LAJMI I FUNDIT:

Qalaj tërhiqet nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e procedurës së rekrutimit për drejtor të PK-së

Qalaj tërhiqet nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e procedurës së rekrutimit për drejtor të PK-së
Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj /foto:Ridvan Slivova

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës (PK), Rashit Qalaj, është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën kishte kërkuar që të pezullohet procedura e rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, deri në përfundimin e kontestit me aktgjykim të formës së prerë.

Për këtë rast, Qalaj kishte paditur Qeverinë e Republikës së Kosovës-Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.


Gjatë seancës së mbajtur të mërkurën, përfaqësuesi i Qalajt, avokati Adem Vokshi tha se tërhiqet nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

“Duke marrë parasysh se me kërkesë kemi propozuar pezullimin e procedurës së rekrutimit të pozitës së drejtorit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar fillimisht që gjykata të nxjerr masën e sigurisë, gjykata herën e kaluar nxori këtë masë, vendim ky i cili u anulua nga ana e Gjykatës së Apelit.”, deklaroi ai.

Vokshi tha se gjatë zhvillimit të procedurës tek Gjykata e Apelit, është vazhduar nga ana e kundër propozuesve me procedurën e rekrutimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Ka qenë një veprim shumë i pamatur i institucionit të Policisë së Kosovës, institucion ky i cili gëzon besimin e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe për fat të keq, më 20 janar 2021, në portalin e Policisë së Kosovës ka dal informimi se ka përfunduar procedura e zgjedhjes së drejtorit të Policisë së Kosovës, me të cilin veprim është injoruar veprimtaria e gjyqësorit dhe me vetë këtë fakt është bërë jo lëndore që të ngelim pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë, duke marrë parasysh se jemi vënë para aktit të kryer”, tha Vokshi.

Sipas avokatit, arsyeja e tërheqjes nga ky propozim është se kërkesa e tyre është bërë jo lëndore.

“Kjo është edhe arsyeja pse ne e tërheqim propozimin për caktimin e masës së sigurisë dhe i kërkojmë gjykatës që sa më shpejtë të caktoj shqyrtimin gjyqësor për shpalljen e kundërligjshme të vendimit për lirimin e paditësit nga detyra e drejtorit të Policisë së Kosovës”, shtoi avokati Vokshi.

Me këtë u pajtua edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilire Tasholli-Aydogan, derisa për këtë seancë nuk prezantoi fare Zyra e Kryeministrit, ndonëse e njëjta ishte ftuar me rregull.

Gjykata më pas mori  aktvendim me të cilin u konstatua i tërhequr propozimi i propozuesit për caktimin e masës së sigurisë.

Gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti njoftoi palët se për këtë gjykata do të përpiloj aktvendim të veçantë.

Ndryshe Qalaj, përmes propozimit për caktimin e masës së sigurisë të paraqitur më 24 dhjetor 2020 po kërkon nga Gjykatën Themelore në Prishtinë që t’i ndalohet kundërshtarëve të sigurimit Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojnë procedurat e rekrutimit për pozitën drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, deri në përfundimin e kontestit me aktgjykim të formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, përmes padisë së ushtruar në nëntor të vitit 2020, ai po kërkon nga gjykata anulimin e vendimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës me të cilin ai ishte liruar nga detyra e punës dhe si rrjedhojë kthimin në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 dhjetor 202,0 kishte aprovuar propozimin e propozuesit të sigurimit Rashit Qalaj, duke caktuar masën e sigurimit dhe duke ia ndaluar Qeverisë së Republikës së Kosovës-Zyra e Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojë procedurat e rekrutimit për pozitën drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës sipas konkursit të datës 18 tetor 2020.

Mirëpo ky vendim ishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit e cila më 24 dhjetor të vitit të kaluar, kishte anuluar vendimin e nxjerrë në shkallë të parë, duke e kthyer këtë lëndë edhe një herë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas vendimit të Apelit, rezulton se qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, e kjo sipas saj, ka ndikuar që gjykata e shkallës së parë të mos ketë pasqyrë të qartë me rastin e ardhjes në përfundimin se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore nga neni 297 i LPK-së për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë. I njëjti aktvendim, sipas Apelit, po ashtu del të jetë i përfshirë edhe në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 76, 78 dhe 102.1 të LPK-së.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë në rastin konkret haptazi ka prejudikuar çështjen kryesore, gjë e cila në asnjë rrethanë nuk do të duhej të ndodhte, ngase me rastin e vlerësimit të propozimit për sigurim të kërkesë padisë, gjykata ka për detyrim që të lëshohet vetëm në vlerësim dhe analizim të fakteve, respektivisht bazueshmërisë lidhur me atë se a plotësohen kushtet ligjore apo jo për caktim të masave të propozuara, siç kërkohet me dispozitën e nenit 297 par.1, pika a dhe b të LPK-së.

Kundërthëniet sipas Apelit paraqiten në pjesën ku gjykata e shkallës së parë i referohet besueshmërisë së të drejtës subjektive të palës propozuese, ku e potencon faktin se vendimi mbi lirimin nga pozita e drejtorit është i kundërligjshëm, pa u vërtetuar fare nga shkalla e parë nëse vendimi është i kundërligjshëm apo jo.

Sipas Apelit, mbi bazën e një arsyetimi të tillë, i cili është kundërthënës, nuk mund të kuptohet se a kemi të bëjmë me vlerësimin e ligjshmërisë vendimit apo me besueshmërinë e të drejtës subjektive të propozuesit, dhe se cili do të ishte dëmi që do ti shkaktohej paditësit pa caktimin e kësaj mase, nëse propozuesit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës, nuk është shkarkuar por vetëm është liruar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Si rrjedhojë, bazuar në vendimin e Apelit, fakti se paditësi-propozuesi është liruar nga pozita e drejtorit dhe është sistemuar në vendin e punës në kuadër të Policisë së Kosovës, nxjerr konkludim logjik se nuk kemi të bëjmë me ndërprerjen e marrëdhënien së punës e as me shkarkimin e tij, siç e cekë gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar.

Shkeljet thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.1 e lidhur me nenin 76, 78 dhe 102.1 të LPK-së, sipas Apelit, qëndrojnë për shkakun se në rastin konkret, paditësi padinë e ka ushtruar në drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës-Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, ndërsa propozimin për caktimin e ka bërë në drejtim të kundërshtarëve të sigurimit Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me çka nën një rrethanë të tillë del që propozimi për masë të sigurisë është orientuar edhe ndaj një pale e cila nuk ka qenë e përfshirë fare në padinë e ushtruar, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme nuk është e përfshirë fare si palë e paditur në padinë e ushtruar.

Sa i përket kërkesës së kundërshtarit të sigurimit që në ri procedurë lënda ti caktohet një gjyqtari tjetër, një kërkesë të tillë Kolegji i Gjykatës së Apelit nuk e ka vlerësuar si të arsyeshme, me arsyetimin se në gjykatën e shkallës ekzistojnë mekanizmat për parashtrimin e kërkesës për përjashtimin e kërkesës për përjashtim të gjyqtarit, nëse njëra apo tjetra palë vlerëson se ka bazë ligjore për një gjë të tillë.

Sipas padisë së ushtruar më 13 nëntor 2020, paditësi Reshat Qalaj ka themeluar marrëdhënie pune në Policinë e Kosovës më 22 maj 2000, ku me vendimin e kryeministrit të RKS më 29 gusht 2018 ai është emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Në padi thuhet se me 16 tetor 2020 kryeministri Avdullah Hoti ka nxjerr vendim me të cilin në pikën e parë miraton “raportin për drejtorin e përgjithshëm të PK-së, tani paditësin Qalaj”, ndërsa në pikën e dytë e liron atë nga kjo pozitë, ku pas kësaj paditësi më 30 tetor 2020, ka bërë ankesë kundër këtij vendimi për të cilin thuhet se nuk ka pasur fare arsyetim apo këshillë juridike e cila ankesë thuhet se nuk është shqyrtuar fare nga kryeministri Hoti.

Bazuar në padi paditësi nuk ka qenë në dijeni se është duke u përpiluar ndonjë raport për të, pasi që nga i njëjti nuk është kërkuar asnjë shpjegim apo dokument për përpilimin e këtij raporti, me ç’rast paditësi i ka kuptuar nga mediat arsyet për lirimin e tij nga puna e që janë për shkak të  performancës jo të mirë të paditësit në punë.

Sipas padisë, paditësi gjatë punës së tij asnjëherë nuk ka pranuar vërejtje për performancën e tij, përkundrazi ai ka marrë lëvdata për profesionalizmin e treguar gjatë punës ku kishte pranuar edhe medalje dhe falënderime me shkrim për punën e tij.

Tutje, në padi thuhet se ky vendim është në kundërshtim me dispozitat e nenit 39 par.1 pika 1.6 e ligjit për Policinë ku thuhet se vlerësimi i performancës duhet të jetë i dokumentuar  e që sipas paditësit, ai asnjëherë nuk është njoftuar me këtë raport të performancës së tij. Po ashtu ky vendim thuhet se është në kundërshtim me Ligjin e Punës, me nenet 70,71 dhe 72.

Me anë të kësaj padie, paditësi Qalaj  ka kërkuar që të aprovohet kërkesë padia e tj në tërësi si e bazuar, të anulohet vendimi i 16 tetori 2020, si i kundërligjshëm si dhe të obligohet e paditura që atë ta kthej në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, dhe t’ia kompensoj diferencën në pagë sipas vlerësimit të ekspertit nga 16 tetori 2020 e deri në kthimin në punë me kamatë ligjore prej 8 % për secilën pagë veç e veç sipas arritjes për pagesë si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.