LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e përkushtuar për partneritet me bizneset

Qeveria e përkushtuar për partneritet me bizneset

Kryeministri, Isa Mustafa, vizitoi të martën Kuvendin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ku u takua me përfaqësuesit e bizneseve dhe udhëheqjen e OEK-ut. Ai theksoi se për Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk ka prioritet më të rëndësishëm sesa zhvillimi ekonomik i vendit.

Kryeministri i njoftoi bizneset me agjendën konkrete të prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në këtë drejtim, duke theksuar se “Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për partneritet me bizneset, në mënyrë që së bashku të krijojmë një aleancë të përbashkët për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Mustafa.

Kryeministri po ashtu i njoftoi me reformat substanciale të Qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.


Në këtë kontekst, kryeministri siguroi përfaqësuesit e bizneseve për angazhimin maksimal të Qeverisë për krijimin e kushteve të barabarta për qasje në treg nga ana e bizneseve, duke eliminuar çdo formë të diskriminimit.

Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu shprehu brengën e Qeverisë për pengesat me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare si rezultat i mungesës së liberalizimit të vizave, duke dëmtuar bizneset kosovare dhe konkurrueshmërinë e tyre në raport me bizneset e vendeve të rajonit.

Po ashtu, kryeministri Mustafa i siguroi përfaqësuesit e bizneseve për masat që po ndërmerren dhe vendosmërinë e Qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat pengojnë investimet e huaja dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/