LAJMI I FUNDIT:

Raporti mes shtypit dhe pushtetit në Shqipëri, pas Kongresit të Lushnjës

Raporti mes shtypit dhe pushtetit në Shqipëri, pas Kongresit të Lushnjës
Ilustrim

Nga: Hasan Bello

Kongresi i Lushnjës i vitit 1920 krijoi premisat që elita politike e kohës të merrte masa për ndërtimin e institucioneve kombëtare dhe për hartimin e legjislacionit të nevojshëm për mbarëvajtjen e jetës politike.


Në përputhje me këto rrethana, shtypi u pa si një mjet i cili duhet t`i shërbente shtetit, për të stabilizuar situatën. Më 24 maj 1921, ministri i Brendshëm Mehdi Frashëri shpërndau një qarkore ku urdhëroi: ndalimin e gazetave të cilat botonin lajme që nxisnin popullsinë për t`u rebeluar; përgënjeshtrimin e artikujve me karakter dezinformues; si dhe mos dhënie leje për ato organe që financoheshin nga të huajt.

Për të mbajtur nën kontroll shtypin, çdo botues ishte i detyruar që një kopje ta dorëzonte në Prefekturë dhe një tjetër në Prokurori. Kjo ishte një masë frenuese, sepse situata politike brenda vendit nuk ishte stabilizuar. Lëvizjet anti-qevritare, si nga opozita ashtu edhe nga jasht kufirit, ishin të pranishme nga çasti në çast. Prandaj, duke pasur parasysh këto rrethana, një veprim i tillë ishte plotësisht i justifikueshëm.

Në organet e kësaj periudhe, liria e shtypit perceptohej si diçka e nevojshme pavarësisht pengesave dhe artikulimeve për të si “mikrob i propagandës”. Shtypi konsiderohej si i vetmi mjet për të parandaluar abuzimet e administratës dhe për ta mbajtur atë nën kontroll të vazhdueshëm për zbatimin e ligjit. Sigurisht që ekzistenca e një numri të madh gazetash e ulte rrezikun e përdorimit të tyre si mjet shantazhi.

Prandaj, liria e shtypit eliminonte përdorimin e tyre jashtë misionit informues. Si model i shtypit shqiptar, sipas “Postës së Korçës” duhet të ishte shtypi anglez. Gazetat britanike të cilat para një shekulli quheshin “kurvë me venome”, tashmë përbënin një model dije. Dëshira kombëtare e quante lirinë e shtypit dhe të fjalës si pikën kryesore të qytetërimit të një populli. Ajo e konsideronte mungesën e lirisë së shtypit si shenjë tiranie. Një nga funksionet kryesore të medias së shkruar, sipas kësaj gazete, ishte mbrojtja e të drejtave të individit nga padrejtësitë. Monopolizimin e shtypit, ky organ e quante një akt djallëzorë me prapavijë okulte. Ky veprim kishte si qëllim kryesorë keqpërdorimin e informacionit dhe manipulimin e masave. Kjo tregon se fenomeni negativ i monopolizimit të shtypit i ka fillesat që në vitet e para të konsolidimit të shtetit shqiptar. Dëshira kombëtare nuk ishte kundër kritikës. Madje, ky organ e konsideronte kritikën si shenjë përparimi. Por, me kushtin që ajo t`i përmbahej parimeve dhe mos t`i kalonte caqet. Ajo ishte kundër përdorimit të fjalëve që cenonin nderin e të kritikuarit. Kjo gazetë pasi vinte në dukje fuqinë që kishte shtypi, për të transformuar shoqërinë, shtronte problemin se ai duhet të ishte në duar të ndershme.

Në këtë periudhë, gazetat konsideroheshin si mjet i nevojshëm me rol të pazëvendësueshëm për emancipimin dhe zhvillimin kombëtar. Megjithëse gazeta “Koha” e quante të domosdoshme ekzistencën e shtypit, ajo e shihte me shqetësim mungesën e profesionalizmit. Në këtë periudhë shtypi konsiderohej si formësues i opinionit publik.

Megjithatë, nuk munguan shkrime të cilat artikulonin hapur se misioni i shtypit duhej të ishte në funksion të interesit kombëtar.

Sipas Mid`hat Frashërit, detyra e atyre që shkruanin dhe botonin ishte që të ngjallnin tek zemrat e lexuesit dashurinë për Shqipërinë; të zgjonin tek ata besimin në vetvete dhe tek kombi; të shtonin dëshirën për t`u bërë më të mirë, më të përparuar, më të lartësuar, duke u mbështetur tek puna, vullneti dhe patriotizmi. Autori është koshient për të metat e shtypit dhe shoqërisë shqiptare. Nevojat materiale dhe morale ishin, sipas tij, një boshllëk më vete.

Prandaj, ai bën thirrje se shpresa e përparimit varej vetëm nga populli shqiptar, nga puna dhe vullneti që do të tregonte. Ndërtimi dhe konsolidimi i institucioneve në këtë periudhë kishte shfaqur një sërë problemesh, të cilat vinin si rezultat i një procesi të natyrshëm.

Shqipëria ishte në fazën embrionale të shtetformimit. Mirëpo, këto probleme kishin ngjallur pakënaqësi tek disa individë dhe grupime politike. Kjo ishte reflektuar edhe në faqet e shtypit në trajtën e kritikave dhe polemikave, që shpesh i kalonin të gjitha caqet. Një veprim i tillë, edhe kur ishte krejtësisht i justifikueshëm, ishte me pasoja për një shtet të pakonsoliduar.

Prandaj, Mid`hat Frashëri kërkoi hapur që shtypi mos t`ia thyente kombit shpresën dhe kurajon. Nuk duhej harruar se shoqëria shqiptare ishte në fillesat e jetës së saj politike dhe problemet të tilla ishin krejtësisht normale. Ai e konsideronte kriticizmin si diçka të lehtë. Por, nga ana tjetër, kërkoi nga gazetarët se duke kritikuar shtetin apo qeverinë, duke nxirë gjithçka në sytë e popullit, thyhej kurajoja e njerëzve dhe ngjallej një frikë e panevojshme. Frashëri i referohej një thënie, sipas së cilës, gjeneralët e mëdhenj ishin të mendimit se, suksesi i një ushtrie varej nga besimi që çdo ushtar kishte në vetvete. Pikëpamjen se administrata vendase mund të përparonte vetëm nëse vinin organizatorë të huaj, ai e konsideronte regresiste. Sipas tij, ata mund të kontribuonin vetëm nga ana metodologjike.

Në këtë periudhë, komisioni i patentës vendosi edhe një taksë për gazetarët e cila shkonte deri në 30 franga ari në vit. Kjo u kontestua nga shtypi, duke e konsideruar si diçka të padrejtë. Sipas tyre, profesioni i gazetarit ishte mision dhe ushtrohej mbi baza vullnetare. Ai nuk ishte burim të ardhurash siç ndodhte me profesionet e tjera.

Gazetat e kohës ngrinin problemin e mos informimit siç duhej nga Zyra e Shtypit. Kjo sidomos për lajmet e agjencive të huaja të cilat ishte e pamundur për t`u siguruar. Vështirësia në fjalë, më tepër se mungesë vullneti për të bashkëpunuar, vinte për shkak të pamundësisë financiare që Zyra e Shtypit kishte për t`i paguar agjencive ndërkombëtare. Prandaj, Zyra e Shtypit i bëri të ditur kritikuesve se ajo nuk ishte një agjenci lajmesh, por një organ qeveritar në shërbim të shtetit.

Marrëdhëniet e Zyrës së Shtypit me gazetat konsideroheshin si raporte midis dy rrymave të kundërta. Kjo për faktin se ndërsa e para përfaqësonte qeverinë dhe interesat e shtetit, shtypi kishte si mision informimin dhe të vërtetën. Gazeta “Fjal e lirë” kritikoi ndalimin botimit të bisedimeve parlamentare në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen e gazetës “Dielli” në Shqipëri, për shkak të kritikave të Faik Konicës ndaj qeverisë. Ajo i bënte thirrje qeverisë që, për ndriçimin e opinionit publik dhe interesin e shtetit:

– Të votonte sa më shpejt ligjin e shtypit në bazë të parimeve kushtetuese;

– Të mblidhej një kongres i shtypit kombëtar nën drejtimin e Zyrës së Shtypit, ku të vendosej disiplina, programi i punës dhe mënyra e mbarimit të detyrës;

– Të anulohej vendimi i cili ndalonte hyrjen e gazetës Dielli duke ia lënë këtë problem ligjit dhe gjykatës;

– Të vazhdonte botimi i bisedimeve parlamentare në Fletoren Zyrtare

– Përgënjeshtrimet të kishin formë zyrtare dhe të mbështeteshin mbi fakte.

Gazeta mbante një qëndrim parimor për sa i përket kritikave të shtypit. Ajo shkruante se ato duheshin bërë me edukatë, duke ruajtur nderin dhe interesat e shtetit. Emërimi i arbëreshit dhe gazetarit të afirmuar, Dr. Terenc Toçit në krye të Zyrës së Shtypit, u mirëprit nga intelektualët e publicistët shqiptarë. Ai njihej për përvojën e çmuar, e sidomos për patriotizmin e treguar që në periudhën e Rilindjes. Kjo u vu re nga një telegram që ai i drejtoi të gjitha gazetave, ku tregohej i gatshëm, për rritjen e frymës së bashkëpunimit.

Në këtë periudhë raportet mes shtypit dhe pushtetit u karakterizuan nga problematika të ndryshme. Mihal Grameno, megjithëse ishte për ruajtjen e etikës profesionale të shtypit, përsëri ankohej ndaj dënimit të gazetës “Koha”. Ai e quante këtë një vendim të padrejtë, duke kujtuar se dënime të ngjashme kishte pësuar vetëm në kohën e Perandorisë Osmane.

Nuk munguan edhe raste siç ishte letra e një qytetari lidhur me një njoftim të pakonfirmuar te “Posta e Korçës” ku ai akuzohej si kryetar bande dhe i biri si autor i një vrasjeje. Pasaktësi të tilla dhe sidomos fyerjet nuk ishin të rralla për shtypin. Madje, drejtori i kësaj gazete ishte dënuar më parë me dy muaj burg.

Ajo që vihet re në këtë periudhë është fakti se ndaj kryeredaktorëve dhe gazetarëve nuk munguan edhe raste të dhunshme. Një rast tipik ishte ai mbi avokat Agjah Libohovën, i cili ushtronte funksionin e kryeredaktorit te “Fjal e lirë”. Si shkak shërbeu një artikull “investigativ” që vinte në pah abuzimet e vëllezërve Kokoshi. Kjo e shtyu Muharrem Kokoshin, të vëllain e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, të shtinte me armë mbi Agjah Libohovën.

Raste të dënimit të gazetarëve apo të dhënies së pafajësisë nga gjykatat përbënin diçka normale. Kështu, vendimin e Gjyqit të Paqit për dënimin e drejtorit të gazetës “Koha”, Koço Grameno, me gjobë pesë franga ar për botimin e artikullit “Shqipëri apo Turqi”, Gjyqi i Diktimit e anuloi duke e konsideruar atë si të pafajshëm. Por, nuk munguan edhe raste kur ndodhi e kundërta, kur drejtorët apo gazetarët dënoheshin për hamendjesime dhe epitete, të cilat nuk përbënin vepër penale.

Një aspekt tjetër kontradiktor mes shtypit dhe pushtetit ishin edhe rastet kur dezinformacionet e botuara nga shtypi i vendeve fqinjë për të destabilizuar politikisht shtetin shqiptar botoheshin pa marrë parasysh ndikimin që ato kishin brenda vendit.

Megjithatë, raporti mes qeverisë dhe shtypit nuk karakterizohej vetëm nga konflikti dhe mosmarrëveshjet. Politikanët e kohës ishin të ndërgjegjshëm se gazetat ishin një mjet i domosdoshëm. Ato konsideroheshin si simbol i shkallës së emancipimit dhe demokratizimit të një shoqërie. Kritikat që ato bënin ndaj institucioneve shtetërore, në një vend të pakonsoliduar, përbënin rrezik për rendin kushtetues dhe stabilitetin e brendshëm. Shtypi, ashtu si krejt mekanizmat e brishtë të shtetit shqiptar reflektonte të njëjtat probleme.

Prandaj, qeveritë e kohës nuk hezituan që herë pas here, me rastin e festave kombëtare, të amnistonin paditë ndaj gazetarëve. Në këtë segment të shkurtër historik, qeveria e Iliaz Vrionit u tregua më liberalja në raport me shtypin.

Megjithëse qeveria shqiptare kishte hartuar një ligj paraprak për shtypin, brenda një kohe të shkurtër ai rezultoi mjaft problematik. Kjo e detyroi atë që të kërkonte alternative të reja në përputhje me specifikat e shoqërisë shqiptare.

Më 29 mars 1922, Këshilli i Naltë i Shtetit aprovoi ligjin e shtypit të miratuar nga qeveria. Ai ishte krejtësisht, ose me pak modifikime, ligji otoman i shtypit i miratuar nga Parlamenti Osman më 31 korrik 1909. Menjëherë pas Revolucionit Xhonturk, elita politike osmane duke marrë si model ligjin francez të shtypit u përpoq të tregonte një frymë liberale. Prandaj, duke u nisur nga këto premisa mund të themi se karakteri krejtësisht “oriental” i këtij ligji, siç pretendonte Faik Konica, nuk është i vërtetë. Përkundrazi, politikanët shqiptarë, duke marrë në konsideratë nivelin e zhvillimit kulturor dhe ekonomik të vendit, rrethanat e brendshme dhe të jashtme, të kaluarën historike të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane për një periudhë relativisht të gjatë, vendosën që të huazonin për një fazë kalimtare legjislacionin osman. Ai u përshtat dhe u redaktua nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë të cilët, ishin personalitete të njohur në fushën e jurisprudencës. Ky ligj gjeti miratimin e plotë të Këshilli të Naltë të Shtetit dhe Kryeministrisë. Ligji vinte bazat fillestare të mbarëvajtjes së jetës gazetareske.

Ligji synonte të krijonte një ekuilibër të brendshëm midis organeve të shtypit, administratës shtetërore, qeverisë, politikanëve, individit dhe interesit kombëtar. Kjo për faktin se institucionet kombëtare ashtu si demokracia e brendshme ishin në fazën embrionale. Në këtë periudhë, roli i shtypit konsiderohej si mision në shërbim të ngritjes së shtetit, edukimit të qytetarëve me frymën kombëtare, bindjes së tyre ndaj ligjeve dhe emancipimit kulturor.

Pretendimet e shfaqura, krahasimet me legjislacionin evropian apo amerikan, nuk përputheshin me realitetin faktik. Në një vend të pakonsoliduar politikisht, me fqinjë që shfaqnin haptazi pretendime territoriale dhe me një ekonomi të dobët, liria e shtypit nuk mund të ishte mbi këto standarde. Prandaj, synimi kryesor i shtetarëve shqiptar, nuk ishte censurimi i shtypit. Por vendosja e tij në shërbim të interesave të vendit.

Kjo u vu re edhe në miratimin e ligjit për shtypshkronjat i cili po ashtu u përkthye dhe u përshtat nga legjislacioni osman. Me shumë pak ndryshime këto ligje vazhduan të aplikoheshin edhe në Turqinë e Mustafa Qemal Ataturkut deri në vitin 1931.

Mirëpo, hartimi i ligjit të shtypit, duke marrë si model legjislacionin osman, nuk u prit mirë nga disa qarqe intelektuale. Në avangardë të kësaj lufte ishte Faik Konica me gazetën “Dielli”. Ai e quante këtë ligj një “pseudo-kanun”, sipas të cilit, tani e tutje në Shqipëri mund të qarkullonin vetëm gazeta të shitura tek policia. Sipas tij, ata që nuk e donin lirinë e shtypit nuk u pëlqente drita dhe sigurinë kombëtare e vinin në rrezik. Kjo sepse Faik Konica e konsideronte shtypin si mjet të domosdoshëm, të ngjashëm me një valvul shkarkimi (“safety valve”). Kufizimi i lirisë së shtypit, sipas tij, ishte burim i tiranisë dhe gjeneronte dhunë. Megjithatë, ky ligj nuk krijoi asnjë pengesë juridike për shtypin. Përkundrazi, gazetarët dhe intelektualët shqiptar botuan artikuj, kritika, polemika dhe pamflete për aspekte të ndryshme social-politike. Kjo vihet re edhe nga trashëgimia e jashtëzakonshme publicistike, e cila dëshmon për një nivel të lartë profesional. Me kalimin e viteve legjislacioni mbi shtypin evoloi në raport me zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar dhe, me rrethanat e reja që u krijuan brenda vendit. /abcnews.al/