LAJMI I FUNDIT:

Rihapet tentim-vrasja e 2011-s, dyshohet për përfshirje të dy policëve hetues

Rihapet tentim-vrasja e 2011-s, dyshohet për përfshirje të dy policëve hetues

Pas pesë vjetësh, Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka rihapur hetimet në një rast të tentim-vrasjes, për të cilën një person është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg.

Vendimi për hapjen e hetimeve është marrë pasi vitin e kaluar, i dënuari Kastriot Grajçevci, ka nxjerrë në sipërfaqe të dhëna të tjera për ngjarjen, që thotë se tregojnë që është kërcënuar për ta marrë përgjegjësinë e veprës prej disa personave, shkruan sot “Koha Ditore”.


Këta persona, sipas tij, janë kryerësit e vërtetë të saj.

Grajçevci ka denoncuar në Inspektoratin Policor dy policë që sipas tij kanë qenë të përfshirë në montimin e rastit bashkë me peronat që e kanë kërcënuar atë.

Inspektorati dhe Policia ia kanë konfirmuar gazetës suspendimin e këtyre dy policëve.

Në bazë të dosjes, e cila është siguruar “Koha Ditore”, i plagosuri dhe njëherësh i dëmtuari në këtë ngjarje, Bahri Nika, në polici kishte deklaruar se ishte plagosur nga personi me inicialet A. A. (emër i njohur për redaksinë), si dhe nga disa persona të tjerë, familjarë e shokë të tij.