LAJMI I FUNDIT:

Samsungut i bien fitimet

Samsungut i bien fitimet

Të dhënat e tre mujorit të fundit të vitit 2014 tregojnë një rënie të fitimit me 37.4 për qind për Samsung Electronics. Zyrtarët e kompanisë theksojnë se kjo është rënia e parë në fitimet vjetore që prej vitit 2011. Këto shifra konfirmojnë faktin se gjigandi koreano jugor i celularëve është duke hasur vështirësi të mëdha në mbajtjen e kurorës si lideri botëror në këtë sektor.

Gjatë vitit, kompania humbi kuota në tregun e celularëve për tre tremujorë me radhë. Analistët shprehen se diçka e tillë ka ardhur kryesisht falë rivalëve të Apple, të cilët u prezantuan në treg me dy modelet e reja të Iphone, si dhe atyre kinez të Xiaomi. Gjithsesi, kompania deklaron, se fitimet e saj në tre mujorin e fundit të vitit që sapo lamë pas, janë regjistruar në 4.74 miliardë dollarë, pak më shumë se pritshmëritë e analistëve.

Një panoramë e tillë tregon se fitimet vjetore të Samsung Electronics për vitin 2014 do të jenë në rreth 22.7 miliardë dollarë, që përkthehet në nivelin më të ulët që prej vitit 2011. Ndërkohë që në vitin 2013, në kulmin e saj, divizioni celularëve të Samsung, përbënte 68 për qind të fitimeve të kompanisë, në tre mujorin e tretë të vitit 2014, ajo përbënte vetëm 44 për qind të saj.


Edhe pse me përmirësime të dukshme gjatë 3 mujorit të fundit të 2014, divizioni i celularëve ka shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë vitit të shkuar, krahasuar me vitin paraardhës. Analistët shprehen se kompnaia tashmë do të fokusohet në smartphonet e mesëm dhe ata të vegjël për të siguruar kuotat e humbura në treg.

Ata nënvizojnë gjithashtu faktin se pritshmëritë për vitin 2015 janë në të njëjtat nivele me ato të vitit 2014, duke theksuar kështu që me shumë gjasa ky vit do të shënojë të dytin me radhë që Samsung Electronics regjistron rënie të fitimeve. /Telegrafi/