LAJMI I FUNDIT:

Ringjallet ekonomia në Spanjë

Ringjallet ekonomia në Spanjë

Banka e Spanjës rriti parashikimin e saj për vitin 2014 dhe nënvizoi faktin se rritja është përshpejtuar gjatë tre mujorit të fundit të vitit. Analistët shprehen se rënia e çmimeve të naftës do të forcojë rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Parashikimet për një rritje më të madhe se pritshmëritë janë duke u shtuar së fundmi në Spanjë, sidomos pas muajve të tëra frike për një ngadalësim edhe si pasojë e një Eurozone në vështirësi.
Banka Qendrore e Spanjës, thotë se dobësia e zonës së monedhës së përbashkët europiane përbën ende një kërcënim. E ardhmja e çmimeve të naftës krijon gjithashtu një gjendje konfuzioni për të ardhmen e një vendi i cili ka një varësi të lartë energjetike nga importet. Në terma mujorë Prodhimi i Brendshëm Bruto në Spanjë është rritur me 0.6 për qind.

Ndërsa në terma vjetorë, Banka e Spanjës parashikon një rritje ekonomike në 1.4 për qind, duke rishikuar kështu projeksionet e mëparshme të cilat flisnin për një nivel në 1.3 për qind. Ndërkohë për vitin 2015 ka ruajtur të njëjtin parashikim prej 2 për qind.


Tregu i eksporteve pritet të dobësohet gjatë vitit të ardhshëm, por Banka e Spanjës shprehet se përmirësimi i kushteve financiare, zhvlerësimi i kursit të këmbimit të euros dhe çmimet e ulëta të naftës do të kompensojnë diçka të tillë.

Ndërkohë shpenzimet e konsumit janë regjistruar në rritje gjatë tre-mujorit të fundit të vitit. Spanja vjen nga një luftë 6 vjeçare me recesionin, por tashmë është kthyer në një nga vendet që po rimëkëmbet me hapin më të shpejtë në Eurozonë./Telegrafi/