LAJMI I FUNDIT:

SBASHK sërish kërcënon Qeverinë me greva

SBASHK sërish kërcënon Qeverinë me greva

Greva e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës për muajin prill, varet krejt nga realizimi i 0.5 për qind prej Qeverisë së Kosovës. SBASHK këmbëngul se Qeveria i ka mjetet dhe ato mund të realizohen për çdo vit shërbimi.

SBASHK kërkon që kjo të bëhet qysh në muajin mars, përndryshe siç edhe thuhet në një komunikatë të dërguar në muajin prill do të ketë greva.

Në këtë komunikatë thuhet se kryesia e SBASHK-ut vazhdimisht nuk ka lënë mundësi pa shfrytëzuar e derë pa hapur në zhvillim të takimeve e dialogut me qeveritarët, por që deri më tani thuhet se nuk ka pasur rezultate. “Në këto takime SBASHK-u ka përsëritur se Qeveria duhet të implementojë 0.5 për qind për çdo vit shërbimi në listat e pagave të muajit mars se në të kundërtën Kryetari , kryesia dhe Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të jenë të obliguar të veprojnë sipas kërkesës të mësimdhënësve të Kosovës e ajo kërkesë është e qartë dhe nëse Qeveria nuk fillon me implementimin me pagën e muajit mars edhe të 0.5 për qind për vitet e shërbimit, atëherë do të shkohet në grevë të përgjithshme, e cila do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave”, thuhet në komunikatë.


Për t’i dhënë hapësirë dialogut kryesia e SBASHK –ut, thuhet se ka dërguar kërkesë për takim edhe me ministrin Arban Abrashi por, ky i fundit as që i është përgjigjur sindikatës.

“SBASHK-u është në pritje të këtij takimi e që ka qëllim që të bisedohet rreth situatës aktuale dhe realitetit në Arsimin Parauniversitar të Kosovës dhe që përmes z. Abrashit të informohej me atmosferën aktuale nëpër shkollat tona edhe Kryeministri Mustafa. Ministri Abrashi nuk i është përgjigjur kërkesës së SBASHK-ut për takim e dialog”, thuhet në komunikatën e dërguar nga SBASHK.  /Telegrafi/