LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e Ujmanit pezullojnë grevën

Punëtorët e Ujmanit pezullojnë grevën

Grevistët e hidrocentralit të Ujmanit sot kanë vendosur ta pezullojnë grevën, me kusht që kërkesat e tyre të realizohen javën e ardhshme, me çka në ora 16 do të rifilloj prodhimi i energjisë elektrike. Punëtorët grevistë tregojnë se dje kërkesat e tyre, të cilat me 5 shkurt i patën dorëzuar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomike, i kanë dorëzuar në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Pas kësaj, mësohet se sot diplomatët e huaj dhe përfaqësues të KFOR-it e kanë vizituar njësinë punuese të Ujmanit, m e këtë rast janë zotuar se që nga e hëna do të ndërmjetësojnë mes tyre dhe Qeverisë së Kosovës për realizimin e këtyre kërkesave, transmeton Veriu.info.

“Nëse Qeveria nuk merret prapë me kërkesat tona dhe na neglizhojnë siç ka bërë deri më tash struktura udhëheqëse e Ibër Lepencit dhe Ministria, atëherë ne do ta vazhdojmë grevën dhe do t’i radikalizojmë veprimet tona”, ka thënë një përfaqësues i grevistëve në kushte anonimiteti, për shkak të frikës se do t’i hakmerret menaxhmenti.


Veriu.info ka tentuar të kontaktoj me Ramadan Sejdiun, drejtor i njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në MZHE, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Ndryshe, punëtorët e hidrocentralit të Ujmanit me 5 shkurt e kanë ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike, për shkak të disa kërkesave që i kanë parashtruar, ku kryesorja ka qenë shkarkimi i tre anëtarëve të Bordit të Ibër Lepencit nga 7 anëtarë sa i ka pas në fillim, me arsyetimin se ata nuk po ju krijojnë kushte elementare për punë dhe po i keqpërdorin pozitat e tyre. /Telegrafi/