0Shares

Si rezultat i rrethanave dhe zakoneve patriarkale të kohës shumë ferma ishin detyruar të kthehen në burra, apo si njihen në rajonin e Dukagjinit, si burrnesha.

Njëra prej tyre është edhe Mire Metë Lajçi nga fshati Malaj të Rugovës.

“Më duket që kam lindur e paracaktuar t’i takoj botës së burrave. Në moshë shumë të re vendosa mbi kokë plisin e bardhë që ma pati blerë babai e që ishte simbol i djalërisë. Kurrë në jetë nuk kam pasur gëzim më të madh. Barta për 40 vjet pushkën në krah, për po aq vite ruajta 200-300 krerë dele në Bjeshkën e Leqinatit te Guri i Kuq. Isha zot shtëpie në familjen e Metë Lajçit. Them zot shtëpie, ngase vishja rroba meshkujsh, plis dhe shami në kokë”, thotë Mire Lajçi, duke shtuar se as meshkujt më të mirë nuk mund t’ia kalonin në asnjë punë e as në kuvend për nga mençuria.

Tani, jeton në fshatin Nabërgjan të Pejës e rrethuar me familjarët e saj, me vëllezër, djem të tyre dhe nipa e mbesa që e duan aq shumë dhe e bëjnë shumë të lumtur në këto vite të pleqërisë.

Në shoqërinë e zanave të malit Mire Lajçi shprehet se ashtu sikurse pjesa më e madhe e familjeve rugovase, edhe familja e tyre bënin një jetë të vështirë prej barinjsh në Malaj të Rugovës, prej andej nga e ka origjinën edhe presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Shprehet se janë në lidhje gjaku me familjen e presidentit historik. 76- vjeçari Mire Metë Lajçi duket se është burrnesha e fundit e Rugovës, i cili tani jeton me kujtimet në fshatin Nabërgjan të Pejës. Pasi dy miq të mi, Xhavit dhe Aver Husaj, më shoqëruan në familjen e Marie Metë Lajçit, kësaj burrneshe të vetme nga këto treva, e cila na priti me atë traditën e moçme rugovase ku mysafiri është i çmuar dhe i respektuar.

Ajo flet për të kaluarën e saj si duket jo edhe aq të thjeshtë.

“Bëra jetën e bariut të lumtur, shijova aq gjatë e me shumë pasion tërë ato bukuri të këtyre bjeshkëve, rrita tufën për çdo ditë e më shumë, rrethohesha me blegërimën e qengjave dhe shoqërohesha me lojën në fyell e kavall. Atje bashkë zanat e malit ishim pararojë e këtyre bjeshkëve. Isha zot shtëpie në familje, bëja pazaret e familjes, kujdesesha për të gjitha dhe për të gjithë në familjen time, mbi krah bartja armën”, kujton kjo burrneshë e këtyre shkrepave.

“Kur dikush merr një vendim, atëherë nuk ka kthim pas. Unë qysh në fëmijëri u përcaktova që t’i hyj nën krah babait tim për t’i ndihmuar në punët e burrave, ngase kisha vetëm një vëlla më të madh dhe të tjerët ishin më të vegjël si dhe kisha edhe tri motra”, thotë ajo, duke shtuar se nuk ishte lehtë që nga jeta baritore të sigurohej një jetë normale, dhe në secilën pëllëmbë të Rugovës luftohej për jetë, për të mbijetuar, ngase edhe pushteti ua kishte sjellë këtyre rugovasve lakun të fyt.

“Në rrethana të tilla fillova rrugëtimin tim në botën e meshkujve… nuk kam ndenjur kurrë në shtëpi të grave. Gjithë jetën e kam kaluar në odën e burrave, ku kam mësuar për historinë e hidhur në këto shkrepa, atje ku rugovasit ishin gurë kufiri ndaj furtunave turke e sllave të Karadakut. Aty mësova nga pleqtë rugovas se familja jonë që e kishte pasur Bajrakun e Rugovës, e që kishte dhënë shumë meshkuj në luftërat e Moraçës dhe Nokshiqit, aty mësova se në këto beteja kishin rënë të gjithë burrat e familjes tonë, nga atje ishte kthyer me flamur në krah vetëm një i ri i kësaj familje,një 14- vjeçar”, thotë më tej burrnesha e Rugovës.

Duke dëgjuar këto histori të familjes dhe trevave të Rugovës, duke dëgjuar deri në orët e vona të natës këngët epike në lahutë ku u këndohej trimave të këtyre kreshtave, ai thotë se frymëzohej për jetën e tij.

“Nga dita në ditë burrërohesha edhe unë, më dukej se ky burrërim ma fuqizonte edhe më shumë vendimin tim që ta harroj përgjithmonë gjininë time femërore dhe kështu u bëra e barabartë me burrat. Por, jo vetëm kaq, isha përherë e nderuar dhe e respektuar nga ta. Më askush nuk më këqyrte si femër e veshur si burrë, por isha tamam burrë dhe zia vend të merituar në mesin e tyre”, kujton sot Mire Metë Lajçi

Në familje e trajtojnë si vëlla

Ajo shprehet se ka pasur vëllezër dhe tri motra, dhe ata asnjëherë nuk më kanë konsideruar ndryshe, por vetëm si vëlla.

“As motrat nuk më konsideronin si motër, por si vëlla dhe kjo më bënte më të lehtë qëndrimin tim në mesin e burrave. Më kujtohet se në fillim kur mora shtat dhe vendosa të mbetem burrneshë në mesin e burrave, babai im nuk e kundërshtoi me asnjë fjalë vendimin tim, por më vonë si dukej nuk ishte edhe aq i lumtur, ngase iu dhimbsesha që kisha marrë një vendim të tillë. Por, unë ju them me plot bindje se jam shumë e lumtur që mora këtë rrugëtim nga i cili dola shumë e burrëruar”, thotë Mire Metë Lajçi për gazetën “Kosova Sot”.

Është e bindur që po t’ia fillonte edhe sot nga fillimi jetës së saj do të ndiqte të njëjtin rrugë- tim.

Çka thotë burrnesha për kufirin? Burrnesha rugovase ka edhe një mendim të sajin për kufirin tanimë shumë të përfolur në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Edhe ajo është e bindur sipas asaj që ka dëgjuar nga burrat e moçëm të Rugovës se kufiri me Malin e Zi është në Çakorr dhe në Kullë.

“Kështu ka qenë kur kanë folur trimat rugovas përmes tytave të armëve me Malin e Zi”, thotë kjo burrneshë.

Jjeton sot e lumtur në fshatin Nabërgjan të Pejës, e rrethuar me vëllezërit dhe djemtë, nipat dhe mbesat e tyre. Tani mban në dhomën e vet disa fotografi nga jeta e saj baritore dhe i ka futur në korniza dhe kur ngjitet në dhomë, thotë se iu kthehet atyre kujtimeve të jetës baritore Edhe pse sot nuk ka më ndonjë burrneshë tjetër, Mire Lajçi thotë se burrneshat e sotme janë gra që kapën pushkën në luftë për liri.

“Burrneshat e sotme janë ato gra mjeke, profesoresha e inxhiniere, ato gra që krah me burrat sot e çojnë Kosovën përpara”, thotë Mire Lajçi, duke shtuar se nuk i përkrah ato gra të reja që zhvishen para kamerave që nuk i shërben nderit të njeriut./Kosova Sot/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)