripunoi për një kohë të gjatë, e pa dritën e botimit kur ai jetonte familjarisht në Madrid; pra, i pari në vitin 1605 dhe i dyti dhjetë vjet më pas, dhe që në vitin 1617 u botuan së bashku në një vëllim. Veç angazhimit në një vëllazëri fetare, dhe futjes së të shoqes në manastir, ai u bë dhe anëtar i një shoqate letrare me emrin “Academia Salvaje”. Mirëpo, duke qenë se asnjëherë nuk iu ndanë telashet, se nga mbiu një Alfoso Fernandes i cili shkroi para tij pjesën e dytë të Don Kishotit, duke thënë se ishte ai autori i të parës. Kjo po i ndodhte edhe Shekspirit në Angli, sikurse i ngjau edhe Shollohovit shumë më vonë. Por, si u botua pjesa e dytë nga Servantesi, gjithçka u sqarua për lexuesit të cilët u shtuan, pasi romani jo vetëm u përkthye në frëngjisht, por dhe u botua në disa qytete të rëndësishme.

Ma do mendja se “Don Kishoti i Mançës” është një nga romanet më të njohur në të gjithë botën. Pavarësisht ngatërresave në kohën kur ai jetoi, në Evropë ishin shpërndarë idetë e humanizmit të krishterë që kishin si teoricien një holandez, Erasmin e Roterdamit, sidomos pas botimit të librit të tij “Madhështia e marrëzisë” në vitin 1502, “Leksione” etj. Këtë erë të re që po frynte në Spanjë, zyrtarisht s`e para e kishin për zemër. Por, Servantesi e përkrahu fuqishëm atë, sidomos me krijimtarinë e tij. Kjo qe e para, por ai në këtë vepër, ku shkriu të gjithë talentin e  vet, u mor me një temë mjaft të mprehtë. Se, ishte koha e daljes nga terri mesjetar për të shkuar drejt një sistemi të ri të përparuar. Dhe, Servantesi dhe ca të tjerë si ai, ashtu sikurse edhe Shekspiri në Angli, mbyllën me sukses periudhën e Rilindjes që kishte nisur me Dante Aligerin qysh nga fundi i shekullit XIII. Qe një reagim ndaj asaj letërsie që më shumë dëmtonte me personazhe që kanë ngecur në vend dhe nuk japin asnjë lloj perspektive. Kurse, si mjet artistik, nga ana e këtij autori u zgjodh satira, pra ajo ku qortohen rreptë dukuritë e gabuara dhe ato ai edhe i përqesh.

Tre janë personazhet që të mbeten në mend: Don Kishoti, shqytari i tij Sanço Pança dhe e vluara e zemrës së hidalgos aventurier, Dylqinja e Tobozës, duke shtuar edhe një të katërt, kalin gërdallë Rosinantin. Pak janë këta, por sa ngjarje përballojnë, sa dështime në qëllimin e tyre të mirë, gjithmonë për të ndihmuar të tjerët, ata që kanë rënë në hall e janë në vështirësi, dhe pastaj … sa mesazhe.

Kalorësit të rënë nga vakti, i lind një ide e madhe dhe niset ta vërë në zbatim. Nuk ka ndonjë plan të mirëfilltë, por atij sikur i dalin vetë përpara fenomenet me të cilat i duhet të ndeshet. Tani ai vesh pancirin, vë helmetën, merr heshtën e mburojën dhe pasi e nxjerr nga hauri kalin e tij kockë e lëkurë, merr një fshatar rondokop që i ka premtuar se do ta emërojë guvernator të një ishulli dhe … o burra! Po ku shkon? As vetë nuk e di. Po ç`rëndësi ka kjo, kur bota është e mbushur me padrejtësi. Ai, si trim që ishte, do ta luftonte të keqen dhe do t`i bënte zap të liqtë. Pastaj, ç`i duhet atij nëse e keqja ka formën e mullinjve të erës a shakujve të verës. Lufton ndershmërisht me ta, sa e çudit edhe Sançon vetë dhe krenohet në heshtje para të dashurës së tij gjysmëbudallaqe. Rrugës takon Kalorësin e Fytyrës së vrerosur apo të Hënës së Bardhë, u jep një mësim atyre dhe vazhdon… por një dreq e di se ku shkon. Ose më mirë, shkon drejt vdekjes së tij. Por, tani, i bërë pishman nga gjithë kjo lodhje e ky strapacim i kotë. Aq sa me të drejtë i vendosin si epitaf, atë strofën që u bë mësim për të gjithë: Këtu dergjet Don Kishoti, / ish i fort` e ish i zoti, / Botën prapa desh ta kthente / Dhe me ushtën ta mbërthente. Ama, i bëri gjithë njerëzimit të çdo epoke një të mirë të madhe: i la peshqesh termin “Donkishotizëm”.

E, çfarë përkthimi, po kaq gjenial që i bën kësaj kryevepre Fan Noli ynë, i cili Don kishotin e ka quajtur subjektivisht (pra për vete), tragjik, kurse objektivisht (për ata që e shohin), komik. Ndofta Noli ka dashur t`i lajë dhe detyrimin që ne shqiptarët i kemi, për proçkën që bëri ndaj tij i paudhi Arnaut Mami! Nuk besoj se ka në gjithë historinë e letërsisë një personazh më tragjikomik se Don Kishoti. Një personazh, që ai vetë do kishte dashur ta quanim, një hero, që aq sa i dhimbseshin të tjerët, t`i dhimbset edhe ai atyre. Se me lotët e Sanço Pançës, na bëhet të bashkohemi edhe ne. Por, jo për atë të fantaksurin që u pendua vonë, por për veten tonë si shoqëri, që gjithmonë besojmë dhe ëndërrojmë se e keqja do të zhduket përfundimisht dhe lumturia do të mbizotërojë, ashtu sikurse besonte edhe autori i këtij romani se do vijë “koha e artë kur njerëzit do të jetojmë të barabartë e të lumtur”.

Vetë, ky shkrimtar gjenial u shua në 22 prill të vitit 1616 në Madrid dhe u varros në një manastir françeskanësh, me të cilët qe bashkuar vitet e fundit të jetës. Kishte vdekur në një ditë me Shekspirin, ai që e përjetësoi hidalgon e shkretë, ai “Ushtari Elitar” i dikurshëm, që ka merituar njëzëri edhe titullin më të lartë të “Shkrimtarit Elitar”.