LAJMI I FUNDIT:

Revizioni – mjet i jashtëzakonshëm juridik i procedurës kontestimore në Gjykatën Supreme

Revizioni – mjet i jashtëzakonshëm juridik i procedurës kontestimore në Gjykatën Supreme

Ardita Morina
Avokate

Revizioni është mjet i jashtëzakonshëm juridik ku qytetarët shpeshherë nuk janë në dijeni për këtë të drejtë që mund të shfrytëzojnë në raport me kontestin e tyre


Qytetarët të drejtë e tyre mund ta ushtrojnë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit, i cili e bënë të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm vendimin e Gjykatës Themelore.

Kundër Aktgjykimit të shkallës së dytë – Apelit, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit ose përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër po qe se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk e kalon 3000€.

Përjashtimisht revizioni gjithmonë është i lejuar në kontestet për ushqim, në kontestet për shpërblimin e dëmit, për ushqimin e humbur, për shkak të vdekjes së dhënësit të ushqimit, në kontestet nga marrëdhënia e punës të cilat i fillon i punësuari kundër vendimit për shuarjen e marrëdhënieve të punës.

Për revizionin vendos Gjykata Supreme e Kosovës. Revizioni i paraqitur nuk është pengesë për përmbarimin e aktgjykimit të formës së prerë të goditur.

Revizioni mund të paraqitet për shkak të dispozitave të procedurës kontestimore, për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës material, për shkak të tejkalimit të kërkesëpadisë, po qe se kjo parregullsi është bërë në procedurën e zhvilluar në Gjykatën e shkallës së dytë.

Gjykata Supreme shqyrton aktgjykimin e goditur vetëm në pjesën e tij të goditur me anë të revizionit dhe vetëm brenda kufijve të shkaqeve të treguara në revizion, por gjithnjë duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare për zbatimin e drejtë të së drejtës material dhe për zotësinë për të qenë palë dhe përfaqësim të rregullt.

Palët mund të parashtrojnë me revizion fakte të reja dhe të propozojnë prova të reja vetëm nëse ato kanë të bëjnë me shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore të bëra në procedurën e gjykatës së shkallës së dytë (Gjykata e Apelit). Nëse revizioni paraqitet jashtë afatit ligjor gjykata e shkallës së parë (Gjykata Themelore) me aktvendim e hedhë poshtë, pa mbajtur seancë gjyqësore. Pala kundërshtare në afat prej shtatë ditësh ka të drejtë të parashtrojë përgjigje në revizion.

Gjykata Supreme vendos mbi revizionin, vetëm në bazë të shkresave në dosjen e lëndës, në seancë të trupit gjykues. Revizionin e vonuar, jo të plotë dhe të palejueshëm me aktvendim e hedh poshtë nëse një gjë të tillë nuk e ka bërë gjykata e shkallës së parë (Gjykata Themelore).

Gjykata Supreme e refuzon revizionin si të pathemeltë me anë të aktgjykimit, po qe se konstaton se nuk ekzistojnë shkaqet e cekura.

Nëse Gjykata konstaton se ekziston shkelja e dispozitave të procedurës kontestimore, atëherë me aktvendim e anulon pjesërisht apo plotësisht aktgjykimin e shkallës së dytë dhe të parë, apo vetëm aktgjykimin e shkallës së dytë ia kthen çështjen për rigjykim gjyqtarit tjetër apo të njëjtit të gjykatës së shkallës së parë, gjegjësisht kolegjit tjetër. Në qoftëse gjykata konstaton se e drejta materiale është zbatuar gabimisht me aktgjykim e aprovon revizionin e paraqitur dhe e ndryshon aktgjykimin e goditur.

Po qe se gjykata e revizionit konstaton se për shkak të zbatimit të gabueshëm të së drejtës material, apo për shkak të shkeljeve të rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht, atëherë Gjykata me aktvendim e aprovon revizionin dhe e anulon pjesërisht ose tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, apo vetëm aktgjykimin e shkallës së dytë dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjyqtarëve të njëjtë.

Nëse konstaton se me aktgjykimin e formës së prerë të gjykatës së shkallës së dytë është tejkaluar kërkesëpadia, Gjykata Supreme me aktgjykimin e saj e aprovon revizionin e palës dhe e ndryshon aktgjykimin e goditur.

Vendimi i gjykatës u dërgohet palëve nëpërmjet gjykatës së shkallës së dytë brenda afatit 30 ditor. /Telegrafi/