LAJMI I FUNDIT:

Rritja ekonomike prej 4% mbetet e dëshirueshme

Rritja ekonomike prej 4% mbetet e dëshirueshme

Rritja ekonomike prej 3.7 deri në 4 përqindësh, e parashikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për vitin 2016, është parë me skepticizëm nga njohës të çështjeve ekonomike madje, sipas tyre, një rritje e tillë s’mund të ndodhë, pasi projekti më i madh i investimeve në vlerë mbi 400 milionë euro për Brezovicën ka dështuar.

Sipas raportit të BQK-së për vitin 2016, parashihet rritje ekonomike prej 3.7 deri në 4 përqindësh. Kurse guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë se, sipas BQK-së, për vitin 2016, parashihet një rritje ekonomike prej 3.7 deri në 4 për qind.


Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se, meqenëse parashikimi i BQK-së për rritje ekonomike nuk është i bazuar në faktorë të brendshëm, pra s’është i varur nga Qeveria atëherë, sipas tij, ky parashikim lë të nënkuptohet se është optimist.

“Konsumi është i lidhur me remitancat dhe varësisht prej dërgesave do të rritet edhe konsumi, meqenëse sivjet nuk parashihet se do të ketë rritje të pagave, apo që do të ketë ndonjë intervenim në aspektet social, që do të mund të ndikonte në rritjen e konsumit, përkatësisht në rritjen ekonomike. Andaj, ky parashikim është optimist kur kemi parasysh gjendjen e përgjithshme në treg, pasi ky parashikim nuk është i bazuar në faktorët e brendshëm dhe s’ka ndikim nga Qeveria”, tha Rexhepi.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Piraj, ka shfaqur skepticizëm se mund të arrihet rritja ekonomike e planifikuar nga BQK-ja pasi, sipas tij, s’mund të konsiderohet rritje ekonomike nëse kemi rritje të hyrave buxhetore.

Ai ka shtuar se, bazuar në disa raporte, në tremujorin e fundit nga Kosova dhe Shqipëria ka pasur regjistrim të rreth 40 mijë azilkërkuesve në shtete evropiane prandaj, sipas tij, Kosova po i humbet konsumatorët. “Kosova po e humbet konsumatorin. Një vend që e humbet konsumatorin nuk mund të krijojë rritje ekonomike. Brengë për mua është se reforma e politikave ekonomike ka ngecur. Kosova s’ka reforma reale të politikave ekonomike, të cilat do ta nxisnin zhvillimin e veprimtarisë vendore, që do të ndikonte edhe në tërheqjen e investimeve të huaja ndërkombëtare”, është shprehur Piraj.

Njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka thënë se, bazuar në rrethanat aktuale të proceseve ekonomike, mbetet shumë për t’u dëshiruar se mund të arrihet rritja ekonomike e paraparë nga BQK-ja prej 3.7 deri 4%. “Pa dashur të jemi pesimistë, trendi i dështimeve të projekteve strategjike, siç është rasti më i freskët i projektit Brezovica, pastaj me shumë rrezik mbetet edhe implementimi i ‘Kosovës së Re’ për arsye të mungesës së gjetjes së fondeve investive, por edhe mungesës së një strategjie afatgjatë se si t’u qasemi kompanive të jashtme për investime, lënë shumë për të dëshiruar se mund ta kapim atë rritje që është parashikuar nga BQK-ja e që është shumë ulët për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik”, ka thënë Syla. /Epoka e Re/Telegrafi/