LAJMI I FUNDIT:

Raportimi i Simmons për keqpërdorimet në EULEX nxiti debate dhe dilema, çfarë tutje?

Raportimi i Simmons për keqpërdorimet në EULEX nxiti debate dhe dilema, çfarë tutje?

I paralajmëruar tash e një vit, të hënën ndodhi raportimi i ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, jo në Kuvendin e Kosovës, siç ishte paralajmëruar, por para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Simmons përmes një video-lidhjeje ka raportuar për skandalet e EULEX-it në Kosovë përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet te dëshmitarët.

Ai tha se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshq të mëdhenj”, duke i dënuar.


“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqit e mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata. Nëse ju vendosni të hapni një hetim të plotë, unë dua t’ju ofroj detaje të plota të rasteve kur ka pasur ndërhyrje në hetime”, tha Simmons.

Ish-kryegjykatësi i EULEX-it tha se kishte ndërhyrje edhe në e-mailet e tij.

Ai tha se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishte rasti i njohur si “Kleçka” dhe “Drenica 1 dhe 2” – ku ishin të përfshirë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ishin parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Telegrafi.

Simmons: Kishte ndikime politike në rastin “Kleçka” e “Drenica 1 dhe 2”, EULEX-i u dha prokurorëve serbë informata për dëshmitarët
Lexo po ashtu Simmons: Kishte ndikime politike në rastin “Kleçka” e “Drenica 1 dhe 2”, EULEX-i u dha prokurorëve serbë informata për dëshmitarët

Sipas tij, kërkohej dënimi i pjesëmarrësve në këtë rast, duke shtuar se “shfajësimi konsiderohej si dështim”.

Ai ka tutje ka shtuar se gjyqtarët e EULEX-it ishin mjet për të arritur objektivat politike.

Simmons gjithashtu shtoi se EULEX-i ka transferuar të dhëna në Serbi, që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës.

Ai tha se EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për të hetuar dhe gjykuar këto raste. Simmons ka thënë se në vitin 2014 ka zbuluar se shumë dokumente të tilla i janë dhënë Serbisë.

Më tej ai ka shtuar se EULEX-i dhe Bashkimi Evropian asnjëherë nuk i kanë mohuar këto akuza, derisa ka deklaruar se i janë kundërpërgjigjur me sulme.

Ndaj deklarimeve të Simmons ka reaguar EULEX.

EULEX-i reagon për akuzat e ish-gjyqtarit Malcolm Simmon
Lexo po ashtu EULEX-i reagon për akuzat e ish-gjyqtarit Malcolm Simmon

Sipas tyre, deklarata e Malcolm Simmons është një koleksion i hamendësimeve të pamenduara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale.

“Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, meqë deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar – ai është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkelje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta. Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vet BE-së. Kjo po ashtu është pasqyrim i pakënaqësisë

Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, Z. Simmons është angazhuar në një fushatë të qëllimshme dezinformuese në lidhje me keqbërjet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX, të cilat synojnë t’i shërbejnë motiveve të fshehta konkrete”, thuhet në reagim.

Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, EULEX thotë se Simmons është angazhuar në një fushatë të qëllimshme dizinformuese lidhur me keqbërjet gjoja ndodhin gjatë kohës së tij në EULEX të cilat kanë për qëllim të shërbejnë motivet konkrete të fshehta.

Sipas EULEX, gjatë deklaratës së tij, Simmons ka pranuar të ketë pasur kontakte me palët e treta në rastet e vazhdueshme, e cila është një shkelje e parimeve themelore gjyqësore, duke e shikuar këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar misionin dhe si një reflektim i pakënaqësisë së tij totale në rezultatin e tri hetimeve që janë kryer kundër tij nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe që i janë dorëzuar autoriteteve deleguese të Mbretërisë së Bashkuar (MB) për veprime të mëtejme.

Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi Simmons, i cili i është kundërpërgjigjur EULEX-it, duke kërkuar që të bëjë një hetim të plotë publik, e më pas “t’ua lënë qytetarëve të Kosovës të gjykojë kush po e thotë të vërtetën”.

Simmons, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka thënë se EULEX-i çdoherë e ka zvetënuar të vërtetën dhe drejtësinë.

Reagimet e shoqërisë civile dhe avokatëve ndaj deklarimeve të ish-gjykatësit Simmons 

Deklarimet e Simmons kanë ngjallur reagime edhe të shoqërisë civile, por edhe të avokatëve dhe të ish-luftëtarëve të UÇK-së, që ishin pjesë e proceseve gjyqësore.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se mandati i EULEX-it në Kosovë ka qenë politik.
“Edhe Simmons po e thotë tash që EULEX-i ka bërë shantazhe politike në lidhje me marrëveshjet në dialog. Edhe politikanët e fortë e kanë përdorë EULEX-in e për të eliminuar politikanë të caktuar nga politika”, tha ai në “Debat Plus”.

Ai thotë se EULEX- në Kosovë ka përgjuar me të madhe dhe pa respektuar procedurat ligjore.

Janë avokatët të cilët i kanë mbrojtur të akuzuarit në rastin “Drenica” dhe atë “Kleçka” të cilët e vlerësojnë si të mirë raportimin e ish-gjykatësit Malcom Simmons. Por, gjithashtu vlerësojnë se ky raportim është i vonuar.

Avokatja Fehmie Gashi thotë se raportimi i Simmons tregon se Kosova është dashur të formojë gjykata vendore menjëherë pas luftës.

“Edhe zoti Simmons është vonuar në dëshminë e tij. Gjithsesi do të duhej të kishim prova tjera për të mbështetur dëshmitë e tij. Megjithatë dëshmia e Simmons është dritë në fund të tunelit në lidhje me manipulimet e mundshme që janë bërë me shoqërinë kosovare. Ndoshta edhe klasa politike nuk ka treguar profesionalizëm sa duhet në këtë drejtim”, deklaroi avokatja Fehmie Gashi.

Tomë Gashi, avokat në Rastin “Drenica”, thotë se raporti i Simmons është i vonuar. Sipas tij mbrojtja e të akuzuarve në Hagë duhet të ftojë Simmonsin si dëshmitarë në Hagë për të dëshmuar për padrejtësitë që janë bërë.

“Simmonsin duhet ta ftojnë avokatët e të dyshuarve në Hagë, duke filluar nga zoti Thaçi deri te Pjetër Shala për të sqaruar për situatat që kanë ndodhur në EULEX. Një pjesë e dëshmitarëve të mbrojtur janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm të largohen nga Kosova dhe të përfitojnë të mira materiale”.

Sabit Geci: Hetuesit e EULEX-it ma ofruan çantën me para

Njëri nga ish-komandantët e UÇK-së, Fatmir Limaj, ish i akuzuar nga EULEX-i, po e vlerëson alarmante dëshminë e Malcolm Simmons në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se në bazë të deklarimeve të tilla, mund të ketë shumë të tjerë të cilët mbahen padrejtësisht në burgje.

Limaj u shpreh se këto janë dëme të pariparueshme.

Edhe ish-eprori i UÇK-së, Sabit Geci ka rrëfyer për përjetimet e tij me hetuesit e EULEX-it.

Ai në një lidhje telefonike në “Debat Plus” ka thënë se është shantazhuar nga hetuesit e EULEX-it në shumë mënyrë për të dëshmuar kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Hetuesit e EULEX-it ma ofruan çantën me para. Më kanë thënë preke hartën ku po dëshiron me jetua. Ju kam thënë e dua vetëm Dubravën (burgun), asnjë vend tjetër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Akuza për keqpërdorime dhe korrupsion kishte ngritur edhe ish-prokurorja britanike, Maria Bamieh. Ajo akuzoi këtë mision për largimin të padrejtë nga puna pasi bëri akuza për korrupsion kundër prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.

Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britani të Madhe.

EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendi nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.

Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro. Bazuar në vendimin e fundit të mekanizmave të BE-së, EULEX-i ka mandat deri më 14 qershor, 2023 duke pasur një mandat të kufizuar.
Që nga viti 2017 kur Simmons është larguar nga misioni i EULEX-it, ai ka bërë akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që janë udhëhequr nga EULEX-i.

EULEX pati reaguar edhe më herët ndaj pretendimeve të Simmos, duke thënë se pas akuzave që ka bërë ai në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor, i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, ka hetuar pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.  /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Mbahet seanca gjyqësore për rastin

Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor

Drejtësi
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Kronika e Zezë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Kalo në kategori