LAJMI I FUNDIT:

“Rreziku” nga Ushtria e Kosovës

“Rreziku” nga Ushtria e Kosovës

Pas dhjetë vjetësh pavarësi, Kosova rikrijoi ushtrinë e vet. Këtë herë të paqes. Edhe kjo lëvizje e popullit shqiptar u lexua si e rrezikshme. Siç kanë qenë lexuar në të gjitha kohërat.

Kryeministri i Serbisë imagjinon se formimi i një ushtrie të Kosovës është në kundërshtim me përpjekjet për stabilitetin në Ballkanin e pa qëndrueshëm, madje tha se Beogradi e paska një opsion në tryezë të përdorë 28,000 trupat e saj për të mbrojtur minoritetin serb në Kosovë. Që do të thotë të ripushtojë Kosovën!


Ndërkohë, Rusia e denoncoi lëvizjen politike kosovare, duke kërkuar që ushtria e Kosovës duhet të rishpërbëhet, pasi qenkërka rrezik për rajonin!

Po si mund të bëhet rrezik për stabilitetin në rajon, Ushtria e Kosovës prej 3,000-5,000 trupash dhe jo 28,000 trupat, tanket dhe bombarduesit e Serbisë?

Bota ka të paktën një dhjetëvjeçar që po e shikon se rrezik për paqen dhe sigurinë nuk përbëjnë ushtritë e deklaruara zyrtarisht për mbrojtje, por grupet e pa deklaruara paramilitare. Terrori i këtyre bandave është eminent për shembull në Ukrainë. Bota(fatkeqësisht edhe NATO) po shohin se pushtimi ushtarak me ushtri të pa deklaruara është kthyer tashmë në doktrinë. Dhe serbët e kanë këtë përvojë, historikisht dhe në kohët moderne, nga spastrimi etnik e deri tek terrori në stadiume futbolli!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pat paralajmëruar qeverinë e Kosovës, se vendi do të “ndeshej me pasoja serioze”, duke shtuar se “vendimi për të nisur një ndryshim të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është bërë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon”. Nëse kjo deklaratë nuk është një shprehje diplomatike apo fryt i presionit evropian, atëherë lind pyetja:- Për sa dhjetëvjeçarë do të mbeten në Kosovë trupat e NATO-s?

Akademikët dhe politikanët serbë vetëngushëllohen kur formalisht gjejnë se asnjë akt i vetëm në të drejtën ndërkombëtare nuk u jep kosovarëve të drejtën për të formuar një ushtri. Ndoshta se nuk janë pranuar zyrtarisht si shtet nga komuniteti ndërkombëtar. Por harrojnë një “hollësi” të vogël; që popujt, për të bërë shtet, në fillim kanë krijuar ushtritë e tyre. Kosova, si cilido shtet serioz, e ka për detyrë të ndërtojë ushtrinë e vet. Se nuk ka shtet pa ushtri, pa mbrojtje. Në fund të ditës, është ushtria, krahas instrumenteve të tjera, që e bën shtetin të diktojë vullnetin apo moralin e tij. Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tjetër optikë kur deklaruan ishte “vetëm e natyrshme për Kosovën si një vend sovran dhe i pavarur, të ketë një aftësi të vetëmbrojtjes.”

Ushtria e Kosovës nuk mund të përbëjë kërcënim. Diplomaci po. Ushtarakët, aq më tepër ata kosovarë që e bënë luftën, e dinë mirë rrezikun e saj dhe prandaj, edhe vlerën e paqes. Le të kujtojmë se proceset e paqtimit në Ballkan filluan më së shumti me paqtimin e ushtrive sesa me marrëveshjet e politikanëve. Aq më tepër sot, ushtritë e rregullta, me atributet që kanë marrë, përbëjnë grupin më të madh diplomatik të çdo kombi.

Kosova e ka një histori ushtarake. E kishte UÇK-në. Dhe me këtë histori lufte i ka të gjitha kapacitetet të bëhet një faktor më shumë për paqen.

Por, a mund të thirret Ushtria e Kosovës edhe për sigurinë? Patjetër, pse jo. Si çdo ushtri tjetër, edhe ajo mund të thirret për mbështetje brenda ligjit e në zbatimin e ligjit, në operacionet e rendit publik, për kontrollin e kufirit, kontrollin e drogës, hetimin e krimit, operacionet kibernetike, mbledhjen e informacionit e inteligjencës, mbrojtjen civile, emergjencat kombëtare, fatkeqësitë natyrore, kërkim-shpëtimi, mbrojtja e mjedisit, etj. Por këto atribute sigurie nuk kërcënojnë askënd, përveçse kontribuojnë edhe në sigurinë e fqinjëve e më gjerë.

Forca e Sigurisë e Kosovës – sot Ushtria e Kosovës, tregoi se diti e di të bëjë aleancë. Si ushtri çlirimtare bëri aleancë me NATO-n. Më pas, si Forcë e Sigurisë diti të bëjë aleancë me KFOR. Si e tillë, ajo demonstroi se di të marrë kulturë bashkëkohore ushtarake. Nuk besoj se do t’u duhet më kultura e oficerëve të arsimuar në akademitë e Beogradit, kur tashmë ka mbi 15 vjet që punon me standardet e NATO-s. Do të jetë ushtria më e përparuar në këtë drejtim, jo vetëm nga profesionalizmi, por sidomos nga kuptimi i rolit të ushtrisë në një shoqëri demokratike. Prandaj, edhe për këtë arsye, do të jetë shumë më e pëlqyeshme të përfshihet gjithnjë e më shumë në sigurinë ndërkombëtare, në misionet paqeruajtëse dhe mbështetëse të paqes dhe në përgjigjet ndërkombëtare ndaj kërcënimeve transnacionale të sigurisë, si përhapja e armëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar.

Është thënë se ushtarit dhe Zotit njerëzit iu drejtohen vetëm në kohë rreziku. Ndoshta është koha të vlerësohet se priten rreziqe. NATO nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. As guximin e dikurshëm. Ndoshta do të duhet të ridimensionohet, e kjo kërkon kohë. E koha krijon vakum sigurie.

Sidoqoftë, Kosova ka filluar të respektojë vetveten. Me rritjen qind për qind të taksës për mallrat e importuara nga Serbia e tregoi këtë. Tashmë e tregoi edhe me ushtrinë e vet. Natyrisht është një hap sa i përgjegjshëm, aq edhe me përgjegjësi. Por sidoqoftë guxoi. Guxoi të jetë sovrane, përkundër skepticizmit që sundon aty brenda saj e, ku e ku, edhe jashtë saj.

Kosova po bëhet. Dhe ushtria e saj, siç thotë një francez i shquar, është një komb brenda kombit. Do bëhet edhe ajo.

Serbët, jo vetëm sot, por sidomos më parë, e patën një ushtri qindramijëshe, një nga ushtritë më të mëdha, në mos ushtrinë më të madhe e më të armatosur në Ballkan, për ta mbajtur Kosovën, sikur Kosova të ishte aq e shenjtë për ta. Por realisht nuk bënë asnjë përpjekje për ta mbajtur dhe nuk e mbajtën me gjak, pikërisht, sepse nuk ishte e tyre, edhe pse e mbajtën të pushtuar njëqind vjet. Kosovën nuk e bëjnë të shenjtë manastiret e mbjella për qëllime pushtimi, por banorët më të vjetër shqiptarë që janë lindur aty prej shekujsh. Prandaj kosovarët ishin të gatshëm dhe derdhën gjak për ta çliruar, pikërisht, sepse Kosova është e kosovarëve, jo e ardhësve në Kosovë.

Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk është një rrezik, por një vonesë e pashembullt për të qenë të gatshëm për të përballuar rreziqet. Ishte mungesë vizioni e kapacitetesh apo shprehje frike? Sidoqoftë Kosova guxoi. Dhe guximi, çfarëdo guximi, mbart edhe rreziqe. /GSH/