LAJMI I FUNDIT:

Qorrsokaku politik në Prizren

Pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit të mbajtur ditë më parë me rastin e mocionit (votëbesimit) për kryesuesin e kuvendit komunal Nijazi Kryeziun, pushteti legjislativ ky hyrë në qorrsokak në Prizren dhe se është vështirë se si do të dalë nga kjo rrugë pa shtegdalje. Edhe pse rezultati i votimit ka qenë i tillë, i cili për shkak të zbrazëtirës ligjore, le paqartësi dhe interpretime të ndryshme varësisht se cilit kah i takojnë oponentët politik në Prizren.

Ligji mbi vetëqeverisjen lokale fare nuk e sqaron mënyrën e mundësisë së shkarkimit të kryesuesit komunal, dhe se i tillë si është ka të meta dhe zbrazëtira, dhe se duhet sa më parë të amandamentohet dhe të plotësohet, ndërsa statuti komunal vetëm me një aline cek se”mënyra e shkarkimit e kryesuesit është e njëjtë sikurse e zgjedhjes”, edhe pse edhe këtu statuti nuk është i qartë dhe decidiv, por me këtë vetvetiu nënkuptohet se për shkarkim nevojiten 21 vota, sikurse që duhen 21 vota për zgjedhjen e kryesuesit, në rastin konkret kryesuesi për një votë ka shpëtuar nga shkarkimi i tij nga detyra e kryesuesit.


Për daljen nga ky qorrsokak politik në Prizren në të cilin është zhytur legjislativi aktual ekzistojnë 3 rrugëdalje apo alternativa për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

E para, mocioni i votëbesimit të kryesuesit të kuvendit komunal të Prizrenit ka hedh në dritë se pozita aktuale qeverisëse në Prizren, në legjislativ nuk e ka shumicën e votave, edhe pse së paku duhet të ketë 21 vota, ajo për momentin i ka pas 16 vota, ndërsa në anën tjetër blloku opozitar(LDK-ja, AAK-ja dhe LDD-ja) e ka maksimumin e votave të qenurit në opozitë, gjithsej 20 vota. 4 vota abstenime ishin votat e kuvendarëve që e përkrahin apo janë në linjë të njëjtë me ish kryetarin e degës së PDK-së në Prizren Zafir Berishën, i cili para do kohe ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat si dhe nga anëtarësia e PDK-së.

Votimi më pah ka treguar se këto 4 vota kanë qenë abstenime, e jo vota kundër, që aludon në, e që përflitet në kuloare politike të Prizrenit, se ata janë në negociata për rikthim në trungun përkatës, saktësisht në PDK, dhe se janë duke u zhvilluar pazaret. Por edhe të ndodh kjo, PDK-sa së bashku me partnerët e vet të koalicionit prapëseprapë nuk e ka shumicën e votave, duke marrë parasysh se një kuvendare është deklaruar si e pavarur për momentin.

Po ashtu është vështirë të sigurohet edhe kuorumi, në rast të bojkotimit të kuvendit nga blloku opozitar, sepse për shkaqet e ndryshme objektive apo subjektive, ndodh shpesh që më së paku 1 por ka raste që edhe 3-4 kuvendar të mungojnë në seanca.

E dyta, PDK-ja duhet të sigurojë më së paku edhe mbështetjen e një force politike për të siguruar bllokun pozitar në kuvend, për të pasur një qëndrueshmëri stabile të miratimit të propozimeve dhe rregulloreve të ndryshme që i miraton kuvendi komunal në bazë të kompetencave legjislative të përcaktuara sipas normativës ligjore dhe statutit në fuqi, dhe se ky mandat është 4 vjeçar, e jo 2 vjeçar siç ka qenë mandati paraprak i legjislativit në fjalë.

Shumë më lehtë do të kishte po të kishte gjetur partnerin në radhët e subjekteve më të vogla opozitare siç janë AAK-ja dhe LDD-ja, që e para i ka 5 kuvendar, ndërsa e dyta 3 kuvendar, edhe pse për momentin ata të dytë e kanë refuzuar një gjë të tillë, dhe se vështirë do të jetë që këto 2 subjekte do të mund të mbështesin PDK-në, pasi që për momentin fortë qëndrojnë si bllok opozitar në Prizren.

E treta, është hyrja e LDK-së në koalicion me PDK-në në Prizren, edhe pse për momentin LDK-ja e ka refuzuar një ofertë të tillë nga PDK-ja për bashkëqeverisje, por për të dal nga ky qorrsokak politik në Prizren është e vetmja LDK-ja që mundet me zgjidh këtë çështje për hirë të mirëqenjes së qytetarëve të Prizrenit dhe mbarëvajtjes së procesit politik dhe kapërcimit të krizës aktuale në të cilin gjendet Prizreni.

Tani e tutje, sa herë që të doje blloku opozitar është në gjendje për të bllokuar punën e kuvendit komunal, pasi që pozita shumë vështirë do të ketë të sigurojë kuorumin e nevojshëm prej 21 votave për mbajtjen e seancave të rregullta. Për demokracinë në përgjithësi fare nuk është e pëlqyeshme që këto dy subjekte kryesore politike rivale të jenë në koalicion, pasi që atëherë nuk do të kishte opozitë të mirëfilltë, edhe pse opozitë do të ketë por do të jetë me numër të vogël dhe jo me peshë sa duhet. Por paraqiten momente të caktuara në politikë që edhe pse jo me dëshirë për të zhbllokuar procesin e pikësëpari për interesin e qytetarëve, LDK-ja me PDK-në të hyjnë në koalicion.

Po të insistohet të shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe pse në majë të hundës ju kanë ardhur elektoratit odiseja e zgjedhjeve lokale e nisur nga nëntori i vitit të kaluar e që përfunduan ditë më parë në Istog, e që zgjatën plot 6 muaj, atëherë ato do të organizoheshin vetëm për kuvendin komunal, e që nuk kanë efekt, pasi që kryetari aktual i Prizrenit z.Ramadan Muja as që ka gjasa me u ndërrua e as që i shkon mendja për të dhënë dorëheqje eventuale, pasi që me ekzekutivin që e ka zgjedh ai është duke punuar dhe vepruar, e sa është efikase dhe kuptimplotë kjo qeverisje pa funksionimin e legjislativit komunal është diç tjetër.

Për këtë arsye për zhbllokimin dhe funksionalizimin e legjislativit, për të mirën e qytetarëve të Prizrenit, i takon strukturave gjegjëse të LDK-së në Prizren të bëjnë”zemrën gurë” dhe të bëhen”kurban” për hir të interesit të gjerë shoqëror të Prizrenit dhe qytetarëve të tij, pasi që kjo nuk është kurrfarë risie, meqenëse në nivelin qendror janë në koalicion PDK-ja me LDK-në, e pse nuk mund të jenë në koalicion LDK-ja me PDK-në edhe nivelin lokal në Prizren.

Do e përmbyll këtë vështrim me një konstatim ndryshe nga Zafir Berisha ish kryetar i degës së PDK-së në Prizren, i cili kishte adet me thënë shpesh” ne me LDK-në në Prizren as në xhenet nuk shkojmë”, tani do kisha thënë” LDK-ja së bashku me PDK-në në Prizren, a do të shkojnë në xhenet, apo në xhenem, varet prej tyre”, por një është e sigurt se qytetarët e Prizrenit e meritojnë xhenetin.