LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e pastrimit në QS kërkojnë rritje pagash

Punëtorët e pastrimit në QS kërkojnë rritje pagash

Punëtorët e Qendrës së Studentëve në Prishtinë kanë protestuar sot duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre si rritjen e pagave nga 200 në 250 euro, pagesën e shujtave dhe sigurimin shëndetësor, si dhe kushte tjera siç është nënshkrimi i kontratave personale dhe trajtim më të mirë.

Pas një diskutimi me sindikatën e punëtorëve dhe pronarin e kompanisë, e cila e ka privatizuar këtë sektor, punëtorët janë pajtuar që t‘i kthehen punës por kanë thënë se janë të pakënaqur me punëdhënësin.
Fatime Makolli, e cila është punëtore qe 15 vjet në konvikte, ka thënë se është e pakënaqur me trajtimin që iu ka bërë nga punëdhënësi i kompanisë “Omi-Impex”, pasi sipas saj për shkak se ka kërkuar pushim mjekësor 2 javë, është larguar nga puna për 17 muaj, kurse për disa muaj rresh është dënuar nga punëdhënësi me nga 50 euro gjobë, gjë për të cilën ka thënë se nuk ka marrë as arsyetim.

“Sot kërkuam rritjen e pagave, trajtim më të mirë. Nuk mundem me dhënë më shumë se fillimi ka qenë veç kjo, nëse dështohet diçka tjetër sigurisht se do t’i themi edhe ato pakënaqësitë tjera të cilat janë. Faktikisht ne e kërkuam edhe kthimin me qendër, të jemi de fakto me qendër pse jo, pse mos me qenë ne punëtor të qendrës, pse me qenë me privat, kush është private për neve, me të shkel trajtime, s’është në rregull kjo, absolutisht nuk është në rregullu, të qet kur të do, të merr kur të don pa kurrfarë kompensimi. Unë jam ajo që më ka larguar për 17 muaj nga puna dhe më ka marrë pa kurrfarë kompensimi pa kurgjo hiq, më ka largu pse kam qenë në pushim mjekësor de-fakto, pa kurgjo hiq, kush është private për ne. punoj në QS prej nga e 2000-ta”, ka thënë ajo.


Makolli është ankuar edhe për kontratë të cilën ka thënë se pronari i kompanisë vetëm i shtynë që ta nënshkruajnë dhe kopjen e saj nuk ua jep kurrë në posedim.

Mirëpo, përfaqësuesi i punëtorëve nga BSPK-ja, Jusuf Azemi, ka thënë se një gjë e tillë do të rregullohet me kontratën e re nga 1 janari 2015. “Të gjithë punëtorët po i përmbahen protestës, kemi filluar në orën 7:00 por megjithatë unë pas këtij takimi që e patëm do të propozoj që punëtorët të kthehen në vendin e tyre të punës sepse ka qenë një takimi frytshëm i suksesshëm që unë mendoj që të gjithë palët, edhe Qendra e Studentëve, edhe drejtori i Omi-Impex-it, që këtyre punëtorëve duhet t’u rriten pagat. Megjithatë, qëllimi jonë kryesor ka qenë sepse në këtë periudhë deri në janar ne nuk kemi kërkuar që të bëhet rritja e pagave, kemi kërkuar që operatori i ri i cili do të jetë pas 1 janarit të ketë parasysh se ne minimumi që do të shkojmë do të jetë 250 euro duhet të ketë pagën e shujtës dhe duhet të jetë shtesë sigurimi i cili do të hyj në fuqi nga 1 janari”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, drejtori i Konvikteve, Isak Beha, ka thënë se Qendra e Studentëve deri më tani i ka kryer të gjitha obligimet ndaj kompanisë, derisa përgjegjësitë tjera i takojnë privatizuesit.

“Deri më tash Qendra e Studentëve i ka kryer të gjitha obligimet pagesore sa i përket kompanisë Omi-Impex, punëtorët të cilat janë punëtore të kompanisë dhe çështja e kthimit të punëtorëve nën menaxhimin e QS-së është çështje komplekse dhe i tejkalonkompetencat tona, është çështje ligjore, sa i përket ngritjes së pagave duhet të theksoj se kjo kompani ka kontratë edhe 2 muaj me QS, ne do t’i kryejmë edhe për këta dy muaj obligimet në bazë të kontratës qysh i kem kurse përcaktimin e pagave nga 1 janari e tutje do ta përcaktoj konkurrenca nga operatorët që kanë konkurruar dhe kush do ta fitoj tenderin për 3 vitet e ardhshme”, ka thënë ai.

Kurse, pronari i Omi-Impex, e cila është privatizuese e sektorit të pastrimit të konvikteve, Islam Sallahu, ka thënë se nëse do të jetë fitues për 3 vitet e ardhshme i kontratës për pastrimin e konvikteve, do t’ua rris pagat punëtorëve në 250 euro.

Punëtorët e pastrimit të konvikteve tashmë marrin pagë nga 200 euro në muaj, kurse kanë kërkuar që kjo shumë t’u rritet në 250 euro neto, të kthehen në menaxhim të Qendrës së Studentëve, si dhe t’u paguhet shujta dhe sigurimi shëndetësor. /Telegrafi/