LAJMI I FUNDIT:

Ritet mortore në fshatrat shqiptare në Rusi

Ritet mortore në fshatrat shqiptare në Rusi

Gjatë Seminarit për Gjuhën e Letërsinë që ka hapur siparin në Prishtinë, studiuesi Aleksandër Novik ka folur për ritet mortore e përkujtimore në fshatrat shqiptare të rajonit të Rostovit në Rusi.

“Në brigjet e detit Azov si pasojë e luftërave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë shqiptare: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. Në vitet 2015-2018 Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i Shën Peterburgut kanë organizuar ekspedita në këto vendbanime.Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me doket dhe zakonet familjare. Në këtë studim bie fjalë për ritet mortore ndër banorë të fshatrave me popullsi shqiptare”, tha studiuesi rus.


Sipas tij, zakonet dhe ritet mortore e përkujtimore tek pasardhësit e popullsisë shqiptare të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj. Ritet mortore janë transformuar në mënyrë të dukshme gjithashtu nën ndikimin e propagandës ateistike sovjetike pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 – në periudhën e gjatë deri në fund të viteve 1980’.

Në studim trajtohet një spektër i gjerë çështjesh kushtuar një tematike të përgjithshme: përfytyrimet e banorëve të rajonit të Detit Azov (rajoni i Rostovit) për vdekjen dhe çka lidhet me të (fati dhe lajmësit e vdekjes, etapat e përgatitjes së varrimit dhe riteve të tjera në shtëpi dhe në komunitet fshatar, kompleksi përkujtimor dhe kultura e organizimit të hapësirës së varrezave). Disa përshkrime të veçanta i janë kushtuar rolit të priftit dhe kishës ortodokse në përgjithësi, veçorive të varrimit të fëmijëve të papagëzuar, beqarëve, lehonave, vetëvrasësve etj. Në vazhdim shpjegohen me hollësi kompleksi përkujtimor kalendarik dhe shndërrimet e tij gjatë shekullit XX – fillim të shekullit XXI. Është përshkruar kultura e varrezave e fshatrave me popullsinë shqiptare me shembuj të veçantë të varrezave të fshatit Margaritovo dhe ato të Pavllo-Oçakovos.

Në bazë të studimit të motiveve ballkanike dhe vendase në strukturën e riteve mortore të banorëve të fshatrave me popullsi shqiptare është arritur në përfundim se këto komponente të riteve dhe zakoneve në kohën e sotme luajnë një rol markues identiteti etnik (shqiptar, grek) dhe / ose rajonal (i rajonit të Detit Azov, i Rostovit, i jugut etj.).