LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti i Kuvendit

Parimi i reciprocitetit gjen zbatim në të gjitha raportet ndërmjet shteteve sovrane, pavarësisht sistemit të qeverisjes dhe fuqisë se tyre. Veç kësaj, reciprociteti është formula e funksionimit të organizatave ndërkombëtare pa marrë parasysh karakterin e tyre. Reciprociteti dhe sovraniteti që lindën se bashku në Traktaktin e Vestfalisë dhe që u konfirmuan me traktatet e mëvonshme përbëjnë elementet kryesore në marrëdheniet ndërkombëtare. Këto kategori shtetërore janë të ndërlidhura dhe bashkëveprojnë në sistemin ndërkombëtar. Nuk mund të imagjinohet sovraniteti pa reciprocitet dhe anasjelltas.

Kosova nuk është e pafuqishme në raport me Serbinë, ashtu siç e paraqet Qeveria e Kosovës. Nëse Kosova nuk mund ta detyrojë Serbinë që të na njohë shtetin tonë, atëherë mund të mos e njohë shtetin e Serbisë. Nëse Kosova nuk mund të dërgojë mallrat në tregun e Serbisë, mund të bllokojë mallrat e saj në tregun tonë. Nëse dokumentet e shtetit tonë nuk janë valide për Serbinë, vendi ynë mund t’i trajtojë njësoj dokumentet e Serbisë. Këto dhe masa tjera reciprociteti i përmban mocioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.


Mocioni i Kuvendit të Kosovës për masa reciprociteti të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë është vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit në këtë legjislaturë. Madje është hera e parë në ketë legjislaturë që Kuvendi nuk ndikohet aspak nga Qeveria ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Kuvendi e mori rolin e vet si organi më i lartë në hierarkinë shtetërore në funksion të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm shtetëror. Edhe në ketë vendim të Kuvendit, Qeveria bëri përpjekje dëshpëruese duke bërë presion tek deputetët me qëllim që të zhbëhet vendimi për reciprocitet. Të njëjtat përpjekje i bëri edhe ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

Ambasadori i Francës në Prishtinë u dallua me fyerjet e tij publike duke e quajtur vendimin e Kuvendit për reciprocitet si gjest fëmijëror. Nuk është hera e parë që ambasadori Fitu me deklaratat e tij skandaloze i kapërcen limitet e një ambasadori. Nuk është detyrë e ambasadorëve që t’i hartojnë politikat dhe të përcaktojnë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjnë institucionet në vendet ku ata janë të akredituar. Vendi që Fitu e përfaqëson është shembull dhe promovues i demokracisë, lirisë dhe barazisë. Ambasadori Fitu nuk po i reflekton këto vlerat të çmueshme franceze.

Çdo qeveri e udhëhequr nga cilido subjekt politik është e detyruar që të ekzekutojë vendimin e Kuvendit për reciprocitet në përpikëri. Zbatimi i ndonjë agjende tjetër që bie ndesh me ketë vendim është antiligjor dhe antikushtetues. Deklaratat e zyrtarëve qeveritarë se kemi reciprocitet me Serbinë janë gënjeshtra të padurueshme. E vërteta është se çdo raport me Serbinë është tërësisht joreciprok. Masa reciprociteti me Serbinë që nga shpallja e pavarësisë kemi pasur vetëm disa javë edhe atë vetëm në fushën e tregtisë. Kaq ka pasur vullnet dhe guxim Qeveria jonë për ta mbrojtur dhe ndihmuar shtetin tonë.

Qeveria e Kosovës ka dështuar që të bëjë Kosovën plotësisht sovrane dhe me integritet territorial. Për me tepër, kjo Qeveri i ka tejkaluar kufijtë e neglizhencës, keqqeverisjes dhe keqpërfaqësimit. Kjo është arsyeja që kemi një varfëri dhe papunësi të lartë dhe negociata politike me Serbinë që nuk po iu duket fundi. Negociatat në Bruksel që po i zhvillon Qeveria e Kosovës me Serbinë po prodhojnë marrëveshje që nuk kanë të bëjnë fare me shtetndërtimin dhe reciprocitetin. Marrëveshjet e mëhershme me Serbinë dhe marrëveshja e fundit për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve ( jo të kufijve) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë veçse po e zbehin sovranitetin e shtetit tonë.

Marrëveshjet e deritanishme me Serbinë nga Qeveria po cilësohen si të arritura dhe vlera evropiane. Duke i quajtur kështu marrëveshjet me Serbinë, Qeveria jonë po përçon mesazhin tek BE-ja se Serbia në raport me Kosovën ka qasje evropiane. Megjithatë me të drejtë disa shtete të BE-së mendojnë se Serbia është larg standardeve demokratike evropiane. Kjo ishte arsyeja që Këshilli i Evropës nuk i dha Serbisë statusin e vendit kandidat në këtë vit. Nëse nuk ndërpriten bisedimet me Serbinë do të rriten gjasat që ky vend armik në të ardhmen e afërt të marrë statusin e kandidatit për në BE pa ndryshuar politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Në rrethana të tilla, sa me afër BE-së që të jetë Serbia aq më larg nga BE-ja do të jetë Kosova.