LAJMI I FUNDIT:

Rama kërkon mocion mosbesimi për Berishën e Topallin

Rama kërkon mocion mosbesimi për Berishën e Topallin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha të premten se partia e tij do të kërkojë mocion mosbesimi ndaj kryetares së parlamentit Jozefina Topalli dhe kryeministrit Sali Berisha.

Rama që foli në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, theksoi se socialistët do të kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme parlamenti për këtë duke e konsideruar kryetaren Topalli pengesë për arritjen e standardeve të Shqipërisë dhe mocion për kryeministrin për të rrëzuar qeverinë e tij.

Rama theksoi se kriza politike në Shqipëri po shkon në rrugë pa kthim dhe tha se mocioni në parlament do të tregojë qartë se kush mbron të drejtat e qeverisë dhe kush mbron të drejtat e shqiptarëve.

Shefi i socialistëve nënvizoi dy vendimet e marra për Shqipërinë brenda disa ditësh, liberalizimi i vizave dhe raporti i progresit duke thënë se shqiptarët kaluan drejt Evropës ndërsa qeveria ngeli.


Rama përsëriti kërkesën për transparencën e zgjedhjeve duke thënë se nuk do të marrë pjesë në diskutimin për kodin zgjedhor pa u bërë kjo transparencë. Rama nënvizoi se në ofertën e bërë PD-së nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit, “sepse ne nuk i kërkojmë ato për hetim”. Ai tha se ajo që kërkojnë tani socialistët janë materialet zgjedhore. /Telegrafi/