LAJMI I FUNDIT:

Rezultatet e zgjedhjeve te pritshme apo befasuese?

Zgjedhjet e mbajtura më 12 dhjetor ishin zgjedhjet e para të jashtëzakonshme dhe zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura në vendin tonë, si dhe të organizuara nga institucionet e Kosovës. Qytetarët e republikës së Kosovës në këto zgjedhje me vullnetin e tyre, të cilin e shprehen përmes votimeve, pothuajse ndryshuan skenën politike në vendin tonë, në njërën anë duke ndëshkuar opozitën, ndërsa në anën tjetër duke i dhënë prapë besimin partisë e cila ishte në pushtet. Zgjedhjet nacionale u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Ishin të monitoruara nga mekanizmat vendor e ndërkombëtar. Misioni monitorues ndërkombëtar i zgjedhjeve ENEMO kishte angazhuar rreth 85 ekipe mobile dhe188 vëzhgues në ditën e zgjedhjeve, ku vlerësuan se procesi i zgjedhjeve në Kosovë është zhvilluar sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare, por sipas tyre ka pasur disa dobësi procedurale.

Në bazë të rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ-ja del se Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmohet si partia e parë në Kosovë edhe pse të gjithë u bashkuan kundër saj, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse pati disa ndryshime në hierarkinë e saj, pati ngritje vetëm 1%, kështu qe ndryshimet dhe reformat në LDK nuk patën ndonjë efekt. Befasia e këtyre zgjedhjeve ashtu si u vlerësua nga shumica e njerëzve të zakonshëm, por jo edhe atyre qe i njohin çështjet politike ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli partia e tretë në këto zgjedhje. Subjektet tjera politike AAK, AKR, LDD dhe FER nuk arritën synimet e tyre apo edhe disa prej tyre patën rënie në këto zgjedhje, kështu që do të duhej që secila nga këto parti politike t’i analizojnë shkaqet e mosrritjes së fuqisë së tyre elektorale apo edhe mos kalimit të pragut zgjedhor. Konsolidimi i këtyre partive dhe oferta me serioze karshi qytetareve do t’i ndihmonte në rritjen e besimit të qytetarëve, por edhe demokracisë së Kosovës.


Risi në këto zgjedhje ishte edhe kontestimi i rezultateve zgjedhore nga shumica e subjekteve politike, gjë qe nuk ka qenë praktikë në vendin tonë dhe nuk do t’i ndihmoj aspak demokracisë. Subjektet politike të Kosovës duhet qe të marrin shembull nga shtetet e zhvilluara demokratike perëndimore e jo nga shteti amë Shqipëria sa i përket procesit të zgjedhjeve. Në rast se ka pasur parregullsi në procesin zgjedhor, atëherë janë organet kompetente pranë të cilave duhet te shtrohen ankesat dhe parashtresat dhe të cilat duhet qe të thonë fjalën e tyre, mirëpo ashtu sikurse që bëhen ankesat në këto organe ashtu edhe duhet t’i respektojnë vendimet e tyre të gjitha partitë politike.

Vendimi i fundit i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP që te anulohen votimet në Drenas, Skenderaj e Deçan, si dhe në një qendër votimi në Malishevë dhe një në Lipjan, është vendim i drejtë dhe i bazuar në fakte, pa marre parasysh se a u pëlqen partive politike. Ky vendim është ne përputhje me ligjin për zgjedhjet dhe atë me nenin 120, paragrafi 1, pika D, ku thuhet se para certifikimit të rezultateve është ne përgjegjësi te PZAP-it, te anulojë, përkatësisht te çojë në rivotim një ose me shumë vendvotime apo qendra të votimit.

Vlen të theksohet se nga shumica e partive politike është një tendencë që për parregullsitë ne zgjedhje të drejtohet gishti vetëm nga Drenica, gjë qe është e turpshme, kur dihet se parregullsi ka pasur në shumë pjesë të Kosovës e jo vetëm në Drenicë.
Drenica është treva e cila ka bërë sakrificë, mund dhe ka derdh gjak për lirinë e këtij vendi, është treva e cila ka dëshmuar veten në të gjitha periudhat, është treva e cila në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovën e pasluftës, përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve ka qenë më e madhe se në çdo vend tjetër. Prandaj edhe në këto zgjedhje nuk duhet qe të befasohemi me pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve, sepse në Drenicë pjesëmarrja gjithmonë ka qen mbi 80%.

(Autori vijon studimet master në Fakultetin Juridik, Drejtimi Civil, në UP)