LAJMI I FUNDIT:

Rirreshtimi dualist i Serbisë dhe dialogu me Kosovën

"Interesi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por Beogradi kurrë nuk do të harrojë raportet miqësore me Rusinë". Kështu ka theksuar presidenti i Serbisë, Tadiç, me rastin e takimit të paradoditshëm në Beograd me kryeministrin e Federatës Ruse, V. Putin. Ata që e njohin të kaluarën e kombit serb e dinë se ky rirreshtim dualist i Beogradit zyrtarë perëndim – lindje, nuk është risi, edhe pse tani ka të reja shtesë. E vendosur në Evropë, me pozitë të mirë gjeostrategjike, me lumenj që natyrshëm e lidhin me vende të ndryshme evropiane, me burime të shumta natyrore, sado që pa dalje në det, Serbia edhe pse nuk i ka pasur prioritare, ka mbajtur pandalshëm lidhje të forta dhe ka qenë e hapur për vlera nga më të ndryshme të kulturës dhe politikës evropiane.

Në anën tjetër, duke qenë shtet, përkatësisht komb me gjuhën dhe kulturën sllavo-ortodokse, me fe ortodokse, me kishën autoqefale që ndikonte në shumë sfera të jetës, ajo edhe për shumë arsye politike, do të mbaj lidhje posaçërisht të forta vëllazërore me Rusinë, larg më të forta se sa shtetet e tjera të rajonit që shquheshin me karakteristika të njëjta të këtij identitetit qytetërues. Po në takimin e përmendur, Putin rikonfirmoj këtë lidhje, duke mos e kontestuar rreshtimin dualist të Beogradit kur konstatoj se “Moska nuk është e brengosur për shkak të kërkesës së Serbisë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por ajo “me vëmendje do të përcjellë procesin e integrimit të Serbisë në BE, me qëllim që të mos dëmtohen raportet ruso-serbe”. Serbisë nëpër histori do t’i shkoj për dore shpesh që falë një balance të këtij rreshtimi dualist të përfitoj gjithanshëm jo vetëm politikisht, posaçërisht duke e shtrirë shtetin e vetë në dëm të territoreve të të gjithë fqinjëve.


Ky rreshtim dualist i Serbisë, ku gjithsesi primatin e partnerit politik dhe kulturor prore e zinte Rusia, është ndërprerë në një periudhë jo të shkurtë kohore. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur me vullnetin e inteligjencës as edhe politikanëve serbë. Kjo qasje jo e zakonshëm për serbët dhe Serbinë është vendosur nga kroati Josip Broz Tito, diktatori komunist i cili me ‘Jo’-nё e tij të famshme kundër BRSS-së, konkretisht Stalinit, për kohë të gjatë do t’i ndërpres marrëdhëniet e Jugosllavisë me BRSS-nё, e për rrjedhojë edhe të Serbisë dhe Rusisë. Kjo do të dëshmohet si një qasje pozitive e cila gjithsesi bazën nuk e kishte tek mendimi dhe kultura politike serbe, sepse po ta kishte, prishja me Stalinin nuk do të ndodhte në asnjë variant. ‘Jo’-ja kundër BRSS-së në shumë mënyra do të dëshmohet si një ‘Po’ për botën perëndimore, për kulturën dhe shumë vlera të saja edhe përkundër faktit se Jugosllavia do të vazhdoj të mbetet vend komunist.

Për rrjedhojë Serbia për herë të parë në histori nuk do të ketë raporte të mira me Rusinë, si levi kryesor i BRSS-së, por fal qasjes shumë të guximshme për kohën të J. Broz Titos do të ndodhë një afrim i gjithë atyre që jetonin në Jugosllavi me botën perëndimore, diçka që nuk mund të paramendohej në atë kohë për askënd në botën eurolindore. Rrjedhimisht Jugosllavia e në rend të parë Serbia, do të jetë për kohë të gjatë e përkëdhelura e botës perëndimore. Por kjo do të pushoj me fillet e shpërbërjes së Jugosllavisë, kur bota perëndimore do të vihet kundër aspiratave hegjemoniste të Serbisë. Për rrjedhojë Serbia do t’i kthehet bazave të veta të identitetit të saj qytetërues, kishës, sllavizmit, ambicieve centraliste në Jugosllavi e gjithashtu riparimit të marrëdhënieve me Rusinë. Që nga kjo kohë kanë kaluar gati dy decenie të lodhshme dhe regresive jo vetëm për Serbinë, tani ajo gjendet në një fazë të re. Kjo fazë tjetër është rikthim në ato kohëra kur Serbia do të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë, por në të njëjtën kohë nuk do të jetë në raporte të këqija me perëndimin, përkundrazi.

Kjo rizhvendosje politike gjithsesi e arritur jo pa mundime, ky ribalancim gjeostrategjik për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore e vë Serbinë në pozitën e favorshme dhe i jep asaj mundësi të nxjerrë përfitime si ekonomike ashtu edhe politike si nga Federata Ruse ashtu edhe nga bota perëndimore, posaçërisht nga BE-ja. Sot Serbia ka raporte të shkëlqyera me Rusinë. Kohë më parë ajo ka lidhur një kontratë të madhe energjetike me këtë shtet të cilën e kishte filluar Koshtunica dhe e përfundoi Tadiç. Me këtë “Gazprom” merr nën kontroll 51% të petrolit serb me një çmim të lirë kurse për kompensim tubat e gazit të tij të kalojnë edhe kah Serbia (rreth 400 km). Po kjo Rusi vazhdon të jetë një përkrahëse bllanko e politikave zyrtare të Beogradit. Në anën tjetër duke u faktorizuar në Ballkan, ajo bëhet atraktive edhe për evropianët të cilat me keqardhjen se Serbinë e kanë ndëshkuar shumë dhe gjatë, tani qasjen e tyre jo vetëm politike e përshkruajnë nota dashamirësie.

Duket se Evropës një Serbi në të cilën kalojnë gypat e gazit, me potencialet që i përmendëm më lartë, natyrore e gjeostrategjike i intereson të jetë pjesë e BE-së të cilën do ta ketë më afër e në disa sfera edhe nën kontroll të sofistikuar. Por Serbia është e vetëdijshme për këto interesa të shtuara të evropianëve, ashtu sikundër është e vetëdijshme se për Rusinë dhe ambiciet e saja tejkontinentale, në këtë rajon askush nuk mund të jetë më e përshtatshme për asnjë bashkëpunim se sa aleti i saj i vjetër. Matur me kanarin e interesave ekonomike, financiare dhe të tjera, roli politik dhe gjeostrategjik i Serbisë është shumë më i faktorizuar sot sesa që ka qenë në cilëndo periudhë tjetër që nga LDB-ja dhe ky faktorizim është në rritje. Duket se është kjo pozitë e re ajo që i jep kurajo politike kryetarit aktual Tadic që të vijë me një propozim për negociata të reja shqiptaro – serbe me shpresën se nën rrethana të reja, Serbia do të fitonte shumë më shumë se sa shqiptarët.

Vështruar nga kjo prizëm, marrë parasysh edhe disa zhvillime jo të favorshme në Kosovë, si raportin e Dick Martit, jokushtetueshmërinë e presidentit të ri, paralajmërimet për burgosje të reja të ish pjesëtarëve të UҪK-së, pozita e Kosovës përgjithësisht prandaj edhe në dialogun aktual me Serbinë, është e disfavorshme. Me këtë dialog Kosova thjeshtë po i bënë një shërbim Serbisë në vazhdën e faktorizimit të saj, konkretisht në rrugëtimin drejtë BE-së. Konsiderata më e madhe e Brukselit ndaj Kosovës ende të brishtë, si dhe riaktivizimi më i drejtpërdrejtë i SHBA-së në zgjidhjen e disa problemeve në Kosovë, duhet të bëhen tani, jo vetëm për ta ruajtur balancën e re të vendosur në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, por edhe për ta forcuar përfundimisht shtetin e Kosovës si njërin nga garantët e kësaj balance.