LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e Aeroportit në panik

Punëtorët e Aeroportit në panik

Vazhdimi i kontratës së punës në aeroportin “Adem Jashari”, është bërë temë debati dhe ankth për punëtorët e kësaj kompanie. Fjalët se do të ndryshohen kontratat e punës kanë filluar të qarkullojnë në Aeroport.

Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit është këmbëngulëse se nuk do të lejojë të ndodhë një gjë e tillë. Udhëheqësit e njësisë për Partneritet Publiko – Privat thonë se termet e kontratës me koncesionerin nuk do të ndryshojnë në asnjë mënyrë. Ata premtojnë se rrogat nuk do të preken për tre vjetët e ardhshëm për 544 personat që do të punojnë në Aeroport.

Kryetari i Sindikatës së Aeroportit, Sylejman Zeneli, thotë të ketë dëgjuar zëra që kontratat mund të ndryshohen, por paralajmëron bllokim të punës së Aeroportit nëse ndodh një gjë e tillë.

“Kam dëgjuar se po tentojnë t’i ndryshojnë kontratat e punës. Unë u premtoj punëtorëve që një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë. Nëse dikush vërtet tenton të bëjë një gjë të tillë unë po i paralajmëroj se Aeroporti nuk do të funksionojë”, tha Zeneli.


Sindikata është e vendosur të qëndrojë prapa kontratës që është nënshkruar për koncesionimin e Aeroporti. Në mbledhjen e Bordit të drejtorëve të Aeroportit thuhet të jetë folur për ndryshimin e kontratave të punëtorëve dhe zbritjen e rrogave për 10 për qind që do të mundësonte mbetjen në punë edhe të punëtorëve që janë pranuar së fundi në Aeroportin e Prishtinës. /Koha/Telegrafi/