LAJMI I FUNDIT:

Serbia ia faturon Kosovës 15 milionë euro

Serbia ia faturon Kosovës 15 milionë euro

Mosrespektimi i Traktatit për Energji për Evropë Juglindore nga ana e Serbisë po i shkakton humbje të mëdha Kosovës. Kontesti i pazgjidhur në mes Serbisë dhe Kosovës për linjat e transmisionit, i cili po zvarritet në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.

Kjo po i kushton Kosovës 15 milionë euro në vit, mjete këto që po i merr Serbia, e cila ka arritur të prezantohet si pronare e aseteve të transmisionit në Kosovë.

“Operatori i Transmisionit të Serbisë, duke u paraqitur si pronare e aseteve transmetuese në Kosovë, përfiton nga transiti i energjisë elektrike nëpër Kosovë, si dhe nga shitja e të drejtës së shfrytëzimit të linjave interkonektive, alkoimi i kapaciteteve, që do të thotë duke ndarë kapacitetet edhe për linjat tona të interkoneksionit me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë tregtarëve të energjisë elektrike pa autorizim nga KOSTT-i”, tha Zana Bajrami, zëdhënëse e KOSTT-it për Kosova Sot.

Sipas saj, Operatori i Serbisë e konsideron importin e energjisë për Kosovë si import për konsumatorët e vet dhe tregtarët e energjisë elektrike janë të detyruar që të paguajnë TVSH në Serbi, vlerë kjo e cila përfshihet në çmimin e importit në Kosovë.


Në këtë mënyrë shkaktohet dëm për konsumatorët në shumë 7 deri në 10 milionë euro në vit, pa përfshirë këtu 19 për qind tatimin për TVSH sa paguhet në Serbi. /Telegrafi/