LAJMI I FUNDIT:

Rezistoni ndaj “lajmeve të rreme”, por mos e ekzagjeroni fuqinë e tyre

Rezistoni ndaj “lajmeve të rreme”, por mos e ekzagjeroni fuqinë e tyre
Ilustrimi: Ben Hickey / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në epokën e së drejtës universale për votim, ndodhi një nga shembujt më të hershëm dhe më famëkeq të “lajmeve të rreme” të cilat synonin të ndryshonin zgjedhjet. Lordi Rothermere, pronar i Daily Mail-it të Londrës, nuk e kishte asnjë dyshim se ia doli mbanë. Një javë pas zgjedhjeve të mbajtura në Mbretërinë e Bashkuar, në tetor 1924, ai i shkroi rivalit të tij, Lordit Beaverbrook të Daily Express-it, duke pretenduar se e ashtuquajtura Letra e Zinovievit i kishte kushtuar Partisë Laburiste me rreth 100 ulëse dhe se kështu kontribuoi në humbjen e saj dërrmuese nga opozita konservatore.

Letra ishte dokument i falsifikuar të cilën supozohej se e kishte pranuar Partia Komuniste e Britanisë – aq e vogël saqë ishte e parëndësishme në politikën zgjedhore – nga kreu i Kominternit sovjetik, Grigory Zinoviev. Në letër thuhej se ishte “e domosdoshme për të nxitur masat e proletariatit britanik” dhe për të bërë propagandë në forcat e armatosura në mënyrë që ato të mund “të paralizonin të gjitha përgatitjet ushtarake të borgjezisë”.


Njëqind vjet më vonë, më shumë se 70 vende kanë mbajtur ose do të mbajnë zgjedhje në këtë vit, duke përfshirë rreth gjysmën e popullsisë së rritur të botës. Disa janë të lira, gara të konkurrencës. Të tjerat janë rituale boshe të orkestruara nga autokratët. Megjithatë, të paktën në vendet demokratike, perceptimi se “lajmet e rreme”, dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit mund të ndikojnë në zgjedhje, është po aq i përhapur sa ishte në Mbretërinë e Bashkuar më 1924.

Kërcënimi padyshim që ekziston, por ndonjëherë po ekzagjerohet ndikimi i “lajmeve të rreme”. Pas garës presidenciale të vitit 2016 në ShBA, në të cilën në mediat sociale u bënë shumë ndërhyrje malinje nga rusët, studiuesit vlerësuan se rreth 25 për qind e amerikanëve kishin vizituar një faqe të “lajmeve të rreme” në internet, në periudhën gjashtë javore rreth kohës së votimit.

Megjithatë, gjithashtu zbuluan se rreth 10 për qind e lexuesve përbënin 60 përqindëshin e vizitave. Ata arritën në përfundimin se “lajmet e rreme nuk e pengojnë konsumin e lajmeve të vështira”. Me fjalë të tjera, fitorja e Donald Trumpit ndaj Hillary Clintonit kishte arsye më të thella sesa manipulimin rus – edhe pse kandidatja demokrate e cila humbi, nuk gaboi kur bëri me dije për “epideminë e lajmeve keqdashëse të rreme dhe për propagandën e rreme që vërshoi mediat sociale gjatë vitit të kaluar”.

Me aftësi dhe vendosmëri, demokracitë mund të luftojnë kundër “lajmeve të rreme”. Shembull i mirë janë zgjedhjet e janarit në Tajvan. Lai Ching-te, kandidati i Partisë Progresive Demokratike në pushtet, doli fitues pavarësisht fushatës të gjerë të dezinformimit të bërë nga Kina. Studiuesit besojnë se zyrtarët zgjedhorë të Tajvanit, mediat lokale dhe kontrolluesit e fakteve bënë punë të mirë në neutralizimin e ofensivës kineze.

Ndonjëherë, “lajmet e rreme” duken të panevojshme për të arritur rezultatin e dëshiruar. Në zgjedhjet e 2019-ës në Mbretërinë e Bashkuar, konservatorët përgatitën një video për të bërë me dije se Sir Keir Starmer nuk mund t’i përgjigjej pyetjes në lidhje me Brexit-in. Gjithashtu, për një kohë të shkurtë e riemëruan llogarinë e tyre zyrtare në Twitter, factcheckUK, për të sugjeruar se ky ishte shërbim i pavarur i kontrollit të fakteve. Me pak fjalë, ishte punë e kotë. Votuesit britanikë aq shumë u larguan nga Jeremy Corbyni, nga lideri radikal i majtë laburist, saqë konservatorët ishin gjithsesi të sigurt për fitoren.

Zgjedhjet e vitit 1924 na japin një mësim të ngjashëm për të mos e mbivlerësuar rolin e “lajmeve të rreme”. Sipas mitit laburist, gara mbahet mend si shembull i poshtër i konservatorëve të cilët punojnë krah për krah me shërbimet sekrete dhe me shtypin e djathtë për të diskredituar të majtën. Ekspozimi i parë [Exhibit One] është Letra e Zinovievit dhe Ekspozimi i dytë [Exhibit Two] është kryetitulli i Daily Mail-it i botuar më 25 tetor, katër ditë para zgjedhjeve: “Komploti i luftës civile i krerëve socialistë”.

Se si Daily Mail ka marrë një kopje të letrës, e cila ndoshta ishte shkruar nga një ish-oficer carist, kjo nuk është vërtetuar kurrë përfundimisht. Por, Gill Bennett, historiania e cila bëri shkrimin më të vlefshëm rreth çështjes, në një libër të vitit 2018 tha se oficerët ushtarakë, shefat e inteligjencës, nëpunësit civilë, politikanët dhe pronarët e gazetave me prirje konservatore, “kishin motive dhe mundësi ta siguronin letrën dhe të siguroheshin se do të bëhet publike”.

Megjithatë, ajo dhe historianët e tjerë pajtohen se letra në rastin më të mirë ka luajtur rol të vogël në fitoren e konservatorëve më 1924. Laburistët në fakt fituan një milion vota më shumë se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Faktorët vendimtarë ishin suksesi i konservatorëve për të kapërcyer ndarjet e brendshme dhe izolimi i votës liberale. Liberalët u angazhuan në shumë më pak zona elektorale se në vitin 1923, pjesërisht sepse David Lloyd George refuzoi të përdorte fondin politik personal për të paguar për një fushatë më të madhe.

Asnjë nga këto nuk i justifikon marifetet e ndyra të konservatorëve të vitit 1924. Por, mospëlqimi ynë i bazuar ndaj “lajmeve të rreme”, nuk duhet të na shtyjë ta ekzagjerojmë rëndësinë e tyre ose të kemi frikë se demokracitë janë të pafuqishme në përballimin e tyre. /Telegrafi/