LAJMI I FUNDIT:

Rreth 20 kandidatë eliminohen nga gara për guvernator

Rreth 20 kandidatë eliminohen nga gara për guvernator

Rreth 20 kandidatë, nga gjithsej 27 sa kanë konkurruar për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, do të eliminohen nga gara në fazën e parë të selektimit.

Numri me i madh i kandidatëve, sipas zyrtarëve të BQK-së, do të eliminohet nga gara për shkak se nuk e plotësojnë kriterin bazë që kërkon 10 vjet provojë punë profesionale apo akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike, raporton agjencia Ekonomisti.net.

“Paragrafi i parë i nenit 40 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përjashton nga gara numrin me të madh të kandidatëve që kanë konkurruar për pozitën e guvernatorit. Saktësisht në këtë nen thuhet; Personat që kualifikohen për t’u zgjedhur që të shërbejnë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore duhet të jenë me integritet dhe të kenë diplomë universitare si dhe të kenë të paktën dhjetë (10) vjet përvojë profesionale apo akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike”, thotë zyrtari i lartë i BQK-së, duke sqaruar tutje edhe për pjesën tjetër të kandidatëve që sipas tij nuk i plotësojnë kriteret për t’u thirrur në intervistë.

Pika 2 e nenit 40, thotë së; Asnjë person nuk do të kualifikohet për t’u zgjedhur që të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore nëse ai/ajo, ka qenë i dënuar për shkelje ligji që mbart një dënim, si vepër penale, përjashtimisht në kundërvajtje.


Në kundërshtim me këtë nen, siç thotë ai, janë se paku katër kandidat, të cilët gjatë karrierës së tyre, ose janë larguar nga puna, ose kanë shkelje ligjore, ose janë të dënuar ose janë në hetime ose kanë qenë debitor në një procedurë të falimentimit apo josolvencës.

“Profili i disa kandidatëve të tjerë është në kundërshtim me piken 2.3 të nenin 40 të ligjit të BQK-së, ku thuhet së një kandidat nuk mund të kualifikohet për postin e guvernatorit, nëse për arsye të sjelljes personale jo të mirë, ka qenë diskualifikuar apo suspenduar nga një autoritet kompetent për ushtrimin e profesionit ose nuk ka qenë lejuar të jetë drejtor apo zyrtar i një institucioni financiar”, thotë zyrtari i BQK-së.

Tutje, ai thotë së edhe katër kandidat të tjerë eliminohen automatikisht nga gara për shkak së janë të punësuar në ndërmarrje shtetërore, mbajnë pozita zyrtare dhe kanë aksione në institucione të ndryshme financiare.

Pika 3 e nenit 40, thotë së: “Asnjë person nuk do të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore përderisa është anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i Qeverisë, zyrtar i një ministrie të Qeverisë ose i ndonjë entiteti publik tjetër, ose zyrtar a punëtor i një institucioni financiar, i cili vepron me zyrat e tij në Kosovë, ose është pronar i drejtpërdrejtë ose pronar aktual i pesë për qind (5%) të shumës së interesit të ekuitetit në një institucion financiar të tillë.

“Deri me tani janë 7 kandidat të cilët plotësojnë kriteret për tu thirrur në intervistim. Pjesa tjetër do të eliminohet nga gara, për arsyet të cilat u përmenden. Këta kandidatë të cilët plotësojnë kriteret do të kenë sfidën për t’u dëshmuar gjatë intervistimit që do të filloj me 27 shkurt”, ka thënë zyrtari i BQK-së duke kërkuar që mos t’i publikohet emri.

Panelin për nominimin e guvernatorit të BQK-së është i përbërë nga Mejdi Bektashi dhe Lulzim Ismajli nga BQK, si dhe një ndërkombëtar nga thesari amerikan.

Lista përfundimtare e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Guvernatorit të BQK-së:

Mentor Nimani, Ganimete Salihu, Flamur Keqa, Ramadan gashi, Agim Paca, Safet Merovci, Fatmir Klaiqi, Genc Kuki, Blerim Dragusha, Sejdi Rexhepi, Valentin Toçi, Milazim Abazi, Ilir Aliu, Vlora Obertinca, Xhevat Meha, Gazmend Luboteni, Marte Palokaj, Ardian Uka, Shaqir Totaj, Ajri Begu, Gani Gërguri, Behxhet Brajshori, Agron Dida, Agron Mustafa, Afrim Maloku, Nexhat Kryeziu dhe Kristë Gojani. /Ekonomisti/Telegrafi/