LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kuvendi nuk merren me kryetarin e akuzuar të OSHP-së

Qeveria e Kuvendi nuk merren me kryetarin e akuzuar të OSHP-së

Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, vazhdon të ndajë drejtësinë në ankesat e operatorëve ekonomikë për tenderë të ndryshëm, ndonëse është në mesin e të akuzuarve në dy aktakuzat e ngritura nga Prokuroria e Shtetit për dy tenderë, njëri i iniciuar nga KEK-u e tjetri nga Ndërmarrja Publike Banesore, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji i prokurimit publik u jep të drejtë Kuvendit dhe Qeverisë të iniciojnë suspendimin e anëtarëve të Bordit të OSHP-së kundër të cilëve rëndojnë akuza të ngritura deri në një vendim final të gjykatës, përcjell koha.net. Këtë të drejt këto institucione nuk e kanë shfrytëzuar.

Qeveria e Kosovës ende nuk i ka dërguar në Kuvend emrat për plotësimin e dy vendeve të tjera vakante në OSHP.


Një anëtare e Bordit të OSHP-së ishte dorëhequr nga kjo pozitë, pasi ajo kishte vendosur të bëhej përmbaruese private, një profesion i ri në Kosovë.

Kurse një anëtar tjetër i OSHP-së ishte arrestuar para afro dy muajsh për dyshimet se ka kryer një vepër penale jashtë natyrës së punës si anëtar i OSHP-së. Në Bordin e këtij organi aktualisht janë tre nga pesë anëtarë sa duhet t’i ketë ky organ, që ai të jetë në gjendje për të funksionuar dhe shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomikë rreth shkeljeve të Ligjit të prokurimit. /Telegrafi/