LAJMI I FUNDIT:

Rr’nimi i Arbër- it

Trinomi i ujërave të Klinës:
Në Klinë e rrethinë përveç syzheut të bashkimit të 3-4 lumenjve në rrjedhën e përtej Drinit të Bardhë me Drinin e Zi, në oda dhe në raste të veçanta rrëfehet rr’nimi (në kuptimin e rrnesës si ekzistencë dhe rr’nimit si shkatërrim). Paria e atëhershme e mendjes me Ramadan Shabanin, e njohur nga Kijeva, thuhet se e ka përcaktuar fatin e reflektimit në të sotmen si mesazh që vjen nga e kaluara, edhe e afërme. Dhe kanë thënë në trinomin e familjeve e "fiseve", se: Demush Preka i Ujmirit do të shpëtojë me mall e me kry; Adem Dushit malli ka me i shku, e kryet ka me i pshtu; T’bijtë e Sadri Hotëve të Jashanicës kanë me shkue me mallë e me krye. Familja dhe meshkujt e TË PARIT kanë punuar dhe janë pasuruar me djersë, TË DYTËT kanë falur pasuri për të varfrit dhe TË TRETËT pasurinë e fituan me plaçkë dhe punën e bënë me dhunë. Peshqit e mëdhenj po u rritkan edhe nëpër lumenj!

Koha e përplasjeve:
Edhe mendimi dhe ngjarjet politike, në gërshetim me artin dhe me kulturën, kanë mijëra shembuj të rrugëtimit të përbashkët, që i quajmë epoka të ndritura dhe herë përplasëse, deri në mohimin e njëra-tjetrës që në momente të caktuara e kanë ndrydhur, zvetënuar dhe e kanë përmbysur kulturën dhe artin, që janë quajtur epoka të errëta. Ky rrugëtim në minikohën e ndërrimit të mileniumeve, pushteteve, sundimeve, etj., në rastin tonë të lirisë, kultura dhe arti gjenden në pozicionin e situatat për studime psikiatrike apo të kandidimit për t’u futur në librin e Ginisit, vetëm me arsyetimin e ekzistencës dhe jetës së tyre! Në një ese të Borgesit (1899- 1986, me shkas për 100-vjetorin e lindjes) nga “Inkuizicionet e tjera”, shpjegohet, ndriçohet dhe thellohet deri në mister apo deri në fakt estetik, si pikënisje referimi, ngritja e murit të pafund kinez dhe djegia e të gjitha librave nga i njëjti mbret, perandor (Shi Huang Ti).


Koha e mbretit:
Mbreti nuk kishte frikë të sakrifikonte. Ai ishte “pushtues” që mbretëronte perandorinë e tij. Miliona njerëz, që “vetëm” kinezët dinë t’i numërojnë. Duhet ndier madhështia. Madje në dy masa, sa gjithëpërfshirëse, aq edhe individuale: ndërtimi i murit për mbrojtje nga sulmet armike, mbrojtja, të frikësuar nga asgjësimi dhe, në anën tjetër, një urdhër po aq frikues, eliminimi i së kaluarës me djegien e krijim-kujtesës! Dhe në analogji me këtë (ri)hapja e dosjeve “shqiptare” dhe “ndërtimi” i një muri fatal ideologjik në përmasat e ndarjes së vet një kombi! Nëse muri kinez e mban në vete ende madhështinë krijuese planetare, aq sa vetë populli i vetëm që shënuar deri sot numrin 10 (dhjetë)-shifror, dosja shqiptare, humbja e kujtesës, ndërtimi e rrënimi i murit të kujton një hedhje pike ujë në det, e gjithë kjo në kontekstin e shekujve të kaluar apo vetëm dekadave e viteve të ardhshme. Dhe në këtë gërshetim naiv, roli, rëndësia dhe vendi i frikës e i turpit (tutës e marres)?!

Koha pa kushtetutë:
Nëse arti e kultura janë kushtetuta shpirtërore e një kombi, atëherë me qindra e mijëra “pjesëmarrës” nga jeta publike, akademike, intelektuale që flasin pa frikë e turp, si do ta ndienin veten, së pari në testamentin (amanetin e fundit) e tyre dhe më pas në “kujtesën e gjeneratave” të ardhshme, ta zëmë në takimet, bisedat e fundvitit “inekzistent”, dy mijë e nëntëdhjetë e dy (2092)?! Atëherë do ta kemi edhe Borgesin tonë! Ndoshta, do ta kemi edhe “Faustin” tonë! Por, edhe Spelbergun, Pikason që do ta rikujtojmë. “Megjithatë, dikush mund të thotë gjynah që me këtë popull luhet dhe të lëngojë në “plagët” e së kaluarës, dosjeve e (ri)hapjen e tyre!”

Prishtina ndryshe (!) apo një letër Atyre:
Pa cigareshitës rrugëve
Droga përdorej nën mesataren evropiane
Ishte vetëvrarë një person rastësisht në periferi të kryefshatit
Putheshin dy të rinj në cep të Sheshit, pa frikën e gripit A/H1N1
Vëreheshin lojëra fati që s’ishin parë kurrë në këto anë
Më tepër se të vdekurit lavdëroheshin të gjallët
Fluturonin më shumë zogj se avionë civilë
Të 365 ditëfestat kombëtare ishin shndërruar në vetëm një javë manifestim
gjithëkombëtar
Disa dëgjonin muzikë pa zë, dramë memece, por edhe shkruanin edhe vargje
pa fjalë
"Lulet e marrisë" nuk vinin syze dioptrie.
Dhe, në fund, kishte humbur në mjegullnajë sentenca nga "Kronikë në gur": "Fati i këtij vendi ka dalë gjithmonë në fillim në maje malesh, ashtu si dielli". Atë mbrëmje, të gjithë qytetarët kishin dhembje koke. Një kolumnist inati e kishte dërguar në çmendi. Thuhet se edhe kishte lëvizur toka. Qyteti u bë me lumë.

Loja e bowling-ut, si post festum, dhe b… investiguese:
Me shkas kësaj here si përmbyllje, apo si një post festum të një mbrëmje të lojës bowling! Dhe kjo për “përfundimin” e kuizit të përvitshëm investigues e relaksues të RTK, televizionit tonë “të vetëm” publik (televizionet tjera thuajse janë jopublike)! Kalimthi dëgjoj se juria dhe organizuesit ndanë, sipas moderatorës Jeta Xharra, Topin e Artë me b…, pasi kanë dhënë përgjigje me b…! Iku ai emision dhe mësojmë, me shkas, nga zhargoni i përdorur, se qenka tashmë një emision tradicional përmbyllës i fundvitit në televizionin tonë publik! Sipas disa informacioneve të pakonfirmuara nga brenda, nuk paskan përkthime të tjera në gjuhën shqipe të kësaj loje, dhe kuizi paska karakter argëtues, relaksues me primesat, kuptohet kulturo- artistike, siç dinë në vazhdimësi “pronarët” e investigimeve të tilla në një televizion publik, siç është RTK.

Shkruhet se bendi i njohur irlandez “U2” është shpallur si grupi me turneun më të popullarizuar në Amerikën Veriore gjatë vitit që lamë pas. Sipas listës të publikuar nga Pollstar, “U2” ka fituar 123 milionë dollarë me shitjen e biletave
Të kthehemi te “U2”- në e para 20 vjetësh! Dhe kthimi i ngjan dritës dhe unazës së humbur. Nga atëherë kemi dy këngë të përkthyera nga Fadil Bajraj, në antologjinë e rok poezisë.
Në këngën poezi “Akrobati”, njëzet e më shumë vite “U2” do të këndojnë me refrenin: “Ti e di se po të vjen koha e artë/ … mos u lejo bastardëve të të bluajnë/ Pra ëndërro zëshëm/ …mos u lejo bastardëve të të bluajnë/ E di se punët po të shkojnë për së mbari/ … mos u lejo bastardëve të të bluajnë…”. Ndërsa tek “E diela, e diela e përgjakshme” ata thonë se “është e saktë se kemi imunitet/ Derisa fakti është fiksion e TV realitet”.

Nëse lëmë grupin e njohur “U2” në të kaluarën krenare e madhështinë e të sotmes, është një tjetër frymë e rrymimeve ndikuese, të cilat i kanë dhënë përmbajtje kuptimit të përdorimit edhe të fjalëve e ligjërimit “ndotës” (alias “ndytës”)! Por ata krijuan epokën e artë të “Beat poetry”, sikurse edhe individualitetet e veçanta, të pakundërshtueshme e për më tepër, sakrifikues. Ata futen në fjalorin e tyre fjalën më “lënduese” dhe të lakuriqtë, sepse “kishin” imunitet”, sepse tashmë në Ne dhe për Ne “fakti është fiksion e TV realitet”!

Nëse Uccello Corso përdorte fjalët dhe termët e lakuriqtë për organet seksuale, ai ka shkruar edhe: “Ata që luftojnë aq të përqafuar, kurrë nuk do të vdesin…”/ “… secili gojë e luftëtarit është kështjellë kënge”/ “Çfarë rëndësie ka kjo/ se kush jemi ne/ nëse e masakrojnë llojin tonë“.
Michael McClure, në poetikën e tij krijuese “ledhaton gjinjtë” dhe se për të ekziston edhe “miqësia seksuale”, po ai shkroi edhe vargun: “Më e mira qeveri është ajo qeveri që qeveris më së shkurti”.
Jack Kerouac, i vdekur 50 vjet më parë, po ashtu nga shkolla e San Franciskos, edhe pse përdor organet dhe vetë aktin seksual, ai shkruan se “s’mund të vdesim sa për sy e faqe”. Nëntëdhjetëvjeçari Lawrence Ferlinghetti (1919), në vargun e tij thotë: “E sytë flasin-/ në çfarëdo gjuhe-“.

Te Allen Ginsberg, i njohur si ikona dhe njeriu që identifikon beat poetry në “fjalorin e parë”, hasim “…nga kulmi derisa tundeshin gjenitalet e valëvitshin dorëshkrimet,” pastaj “orgazmit të fundit të vetëdijes”, “…e shpirti ejakulon/ në gëzimin e syrit-“, deri te klithja “Amerikë, kur do ta përfundojmë luftën njerëzore? Shko e q… me bombën tënde atomike” dhe përfundojmë se ai shkruan edhe: “Vuajtja është çdo gjë e lindur”
“Të vërtetat e përlotura s’do përbuzur”, dhe “Bashkëtingëlloret rreth zanoreve kanë kuptim”.

Nëse për grupin “U2” tashmë është aktual nga të gjitha rrafshet ekzistenciale të krijimit si art e kulturë dhe si vlerë, po ashtu në arkivin e krijimit dhe të kthimin te citati mund të konsultoheni me ish- revistën “MM”, nr. 8 të vitit 1997.

Intermeco për fund:
Na ishte njëherë Atlantida. Ajo u fundos nga tmerret që sillte mbitoka. Në fillim të shekullit 21 kanë filluar të vdesin e të ndryshken emblemat e flamujve. Dhe, të privatizohen dashuritë. Poashtu atentatorët bëjnë homazhe pranë viktimës së tyre. Koha dhe kokat njerëzore kanë filluar trandjet e skeleteve të tyre! Mos janë përzier me eshtrat e ushtrisë së Gjeneralit të Kadaresë, pa i bekuar Prifti?! E vetmja ndarje e drejtësisë së fillimshekullit: harresa se truri intelekti (nuk) ekziston vetëm sa jeton njeriu!