LAJMI I FUNDIT:

Schumacher mund ta zëvendësojë Massan

Schumacher mund ta zëvendësojë Massan

Shtatëherë kampioni i botës në Formula 1 dhe këshilltari aktual i Ferrarit, Michael Schumacher, mund ta lë anash pensionin dhe të kthehet për ta zëvendësuar të lënduarin Felipe Massa që nga gara për Çmimin e Madh të Evropës që do të mbahet në Valencia muajin që vjen.

Piloti brazilian Felipe Massa të shtunën pësoi një aksident gjatë provave zyrtare për Çmimin e Madh të Hungarisë dhe aktualisht është duke u trajtuar në Budapest, pas një ndërhyrje kirurgjike si pasojë e frakturave në kokë.

Sipas parashikimeve, Massa nuk do të jetë në gjendje ta vazhdojë Kampionatin e sivjetmë të Formula 1, kështu që Ferrari është në kërkim të një zëvendësuesi për pjesën e mbetur të sezonit.

Të martën, zëdhënësja e legjendës gjermane Michael Schumacher ka nxitur spekulime dhe shpresë se Schumacher mund ta drejtojë sërish bolidin e kuq.


“Gjithçka do të analizohet nga Ferrari. Nëse ata kërkojnë nga Michael (që ta zëvendësojë Massan), ai do të mendojë për këtë gjë”.

“Në rastet tjera do të thosha se ai nuk është i interesuar, sepse ai po ia kalon mirë me jetën e tij dhe nuk u mungon asgjë, mirëpo tani është një situatë ndryshe”, ka thënë zëdhënësja e tij për BBC.

Nga ana tjetër, menaxheri i Schumacher, Willi Weber, ka mohuar çdo mundësi që gjermani të mund të pilotojë sërish.

Emri tjetër që qarkullon për ta zëvendësuar të lënduarin Felipe Massa, është piloti i Renaultit, Fernando Alonso, për të cilin edhe ashtu spekulohet se do t’i bashkëngjitet Ferrarit në vitin 2010.