LAJMI I FUNDIT:

Samiti i Stambollit dhe rreziku në Lindje të Mesme

Samiti i Stambollit dhe rreziku në Lindje të Mesme

Grusht shteti i dështuar në Shqipëri vuri nën hije ngjarjen më të rëndësishme në politikën ndërkombëtare të ditëve të fundit – dialogun ndërmjet Iranit dhe Perëndimit që u mbajt dy ditë më parë në Stamboll të Turqisë. Samiti i Stambollit ishte vetëm një shkas për elaborimet e problemeve në Lindje të Mesme.

Lëvizjet e fundit të politikave në Lindje të Mesme po nxjerrin në sipërfaqe numra dhe emra të rinj. Bisedimet ndërmjet Iranit dhe 5 anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së (SHBA, Britani e Madhe, Franca, Kina dhe Rusia + Gjermania) në Stamboll, dhanë të kuptohet se në atë pjesë të botës shumëçka po ndryshon. Në tryezë, ballë iranianëve, ishte ulur Catherine Ashton, e cila udhëhiqte delegacionin e Pesëshes së shteteve më të forta të botës. Turqia, e cila më parë së bashku me Brazilin kishte negociuar ndërmjet Iranit dhe Perëndimit për transferimin e materialeve bërthamore, kësaj radhe, si nikoqire, pati rol, ashtu siç edhe kishte dëshiruar, vetëm neutral.


Për dallim nga Koreja Veriore, e cila kryesisht punon për ta mbijetuar regjimin, Irani, më shumë se kaq, po punon që bisedimet me perëndimorët të zgjasin sa më shumë. Lajmi se amerikanët sivjet do të tërhiqen nga Iraku, ka nxitur edhe më shumë ambiciet dominuese të iranianëve për Gadishullin Arabik. Nga ana tjetër, të pangopur për luks, arabët çmendurisht janë zhytur në ndërtime marramendëse. Ndërtesat e larta dhe tepër të shtrenjta u bënë tipar i vendeve arabe të Gadishullit. Arabia Saudite, bastioni i rrymës politike islame vehabite-selefiste, ka filluar të ndjejë pasojat e një harxhimi që pikërisht feja islame e ndalon. Edhe pse disa herë përgjatë ditës në namazet e tyre mund të lexojnë versetin kuranor “la tusrifu” (lexo: mos harxhoni pa nevojë) shtetet arabe harxhojnë më së shumti në botë. Ata po kërkojnë nga SHBA-të që t’i ruajnë nga ndonjë befasi iraniane, jo për shkak të armëve bërthamore, por për arsye të ndryshimit të balancës së forcës në rrafshin konvencional. Sauditët tani janë të vetëdijshëm se kanë humbur ndikimin e dikurshëm politik dhe fetar: në skenë janë Irani dhe Turqia.

Irakianët sot kanë një qeveri e cila është e pavarur vetëm në letër. Kthimin i Muqkteda Sadrit, militantit shiit nga Basra, në kohën kur po fillon tërheqja e forcave amerikane, Bagdadi zyrtar e sheh si një vazhdimësi presioni iranian. Nëse ndodh tërheqja, ka frikë se Iraku do të bëhet satelit iranian, gjë që, edhe nëse vetëm psikikisht, kufijtë e Iranit do të puqen me ato të Saudisë. Nëse iranianët e dinë se kush ka financuar Saddam Huseinin për ta luftuar regjimin e Homeinit, atëherë është shumë lehtë të arsyetohet “lutja” saudite që ia bëjnë amerikanëve për t’i mbrojtur nga Irani. Sauditët, sipas të gjitha gjasave, do të duhet të mësohen t’i përshtaten komshillëkut me Iranin.

Bllokadat ekonomike, gjithashtu ishin metodë për dobësimin e Iranit. Megjithatë, embargoja nuk u tregua gjithaq efikase. Nëpërmes veriu të vendit, Irani lidhet me zonat e interesave ruse, e nga andej nafta dhe gazi shpesh herë kishin arritur deri në Kinë. Takimi i Stambollit dha të kuptohet se nafta e Gjirit Persik nuk dëshirohet të vihet në rrezik. Për dallim nga SHBA-të, evropianët kanë frikë se do të detyrohen t’iu nënshtrohen kushteve të Rusisë e cila mezi pret shpërthime që t’i ngrejë çmimet e gazit dhe të naftës. Kinezët gjithashtu nuk mund të ndjehen komod ndaj presioneve amerikane. Vizita e fundit e Hu Jintaos në Uashington për nder të të cilit Zonja e Parë e Amerikës kishte veshur fustan të kuq, ngjyrë e cila sipas kinezëve sjell fat, jep të kuptohet se SHBA-të dëshirojnë marrëdhënie të mira me kinezët, ndërsa këta të fundit po dëshirojnë pjesën e tyre të tortës arabe. Nuk është e çuditshme të thuhet se kinezët po dëshirojnë dobësimin e ndikimit amerikan në rajon. Dobësimi i tyre do tu ndihmonte kinezëve edhe në konkurrenca të tjera me amerikanët nëpër botë.

Turqia u ndie mirë si nikoqire dhe palë neutrale e Samitit të Stambollit. Turqit e dinë mirë si kanë humbur para 100 vjetëve, andaj, gjërave po u afrohen të matur. Turqia e Ataturkut, strategut i cili pa marrë parasysh konspiracionet e ndryshme, po luan një rol të rëndësishëm edhe në procesin e demokratizimit të botës islame, sidomos të shteteve arabe. Shumë shtete tjera arabe janë shoqëri heterogjene. Politika turke, për dallim nga ta, është politikë institucionale. Në tokat arabe feja instrumentalizohet tejet mase, ndërsa në Turqi ky problem është temë e së kaluarës politike të saj. Turqia, më tepër se cilido shtet tjetër islam, është hapur ka horizontet e së ardhmes. Të katandisur në ngatërresa mes vete, shtetet arabe, si asnjëherë më parë kanë nevojë për Turqinë moderne. Ankaraja zyrtare po punon të jetë energji pozitive, veçanërisht për rajonin e Lindjes së Mesme. Më tepër se dëshiron t’i afrojë iranianët me amerikanët, Turqia po mundohet që këtë ta bëjë në favor të raporteve iraniane-saudite. Për Turqinë, nivelimi i forcave, përveç që ka anën e saj pozitive për paqe, ajo do të përfitonte prioritet force në Lindje të Mesme.

Krahasuar me presidentin problematik të Iranit, i cili foltoren e Kombeve të Bashkuara e kishte shfrytëzuar për të thënë se është në pritje të “Mehdiut shpëtimtar” i cili do të shpëtonte ymmetin nga të pafetë, kryeministri turk Taip Erdogan shpeshherë ka thënë se shpëtimi i Lindjes së Mesme, por edhe i botës, është pikërisht bashkëjetesa ndërmjet popujve.

Arabët i frikohen ekspansionit persian në rajon. Ata s’kanë forcë t’u qëndrojnë në ballë iranianëve. Iranianët, nëpërmes ekspansionit dëshirojnë të kontrollojnë naftën dhe të instrumentalizojnë ideologjinë shiite. Turqit nuk dëshirojnë që asnjëra palë të jetë e fortë deri në atë masë sa nevoja për Turqinë të zbehej në Lindje të Mesme.

Turqia po ballafaqohet me çmimin e fuqisë së saj në rajon. Ajo ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe, për dallim nga Irani dhe Iraku, ajo ende lobon për njohje të reja, sidomos në shtetet arabe.

(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory”)

Në trend

Më shumë
E mposhti, por meçi me Furyn e ka lënë me pasoja të rënda Usykun

E mposhti, por meçi me Furyn e ka lënë me pasoja të rënda Usykun

Boks
U cilësua si “meçi i shekullit”: Nga sa para fituan Fury dhe Usyk nga kjo përballje?

U cilësua si “meçi i shekullit”: Nga sa para fituan Fury dhe Usyk nga kjo përballje?

Boks
E mposhti Furyn me spektakël, por Usykut do t’i hiqet titulli kampion i peshave të rënda në boks

E mposhti Furyn me spektakël, por Usykut do t’i hiqet titulli kampion i peshave të rënda në boks

Boks
Kloppi gati sa nuk shpërtheu në lot me gjestin fantastik të lojtarëve të Liverpoolit

Kloppi gati sa nuk shpërtheu në lot me gjestin fantastik të lojtarëve të Liverpoolit

Premier League
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Shkarkohet kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës

Shkarkohet kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës

Lajme
Kalo në kategori