LAJMI I FUNDIT:

Qyteti antik

Qyteti antik

Shkruar nga Fustel de Coulanges, “Qyteti antik” është një libër mbi rolin e feve në organizimin e shoqërive njerëzore dhe fillimet e civilizimit bashkëkohor në Greqinë dhe Romën antike. Libri është përkthyer nga Krenar Hajderi dhe vjen si botim i shtëpisë botuese DITURIA.

Kur botoi Qyteti antik, Numa-Denis Fustel de Coulanges ishte 34 vjeç. Ish-nxënës i Shkollës Normale Superiore dhe i Ecole d’Athènes, ai u emërua profesor i historisë në Universitetin e Strasburgut (1860), pasi kishte mbrojtur doktoraturën latine rreth Kultit të Vestas, më 1858, dhe në frëngjisht tezën Polibi ose Greqia e pushtuar nga Romakët. Ndërsa te Polibi ai ngrinte pyetjen rreth arsyeve që sollën fundin e lirisë greke dhe të “regjimit të qytet-shteteve”, studimi për Vestan përpiqej të analizonte fillesat e shoqërisë njerëzore. Si te studimi për Vestan, edhe te Qyteti antik qëndron në thelb pyetja: Cili është ai element që endi lidhjen shoqërore?

Për Fustelin, ashtu sikurse edhe për bashkëkohësit e tij, pa hipotezën, ose më mirë të themi, pa elementin indoeuropian, vetë nisma për të shkruar Qytetin antik është e pakonceptueshme: pikërisht ky element legjitimon, në themel, trajtimin e përbashkët të grekëve dhe romakëve. “Ata përfshihen në të njëjtin studim… sepse këta dy popuj, të cilët ishin dy degëzime të së njëjtës racë dhe që flisnin dy gjuhë të dala nga e njëjta gjuhë, kanë pasur gjithashtu një fond institucionesh të përbashkëta dhe kanë kaluar një sërë revolucionesh të ngjashme.” Pikënisja është e njëjtë: familja indoeuropiane përpara shpërndarjes së saj, diku në Azinë Qendrore, është ndërtuar nga feja primitive. Kjo origjinë e përbashkët mjafton për garantimin e një studimi krahasues, që, i çliruar nga çdolloj meraku të një natyre kronologjike, rreket të mbledhë aty-këtu ngjashmëri mes dy popujve, për të mbërritur në etapat e para të evolucionit të ngjashëm mes tyre.


Të merrje përsipër të studioje bashkërisht Greqinë dhe Romën e të shtroje çështjen e Qytetit, ishte guxim, një guxim më tepër naiv sesa i paramenduar; përpjekja e ndërmarrë nuk dyshon kurrë në legjitimitetin e saj dhe nuk vë asnjëherë në diskutim mundësitë e realizimit. Megjithatë, Fusteli nuk kufizohet vetëm te Greqia dhe Roma, por përfshin edhe një të tretë: Indinë. Mos vallë me këtë veprim metoda krahasuese e tij ndihet më e sigurt? Aspak. Ai vetë nuk kishte pretenduar asnjëherë të ishte orientalist dhe India, sipas tij, nuk përbën termin e tretë të një krahasimi, por vetëm një element më shumë, i cili vjen pikërisht në kohën e duhur, për të konfirmuar një tezë tashmë pak a shumë të formuluar.

I interesuar për fillimet e shoqërisë, Qyteti antik është njëherazi një mënyrë për të bërë histori në të tashmen, sikurse e tregon qartë në përmbledhje çështja e lirisë. Projekti është krejtësisht i qartë dhe libri mund të mbante si nëntitull: “Për t’i dhënë fund imitimit të njerëzve të lashtësisë”. Mes tyre dhe nesh, njerëzve të kohëve moderne, distanca është e pakapërcyeshme dhe keqkuptimi i tyre nga ana jonë ka qenë i mbarsur me jo pak pasoja për ne. Këtu, Fusteli shënjestron Revolucionin dhe përdorimin që i është bërë Antikitetit. Përgjegjësit kryesorë për krijimin e këtyre iluzioneve, jo pa rëndësi për ne, sepse shpunë në Terrorin e Revolucionit, janë jezuitët, Plutarku e Rusoi. Tetëdhjetë vjetët e fundit kanë treguar qartë se njëra prej vështirësive më të mëdha që i kundërvihet ecjes përpara të shoqërisë moderne është zakoni për të mbajtur gjithmonë parasysh antikitetin greko-romak. Pra, detyra e historianit është të na japë mundësinë të shohim saktë ndryshimin rrënjësor mes kësaj bote të shembur njëherë e përgjithmonë, duke kuptuar parimet që qëndronin në themel të saj, logjikën e saktë që jep koherenca e saj, duke rigjurmuar etapat e formimit e pastaj, revolucion pas revolucioni, të shpërbërjes graduale të saj. Edhe pse grekët dhe romakët janë stërgjyshërit tanë, ata nuk janë më pak të huaj për ne, dhe të bindësh për këtë lexuesin, do të thotë, sa i përket historianit, që ai të kontribuojë në “marshimin e njerëzimit”.

Besimi, themelues i lidhjes shoqërore, nuk ekziston më, dhe bashkë me zhdukjen e tij nis të shpërbëhet edhe shoqëria të cilës ai i pati dhënë formë. Të shkruash historinë e asaj epoke, do të thotë të gjesh besimin e saj fillestar, të masësh efektet dhe të ndjekësh shndërrimet që ai ka pësuar. Sepse ato që bëjnë historinë janë besimet: “Mbi shpirtin e njeriut nuk ka asgjë tjetër më të fortë. Një besim është vepër e mendjes sonë, por ne nuk jemi të lirë ta ndryshojmë atë sipas qejfit tonë. Ai është krijimi ynë, por ne nuk e dimë. Ai është njerëzor dhe ne e besojmë zot. Faktikisht ai është pasojë e fuqisë sonë, por ai është më i fortë sesa ne. Ai është brenda nesh; ai nuk na lëshon; ai na flet në çdo çast… njeriu mundet fare mirë të zbusë natyrën, por ai i nënshtrohet besimit.”

E tillë është ideja e Qytetit antik. Në fillimet e tyre, besimet e lashta, para së gjithash kulti i të parëve, trajtohen në pjesën I. Pjesa II skicon format e shoqërueshmërisë që, në të njëjtën kohë, hamendësojnë dhe gjenerojnë këto besime: familjen, por gjithashtu gensin (i cili në analizë të fundit, nuk është veçse “vetë familja”). Pastaj vjen qyteza, universi i së cilës, i përshkruar gjatë në pjesën III, u referohet parimeve që e bëjnë atë të kuptueshme. Qyteti antik përshkohet, fund e krye, nga një frymëzim i qartë antirusoist. Edhe pse libri i Fustelit nuk është një refuzim i argumentuar i Kontratës shoqërore, duket se autori, më pranë ideve të F. le Play-, e ka shkruar këtë libër kundër Rusoit: admirues i Likurgut dhe ithtar i Spartës, ndërkohë që kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një aristokraci “më shtypëse” sesa aristokracia e saj, Rusoi është përgjegjësi kryesor i këtij imitimi “të keq” e të “dëmshëm” të Antikitetit, gjë që çoi në kultivimin e Revolucionit dhe Terrorit. Më pas, për të, formimi i lidhjes shoqërore nuk mund të ngrihet mbi një marrëveshje që, përmes dialektikës së tjetërsimit dhe lirisë bën që njeriu të kalojë nga gjendja e natyrës në atë të njeriut të qytetëruar, duke mundësuar kësisoj kalimin nga gjendja e shpërndarjes individuale në një trup politik. Atje ku Rusoi vendos kontratën si motor të këtij kalimi, Fusteli vendos fenë.

Kush thotë besim, ka thënë kult i të vdekurve e menjëherë bashkë me të, familje, martesë, pronë: cikli mbyllet; nuk ka gjendje natyre dhe gjithnjë jemi, qysh në fillim, në fushën “civile”; ose më saktë, familja është njëherazi, si nga njëra anë ashtu edhe tjetra, ose “djep” ose produkt i këtij besimi, ajo është e vetmja gjendje e vërtetë e natyrës, ku të izoluar nuk janë individët, por familjet. “Për besimin e lashtë shtëpiak, familja përfaqësonte trupin e vërtetë, qenien vërtetë të gjallë, ku individi nuk ishte veçse një pjesëtar i pandashëm”. Megjithatë, familja nuk është gjithnjë dhe krejtësisht një gjendje e natyrës. Ajo shpesh nuk njeh ose nuk pranon të drejtën apo ndjenjat natyrore. Pse? Sepse ajo është më shumë “një shoqërim fetar sesa natyror”. Historia e Antikitetit është histori e shkëputjes graduale prej këtij “vargoi” që e mbante individin “të skllavëruar”. Krishterimi i jep dorën e fundit asaj që filozofia kishte përgatitur: babai i familjes, duke humbur atributin priftëror, ruan vetëm autoritetin që “i jep natyra”, e drejta afrohet drejt “barazisë dhe natyrës”; prona “nuk rrjedh më nga feja, por nga puna”. Pikërisht në këtë moment nis shoqëria moderne dhe merr fund “studimi ynë, i cili duhet të ndalet pikërisht në këtë kufi, që ndan politikën e lashtë nga politika moderne”.

Krejt vepra përshkohet nga një forcë e pamohueshme bindëse, e cila i krijon lexuesit përshtypjen se ai po kupton lindjen, lidhjen dhe funksionimin e asaj bote të perënduar njëherë e përgjithmonë. Por rreptësia shkencore, më e dukshme sesa reale, ka të bëjë më tepër me stilin e përkryer sesa me saktësinë e demonstrimit apo me lidhjen e saktë të arsyetimit.

Ndërkohë që shkruante Qytetin antik, Fusteli mendonte për “qytetin modern”. Mes dy mënyrave të të krahasuarit – ose t’u referohesh ngjashmërive, ose, përkundrazi, të nxjerrësh në pah ndryshimet – Fusteli zgjodhi vendosmërisht variantin e dytë. Në vitet që do të pasonin botimin e librit të tij (gjithsesi para vitit 1870), ai përpunoi idenë për të shkruar një pjesë të dytë, nën formën e një “qyteti frëng”, nga fillesat e veta e deri më 1879. Përfundimisht rezultati ishte krejt tjetër; por i tillë ishte edhe qëllimi fillestar.

Pasi i nënshtrohet nga fillimi në fund kritikës, pasi nënvizohet koherenca e tij jokoherente, Qyteti antik mbetet gjithsesi një vepër e rëndësishme: ajo ka bërë epokë, përmes modifikimit të një fushe studimi (të paktën në Francë), ngritjes së pyetjeve reale, duke krijuar një objekt të ri mendimi. Genosi apo gensi i Fustelit nuk kanë ekzistuar kurrë nën këtë formë. Mbetet që ky objekt i rremë, që është bërë subjekt debatesh të rreme, të ketë tërhequr vëmendjen lidhur me rolin e luajtur nga farefisnia në lindjen e qytetit e akoma më tej në të gjithë formacionin shoqëror dhe atë të grupeve të institucionalizuara.

Faktori indoeuropian, që i dha mundësinë Fustelit të mos ndalej nga hendeku kronologjik që ekzistonte mes grekëve dhe romakëve, ka mundësuar ndërtimin e qytetit antik, duke e vendosur theksin në përmasën fetare të këtij objekti të ri mendimi: një lloj “tabloje e mendimit” që mund të përqaset me tipin – ideal weberian. E kritikuar, e ripërpunuar, e riformuluar, ajo do të mbetet gjithsesi e pranishme, jo vetëm në fushën e historisë së lashtë, por edhe më gjerë.

Fusteli, për të cilin ngurohet të cilësohet mendimtar i lirë edhe pse ai nuk ishte katolik në mendim, e konceptoi qytetin antik si një botë të strukturuar fund e krye nga feja, e cila përfaqëson vetë zanafillën e botës shoqërore. Pa fenë, në fillimet e veta, nuk mund të kishte jetë të përbashkët.

Në Qytetin antik mund të lexohet një përkufizim i historisë që nuk ka mbetur pa jehonë, e mbi të cilin Fusteli është kthyer e rikthyer shumë herë: “Historia nuk studion vetëm faktet materiale dhe institucionet; objekti i vërtetë i studimit të saj është shpirti njerëzor; ajo duhet të aspirojë të njohë atë që ky shpirt ka besuar, ka menduar, ka ndjerë, në epokat e ndryshme të jetës së racës njerëzore”: historia si shkencë historike e psikës ose besimeve; historia, “shkencë e njeriut”, por edhe e asaj “që ndryshon tek ai”.

Për autorin:

Numa Denis Fustel de Coulanges (1830-1889), historian dhe profesor i shquar francez. Më 1858 mbrojti doktoraturën me dy teza: Kulti i Vestas dhe Polibi ose Greqia e pushtuar nga Romakët.

Në vitet 1860-1870 ishte profesor i historisë në Universitetin e Strasburgut, ku botoi librin e mrekullueshëm Qyteti antik (1864), i cili tregon fuqishëm rolin që ka luajtur feja në zhvillimin politik dhe shoqëror të Greqisë dhe Romës.

Më 1870 la Strasburgun, për shkak të aneksimit nga gjermanët të Alsasë-Lorenës, dhe u emërua në École Normale Supérieure (më 1883 u bë drejtor). Më 1875, Fusteli drejtoi katedrën e parë të Historisë së Mesjetës në Sorbonë dhe u zgjodh anëtar i Académie des sciences morales et politiques.

Historian dhe profesor i shquar, Fustel de Coulanges ka shënuar një pikë kthese në historiografinë franceze dhe mbetet i pari studiues që ka trajtuar rolin e feve në organizimin e shoqërive njerëzore.

Për veprën:

Antik apo modern, qyteti është ndër krijimet më komplekse të njeriut dhe ndoshta më demonstruesi i të dyja cilësive e tij, më të mira dhe më të këqija. Qyteti i antik, botuar fillimisht në vitet 1870, ofron një tablo franceze të shekullit XIX të metropoleve greke dhe romake.
Washington Post

Në trend Kultura

Më shumë
PLAK BUDALLA

PLAK BUDALLA

Fjala+
POETI

POETI

Poezi
Çorapet e arnuara të shokut Enver

Çorapet e arnuara të shokut Enver

Kulture
BIR

BIR

Poezi
NËNA IME

NËNA IME

Fjala+
“Ditët e Mios”

“Ditët e Mios”

Kulture
Kalo në kategori