LAJMI I FUNDIT:

Qyteti peshkopal i Aulonës

Qyteti peshkopal i Aulonës
Pamje e përfytyruar e qytetit peshkopal të Aulonës të ndërtuar nga Justiniani i Madh

Nga librat fetarë mësojmë se në qytetin e Aulonës, krishterimi u predikua nga misionarët e ardhur nga Roma – Shën Lefteri dhe Shën Donat Anagnosti. Me fjalët e tyre profetike, ata u përpoqën që të afrojnë banorët e Aulonës me fenë e re. Në kohën kur këta shenjtorë ushtronin veprimtarinë apostolike, qyteti ndodhej në kodrat e Treporteve.

Siç dëshmojnë zbulimet arkeologjike, brenda kështjellës që ndodhej në Vlorën e sotme, u ndërtua një kishë paleokristiane. Me kalimin e kohës ajo filloi të thithte banorët e Aulonës, që ndodheshin në Treport dhe kishin përqafuar krishterimin.


Një nga një ose në grup, besimtarët e krishterë të Treporteve filluan të ndërtonin shtëpitë e tyre përreth kishës paleokristiane. Kështu lindi qyteti peshkopal i Aulonës, gërmadhat e të cilit i shohim sot në qendër të qytetit të Vlorës. Ai dukej si një fshat në krahasim me qytetin bregdetar të Treporteve (Avlon civitas navalis). Luksi i ndërtimeve dhe i fortifikimeve, që karakterizonin këtë të fundit, kishte marrë fund. Vendin e godinave madhështore, të ndërtuara me gurë të mëdhenj, me tulla dhe me mermer, e kishin zënë shtëpitë e vogla përdhese, të ndërtuara me gurë të papunuar, si dhe kasollet prej druri. Vendin e nekropolit, që ndodhej në periferi të qytetit, e kishin zënë hapësirat e varreve afër shtëpive. Qendra e qytetit tashmë nuk ishte forumi (sheshi qendror), por kisha paleokristiane dhe godina peshkopale, që ndodheshin në mes të tij.

Me kalimin e kohës, ky qytet filloi të rritej dhe të zgjerohej edhe jashtë mureve të kështjellës. Në kishën paleokristiane tani nuk faleshin vetëm banorët që jetonin brenda murit rrethues të qytetit (intra mura), por edhe ata që ndodheshin jashtë tij, në kodrat përreth ose në varosh (ixtra mura)…

Koha e krijimit të Peshkopatës së Aulonës nuk mund të përcaktohet me saktësi. Megjithatë, mund të thuhet se në vitin 458 ajo ishte krijuar, pasi atë vit, peshkopi i Aulonës, Nazari, mori pjesë në Sinodin e Epirit

Qyteti peshkopal i Aulonës u krijua në të njëjtën kohë me dyndjet e fiseve barbare (të gotëve, ostrogotave, hunëve dhe vandalëve). Ashtu si të gjitha qendrat e tjera urbane të Perandorisë Romake, ai i ka përballuar sulmet e atyre fiseve me forcat e veta. Gjatë sulmeve, banorët e Aulonës mund ta kenë braktisur disa herë qytetin për t’u fshehur në vendet përreth. Pas largimit të armiqve, janë kthyer sërish në qendrën e tyre të banimit. Kështu, qyteti peshkopal i Aulonës arriti të mbijetojë. Në mbrojtje merrnin pjesë ushtarët e garnizonit të kështjellës, banorët e qytetit dhe ata të periferisë. Këta të fundit futeshin brenda murit rrethues. Në kohë paqeje ushtarët dhe banorët e Aulonës ishin bujq dhe barinj. Siç është e kuptueshme, një rol të rëndësishëm në mbrojtje ka luajtur peshkopi i Aulonës. /GSh/