LAJMI I FUNDIT:

Qeveria shpërblen kuadrin akademik

Qeveria shpërblen kuadrin akademik

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që paga bazë e profesorëve ordinar të universitetit të jetë në shumën prej 1000 eurosh, ndërsa ajo e asistentëve të rinj 500 euro.

Ndërkohë kategoritë tjera të personelit akademik do të llogariten brenda kornizës 500-1000 euro. Personeli joakademik do të përfitojë rritje prej tridhjetë për qind.

Me këtë rritje, pagat për profesorët universitarë në Kosovë, nivelizohen me pagat e homologëve të tyre në rajon dhe ju siguron një bazë të mirë materiale për të rritur cilësinë e arsimimit edhe edukimit të lartë në Kosovë.

Në bazë të rekomandimit të Këshillit Kombëtarë të Cilësisë të Agjensionit Kosovarë për Akreditim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të akreditojë si “Kolegj” Bartësin Privat të Arsimit të Lartë, “Dardania”. Ky kolegj ka të drejtë që në këtë vit të regjistrojë 500 studentë të rinj në programin bachelor dhe 50 student të rinj në programin master.


Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e vet, gjithashtu, ka vendosur që të rris të drejtën e regjistrimit të studentëve të Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë, që bartin emërtimin Kolegj për 200 studentë më tepër, si dhe për ata që bartin emërtimin Institut për 100 studentë më tepër. /Telegrafi/