LAJMI I FUNDIT:

RTK-ja, bahçja e babës!

Qysh u bë që përherë të parë pas shume vitesh Komisioni për Media i Kuvendit të Kosovës ta vlerësoj pozitivisht punën e RTK-së, çfarë ndryshoj në punën, cilësinë e programit, menaxhimit që ky komision të vije deri tek një vendim i tillë. Këtij lajmi të mirë ju gëzua edhe RTK- ja. Mediumi i quajtur publik solli një raport televiziv më 19 prill kushtuar kësaj ngjarje se Komisioni i Parlamentit për Media “paska vlerësuar pozitivisht” performacën e RTK-së si në aspektin e pavarësisë editoriale, po ashtu edhe në pasurimin e skemës programore të RTK-së. Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së, kërkuan procedimin e ligjit të RTK-së dhe nëpërmjet tij zgjidhjen e çështjes së financimit për mediumin publik.

Tregimi nis si zakonisht duke treguar pamjen e objektit, zoom out, që po duket se RTK po hapet nga brenda për të treguar fytyrën e vet. Por këtu publiku ja sheh fytyrën mediumit, një ndërtesë nga koha e ish-Jugosllavisë, na përkujton hyrjen e forcave serbe për ta pushtuar RTP-në dhe mbylljen e saj. Kjo pamje na përkujton “themelimin e RTK-së, nga e para, zhbllokimi i studiove, meremetimin e tyre, më pas vjedhjen e pajisjeve dhe tash së fundi kur e shikojmë objektin, na bie ndërmend çështja e pronës e këtij mediumi të pa definuar…! Çështja e pa definuar e pronës i bie sikur të ndërtosh shtëpi në tokë të huaj! E si mund të jesh i lumtur.. kur jeton në prone “të huaj”? Këtu vazhdo e keqja, e si mund të zgjidhet “nyja gordiane” pse nuk kemi investim në RTK, etj


Në raport thuhet se “tani ka një qasje më të balancuar të RTK-së ndaj fenomeneve shoqërore, thotë anëtari i këtij komisioni, Eqrem Kryeziu. Sipas këtij komisioni të parlamentit, RTK është pasuruar me program, se ka patur lëvizje….aty thuhet se “ka patur përparime, e këto janë vërejtur në informim, por mungojnë edhe disa qasje nga komuna tjera përveç kryeqytetit”, (shprehet anëtarja e komisionit nga PDK). Kryetari i Bordit të RTK-së, z. Rrahman Paçarizi thotë se duhet të procedohet ligji i RTK-së. Në Kuvend dhe përmes tij të bëhet zgjidhja e financimit për mediumin publik, i cili deri tani nuk kishte një financim të qëndrueshëm dhe duke mos e patur këtë pavarësi financiare nuk mund të mbrohet as pavarësia e mediumit.

Ndërsa Sulejman Shaqiri drejtori gjeneral ka potencuar se duhet të normalizohen marrëdhëniet e RTK-së me KPM-në. Këtu po shihet plaga e vjetër, RTK-ja akoma ka marrëdhënie të tensionuara me KPM-në, dhe sikur kjo e fundit ja prish rehatin mediumit publik, ja kontrollon financimin nga reklamat. Sulejman Shaqiri në prononcimin e tij për lajmet e RTK-së tha se RTK-ja vitin e kaluar ka marrë 10 milionë euro nga buxheti, por nuk tregoi se sa ka patur të hyra nga reklamat. E njëjta dilemë kishte ekzistuar viteve kur ishte drejtor gjeneral Agim Zatriqi. Ky tregim duket i vjetër dhe veç përsëritet, vit pas viti.

Nëse vërtet ka synime që RTK-ja të bëhet radio televizion publik i qëndrueshëm, duhet ta zgjedh çështjen e financimit më ndryshe, për këtë kam shkruar shpesh, madje edhe e kam tepruar duke dhanë ide! Dhe siç është bërë traditë kohëve të fundit, sillet në rend të ditës, ndryshimi i ligjit të RTK-së, i cili pa pasurimin e tij me klauzola sa i përket menaxhimit, të drejtës së autorit, krijimit të një kanali informativ në kuadër të RTK-ë, nuk është ide e keqe, por duhet llogaritur koston e tij. Në një masë, me këtë qasje, me një ndryshim të ligjit, pa ndryshim bazik menaxherial dhe programor udhëheqës, RTK nuk ka rrugëdalje nga tuneli ku ka hyrë. Duhet të thënë se këtë ligj që ka aktualisht RTK- ja e ka diku 90 ose 100% të njëjtë edhe RTS-ja serbe, por ky medium publik serb i ka punët shumë më mirë, sepse në rast se drejtorët përfshihen në korrupsion, aty ka llogaridhënie, ka arrestime etj.

Disa ndryshime ka patur deri tani: Të fillojmë me Bordin e RTK-së. Ky bord, në dallim nga ai i më përparshmi është shumë më profesional, por nuk ka patur ndërrim të kuadrove udhëheqëse. Drejtori gjeneral, menaxhmenti janë struktura të vjetra që nuk kanë dhënë rezultate pozitive, deri tani. RTK-së i duhen menaxher të zot, profesionist, ndonjë doktor shkence nga fusha e ekonomisë, nga ndonjë universitet Evropën Perëndimore, po kështu të njëjtit i duhen edhe për ta ngritur cilësinë e programit…! E sa i përket menaxhmentit, RTK-ja duhet ta ketë sektorin aty më të gjerë, dy a tre veta që marrin vesh në menaxhment të financave, që t’i bëjnë mirë llogaritë. Harxhimet e RTK-së duhet të arsyetohen. Gjithë ajo para jepet për lloj-lloj emisioni pa kritere profesionale e nuk ka fare investim ne gazetari të mirëfilltë në filmin dokumentar. RTK- ja nuk ka as idenë për hulumtime shkencore, nuk ndan asnjë cent për këtë sektor, siç e bënë këtë radio televizioni publik në Gjermani, edhe kjo është brengosëse.

RTK është Radio televizioni publik më i varfëri në rajon, ky medium nuk bënë shkëmbim informacionesh me korrespondent nga qendra të Evropës, nuk paguan honorarë për bashkëpunëtorët, nuk zbaton të drejtën e autorit dhe nuk i kushton asnjë vëmendje investimeve në sektorin e kapitalit human etj etj.

Më 20 prill 2011 RTK në programin e mëngjesit pata rastin ta përcjell një kronikë për operacionet e bukurisë që sipas mesazhit të gazetares gjithë VIP-at po e bëjnë nga një operacion të tillë. I gjithë tregimi këtu doli të jetë PR- Reklamë për atë doktoreshën që u prononcua, apo punëtorin e saj. Nga ky raportim mua më rezulton se për këtë “storie” ka patur aranzhim dhe korruptim me gazetarin apo të shefit aty që e kanë sjell këtë kronikë në RTK. Me këtë qasje RTK bie nën nivelin e televizioneve lokale private, gjersa njerëzit tanë ballafaqohen me kushte elementare për jetë, mediumi publik ka kohë të merret edhe me tema te tilla!!! Kaq!

Udhëheqësit e mediumit publik duhet të kenë qasje më të qartë se çfarë do të thotë medium publik e çfarë komercial. Ky është diskursi më i madh, sepse kuadrot që udhëheqin nuk kanë koncept, nuk din ta jetësojnë konceptin e platformës së Radio televizionit publik. E nganjëherë sikur nuk dinë çka të bëjnë me gjithë këtë licencë dhe me gjitha këto miliona euro që ju ka besuar themeluesi, paranë që ju “dhuron” taksapaguesi dhe 20- përqindshi nga të ardhura nga biznesi.

Dhe, kur jemi te reklamat, po e rikujtoj thënien kapitale (fatale) të shokut Sulejman Shaqiri, se sa më shumë që RTK- ja të ketë marketing aq më shumë do të kenë marketing edhe televizionet komerciale. Kjo ide e drejtorit gjeneral nuk ka logjikë profesionale. E si mund të ketë burime nga reklamat të mirë-peshuara, kur burimin kryesor do ta thith RTK-ja, në bazë të statusit që ka, pra më shkurt; Kush do të drejtohet me reklamë te RTV21 dhe KTV-ja, e televizione tjera komerciale që nuk kanë licencë kombëtare, kur ja dërgon RTK-së, radiotelevizionit publik, së pari…! Unë nuk e kuptoj pse kjo hierarki udhëheqëse e vjetër nuk merr qasje tjetër karshi financimit nga reklamat? Pse duhet te brengoset RTK- ja për financim kur asaj i sigurohet financimi edhe nga buxheti shtetëror? Ejani ta bëjmë ndryshe; 30 milionë nga buxheti i shtetit dhe 5 përqindje nga reklama. Pse nuk i ndahet RTK-së gjithë buxheti që i nevojitet për ta realizuar programin e vet, për ta ruajtur pavarësinë editoriale dhe programore, pasi që, siç po thuhet, qytetari nuk po e paguan, apo nuk do ta paguaj…!

Një zgjidhje, edhe pse e keqe dhe kundër normës së mediumeve publike mund të jetë financimi nga buxheti me kusht të organizohej me një bord shoqëror, me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse edhe të spektrit politik siç është rregulluar në Gjermani. Ky medium do të duhej ta kishte deri me tani pavarësinë që nuk e ka patur, duhet ta kishte pronën e vet dhe ndërtesën ashtu siç e kanë sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, Akademia e Shkencave, Parlamenti etj…, të ishte një institucion i mirëfillte publik i pavarur që punon për t’ua ruajtur interesat qytetarëve të vet. Por, financimit i mediumit publik nga shteti, thuhet se e vë në pikëpyetje pavarësinë. Atëherë do të themi se mediumi është shtetëror. RTK- ja publike, mund të bëhet, po të ishte e ndërtuar dhe e mirëmbajtur seriozisht, atëherë do të kishte besueshmëri më të madhe si medium publik, nuk do të duhej të binte në konflikt me KPM-në, do ta fitonte besimin e qytetarëve në mënyrë që ata ta paguajnë. RTK- ja me këtë qasje, nuk mund të ecë përpara, deri sa të ketë 50 % reprizë të programit, deri sa nuk hapje për bashkëpunim etj.

E përfund, mu kujtua fenomeni i eprorëve të RTK-së dhe koncepti i mediumit të quajtur publik, si e shohin këta. Nuk e kam ditë se gazetarët gjegjësisht redaktorët e RTK-së po ju thoshin shefave të tyre “Epror”, një term ky që përdoret zakonisht në ushtri. Kjo tregon shumë se për çfarë gazetarie bëhet aty. Lexohet me ton “të vrazhdë” kumbues, tendencioz, ashtu si e lyp bosi, vartësi i tij. Celebrimi i tillë fillon me spicën e lajmeve, e pason me leximin e tyre, transmetohet informacioni me popozitet të madh, euforik, ngacmues, trishtues…! Shikuesi mund ta paramendon se një zë i tillë me stres, del ashtu veç kur gazetarit i rri aty afër “eprori” i tij militant. Këta eprorët e RTK-së, duhet të themi se janë vërtet diktatorë, njerëz pa dije dhe pa përgatitje profesionale… që nuk shohin përtej pjatës së tyre. Këta nuk lënë hapësirë për bashkëpunim, siç ma tha një ditë, një i punësuar aty. Çfarë të keqe i them me pas bashkëpunim, sa më shumë aq më mirë, i them, po RTK- ja është publike, i gjithë qytetareve të saj, nuk ua ka lënë baba me u sjell si në “bahçe”…!