LAJMI I FUNDIT:

Sakrifica për liri si vlerë universale

1. Beteja që u zhvillua në Prekaz e prirë nga Adem, Hamzë e Shaban Jashari prej 5-7 marsit të vitit 1998 dhe e cila përfundoi me një vetësakrificë të vetëdijshme të një familjeje të tërë, ishte fillimi i një periudhe të re për kombin shqiptar në fund të shekullit të kaluar. Ishte ndër ato rastet klasike kur një rënie aq e madhe, shënon një ngritje po aq dramatike. Kur një vdekje aq madhështore, lind një epokë të re, rilind një popull të tërë. Historia e re e popullit shqiptar, e përpjekjeve të tij për liri dhe e luftës çlirimtare në Kosovë të udhëhequr nga UÇK nuk mund të kuptohen pa këtë rënie, pa këtë sakrificë, pa këtë betejë.

Kjo ngjarje e ndan epokën e robërisë me atë të lirisë, e ndan atë të nënshtrimit me të krenarisë, e ndan atë të një politike të turpshme bashkëjetueseje të pakuptimtë paqësore me pushtuesin me atë të politikës së luftës çlirimtare. Dhe e vërteta është se në historinë e njerëzimit, vetëm ngjarje dhe veprime të tilla dramatike e radikale i ndajnë epokat, krijojnë kushte për ndryshime rrënjësore të kursit të historisë, lindin epoka të reja. Adem Jashari, ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe vendosi që përmes një sakrifice të vetëdijshme të fillonte një fletë të re të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Dhe që nga viti 1998 Adem Jashari dhe familja e tij janë simbol i Kosovës, i popullit shqiptar dhe i lirisë së tyre. Sakrifica e tyre për liri është një vlerë e patejkalueshme e kombit, është një vlerë që shqiptarët i bën unik, së paku në Evropë.


2. Adem Jashari me gjithë familje u shua për liri në fund të shekullit të 20 në Evropë. E liria është një prej vlerave universale më të pranuara në botë. Liria si një vlerë universale duhet të jetë pronë e çdo njeriu dhe e çdo populli. Sidoqoftë Evropa krenohet se kësaj vlere i ka dhënë edhe karakterin filozofik e praktik përmes zbatimit të sistemit demokratik në jetën politike. Për aq sa Evropa krenohet sesi e trajton lirinë, ajo edhe duhet të turpërohet se me shumë se në çdo kontinent tjetër, ka qenë trualli ku liria është shkelur, e nga ku janë shkelur popuj të tjerë. Të kujtojmë vetëm faktin se në Evropë filluan dy luftërat botërore, të cilat përveç që njerëzimit i kushtuan me miliona jetëra njerëzish, më shumë se çdo gjë tjetër goditën mu konceptin e lirisë.

Kulmi i goditjes erdhi nga lindja dhe fuqizimi i fashizmit në Evropë, që bëri përpjekje për të shkërmoqur lirinë individuale dhe atë kolektive, që kulmojë me Holokaustin. Kjo periudhë e ka bërë Evropën të skuqet dhe nuk është çudi që edhe sot e kësaj dite, në diskursin politik, medial e intelektual evropian, liria është ndër konceptet dhe vlerat më të përmendura. Por Evropa në fund të shekullit 20, në truallin vetë ende toleronte regjime që shkelnin lirinë e njerëzve dhe të popujve. Dhe Evropa për interesa të veta vazhdonte të koketonte me këtë regjim në kurriz të një populli të tërë që jetonte në kushte të një aparteidi klasik. Po, po, në Evropën e vitit 1998 kishte ende regjime aparteidi. E u desh një sakrificë e madhe për liri, që ky regjim të fillonte të binte, që Evropa të fillonte të përmendej. Kështu Adem Jashari me familje, i shtuan konceptit të lirisë një vlerë të pandodhur me vite e dekada në truallin evropian: atë të vetësakrificës vetanake dhe familjare për lirinë. Dhe ndodhte kjo në Evropën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Dhe ndodhte kjo në fund të shekullit 20.

3. Sido që kjo sakrificë e ka ndërruar kursin e historisë sonë kombëtare, dhe vazhdon ende të entuziazmojë të gjithë njerëzit liridashës në botë, krijohet përshtypja, se ne si shoqëri, nuk kemi arritur ende këtë sakrificë për liri që në thelb është një vlerë universale, ta shndërrojmë në një vlerë të pranuar universale. Përderisa kjo sakrificë ka luajtur një rol të madh në historinë tonë të re, ka ardhur koha, që vlerën e saj të mos e mbajmë të mbyllur në guacën tonë, duke i dhënë shpeshherë tone të panevojshme folklorike e romantike, por të punojmë seriozisht ta shndërrojmë në një vlerë universale, në një pronë të tërë njerëzimit. Dhe nuk ka truall më të përshtatshëm se Evropa ku fillimisht duhet të hidhet kjo fare për t’u shpërndarë më pas në tërë botën, tek tërë njerëzit që e duan lirinë e demokracinë. E erërat e lirisë siç po e shohim kohëve të fundit po fryjnë në të katër anët e globit, duke dëshmuar universalitetin e konceptit të lirisë. Por duhet ta rikujtojmë se asnjë vlerë e madhe universale nuk është ngjitur në maja të tilla të larta, nëse do të kishte mbetur vetëm në suaza kombëtare.

Platoni e Aristoteli nuk janë të mëdhenj vetëm pse ishin grekë, por mbi të gjitha pse janë pronë e njerëzimit. Për Da Vinçin e Mikelangjelon nuk krenohen vetëm italianët, por tërë adhuruesit e artit e shkencës në botë. Hygoi e Balzaku, Gëteja, Moxarti e Betoveni duke qenë vlera kombëtare së pari, janë bërë të pavdekshëm sepse janë shndërruar në vlera të njerëzimit. Lufta e Skënderbeut, duke i vendosur themelet për krijimin e kombit modern shqiptar, njëkohësisht mori karakter edhe universal, sepse fuqishëm ishte e ndërlidhur edhe me lirinë e një kontinenti të tërë. Në fund të fundit edhe Ismail Kadare është një shkrimtar i madh, jo vetëm pse i takon letërsisë shqipe, por edhe sepse i ka tejkaluar kufijtë e saj. Sakrifica e Adem Jasharit me familje i ka të gjitha elementet, që duke qenë një vlerë kombëtare e patejkalueshme, të shndërrohet në një vlerë të njohur universale. Sakrifica e Jasharëve për liri në Evropë, në fund të shekullit të 20, duhet patjetër të bëhet pronë edhe e Evropës (që të skuqet dhe krenohet njëkohësisht) dhe e tërë njerëzimit. I takon këtij brezi që të gjej rrugët si ta bëj këtë, duke respektuar kështu brezat që ranë për liri, por edhe duke u lënë brezave që vijnë vlera me të cilat mund të krenohen.

(Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim)